E premte, 19 Korrik, 2024

TË KAPUR NË KURTHET PERVERSE TË HISTORISË

Ballkani është një rajon i varur nga historia. Një ngjarje në mesjetë mund të bëhet motiv për hakmarrje sot, edhe atë në procesin euro-integrues. Ky është rajoni i bllokadave dhe historive të lavdishme të vendeve me një të tashme korruptive dhe të ardhme të paqartë. E këtu duket se duhet të shqyrtohet edhe mekanizmi i vendimmarrjes në BE, njëjtë siç u ndryshua metodologjia e zgjerimit. Vendet e Ballkanit mund të gjejnë më shumë arsye historike për të bllokuar njëri-tjetrin sesa të gjitha dokumentet që ka prodhuar BE-ja nga viti 1992 e deri më sot.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Sa menduam se rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut përfundimisht është hapur, doli edhe një tjetër pengesë: Bullgaria. Bllokada e Greqisë për emrin u zëvendësua me bllokadën e Bullgarisë për gjuhën dhe historinë. Një fat i keq për shtetin e vogël të Ballkanit, i cili duket si një thes boksi për “të  fortit” e rajonit.

E kam shkruar që para disa muajve se problemi me Bullgarinë është mbase dhjetëfish më i rëndë për t’u zgjidhur sesa ai me Greqinë. Nëse Greqia nuk pranonte identitetin politik (kombin gjeografiko-qytetar) të shtetasve të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria nuk pranon etninë, popullin dhe qenësinë maqedonase. Më saktë – Sofja u thotë maqedonasve etnikë se “ju nuk jeni ju”.

Narrativi i Bullgarisë thotë se gjuha maqedonase është krijuar nga Jugosllavia e Titos në vitin 1945 mbi dialektin bullgar. Kjo është një goditje drejtpërdrejt mbi shtyllën kryesore identitare. Gjuha është tipari përbashkues për një grup njerëzish, që i bën të dallueshëm nga të tjerët. Gjuha është shtyllë kryesore e shumë etnive (popujve), përfshirë këtu edhe shqiptarët. Së këndejmi, porosia e bllokadës bullgare drejt maqedonasve është: “juve u ka birësuar Jugosllavia nga bullgarët!”

Edhe po të ishte kështu, megjithatë, tingëllon vrazhdë. Bullgaria ka afërsi kulturore me Maqedoninë e Veriut dhe ka mundur që “t’i bindë” maqedonasit etnikë nëpërmjet “fuqisë së butë”. Pra, nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit kulturor, mediatik, kulturor, ekonomik…fusha këto ku dominon Bullgaria. Ka mundur që të gjitha këto çështje të ndjeshme një nga një t’i trajtojë përgjatë procesit të bisedimeve anëtarësuese me BE-në. Kështu përnjëherë duket si t’i japësh fëmijës një shishe shurup të hidhur me një gllënjkë.

Ka që thonë se ky problem është i maqedonasve etnik, e s’ka të bëjë me shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Së këndejmi, sikur preferohet të ndenjurit anësh. Faktorët politik ndenjën anësh për gjatë kohë në mosmarrëveshjen me Greqinë, edhe pse aty prekej edhe më shumë interesi i tyre si shtetas. Këtu nuk cenohet interesi etnik i shqiptarëve, por ai shtetëror apo politik. Bllokada për në BE nuk është vetëm për maqedonasit. Të kapur në kurthet e historisë janë të gjitha etnitë, qytetarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut e që i mban gjallë ëndrra evropiane. Nga 2009 vendi ka marrë rekomandimin e parë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, por deri më sot ende nuk ka mbajtur as takimin e parë ndërministror. Në ndërkohë, në vitin 2012 dhe 2014 Mali i Zi dhe Serbia filluan negociatat dhe kanë mbyllur disa kapituj.

Këto bllokada gjithsesi se duken perverze për vendet evropiane. Por, në Ballkan mund të shndërrohen në praktikë të rrezikshme. Ballkani nuk është vend që prodhon vizione të së ardhmes. Ky rajon është një rezervuar i madh i historive të vërteta apo të trilluara, i miteve dhe ngritjes në kult të figurave kontroverse. Të gjithë këto histori kanë një të përbashkët – çdo shtet ka qenë i madh në një periudhë të caktuar, por se fqinjët e kanë copëtuar. Ky mishërim me historinë i bën të parëndësishme, madje edhe qesharake, problemet e të sotmes: arsimi, shëndetësia, standardi jetësor, rrogat, jeta, e ardhmja…

Bashkimi Evropian (BE) i ka vendosur qartë mekanizmat e zgjerimit, ku kërkohet vota e çdo vendi anëtar. Një proces që ka siguruar vend të barabartë për çdo anëtar dhe një proces korrekt me shtetet e reja. Derisa nuk i erdhi radha Ballkanit. Ballkani është një rajon i varur nga historia. Një ngjarje në mesjetë mund të bëhet motiv për hakmarrje sot, edhe atë në procesin euro-integrues. Ky është rajoni i bllokadave dhe historive të lavdishme të vendeve me një të tashme korruptive dhe të ardhme të paqartë. E këtu duket se duhet të shqyrtohet edhe mekanizmi i vendimmarrjes, njëjtë siç u ndryshua metodologjia e zgjerimit. Vendet e Ballkanit mund të gjejnë më shumë arsye historike për të bllokuar njëri-tjetrin sesa të gjitha dokumentet që ka prodhuar BE-ja nga viti 1992 e deri më sot.

 

Të fundit