E premte, 26 Korrik, 2024

VETOJA BULLGARE KOMPLIKON FILLIMIN E NEGOCIATAVE

Kryeministri Zoran Zaev ka rikujtuar se ekziston rrezik serioz që të mos mbahet mbledhja ndërqeveritare me BE-në, që realisht nënkupton fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Vetoja bullgare tashmë duket një realitet i patejkalueshëm, ndërkohë që njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ky problem duhet të zgjidhet në nivel europian. Ndërkohë përfaqësues europianë kanë bërë thirrje që të gjendet zgjidhje për këtë mosmarrëveshje dhe kanë bërë të ditur se procesi i zgjerimit të BE-së kërkon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare.

Analizë KDP

Pas zhbllokimit të problemit disavjeçare me çështjen e emrit me Greqinë fqinje dukej se Maqedonia e Veriut tashmë po ecte në drejtim të një procesi të pakthyeshëm të integrimit në Bashkimin Europian. Zgjidhja e çështjes së emrit i kishte hapur rrugën Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, ndërkohë që kishte marrë edhe datën për fillimin e negociatave me BE-në.

Gjithçka dukej se po shkon mirë në këtë rrugëtim, përderisa në ndërkohë nuk ishn shfaqur problemet me Bullgarinë fqinje, e cila tashmë ka paralajmëruar se do ta bllokojë Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave, që nënkupton edhe mbajtjen e mbledhjes ndërqeveritare, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët.

Mbledhja e parë ndërqeveritare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, që nënkupton edhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në union, bazuar në qëndrimet e palëkundura të Sofjes, duket se nuk do të ndodhë për shkak të mostejkalimit të dallimeve lidhur me emrin e shtetit, gjuhën, identitetin dhe prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara historike.

Kryeministri Zoran Zaev ka rikujtuar ndërkohë se në festën e 11 tetorit e ka njoftuar popullin se është e mundur të mos kemi zgjidhje, gjegjësisht të mos mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes vendit dhe Bashkimit Evropian.

“Definitivisht qëndrojë si në atë ditë të 11 tetorit, se ekziston mundësi serioze që ne të mos mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në”, ka theksuar Zaev.

Ai megjithatë ka theksuar se përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes janë përforcuar. “Do të japim gjithçka nga ana jonë si energji, si mendje, si mençuri, por gjithashtu ka çështje për të cilat askund në botë nuk negociohet, as te ne do të negociohet dhe këtë pala bullgare e kupton. E kuptojnë se identiteti jonë, gjuha jonë maqedonase janë ndjenjat tona, të drejtat tona dhe shtetet nuk negociojnë për këtë çështje, kështu që ne vazhdojmë të gjejmë zgjidhje, që gjithashtu do të ishte e pranueshme për të dyja palët”, ka theksuar ai.

Por, nga ana tjetër, opozita për thellimin e problemit me Bullgarinë ka fajësuar pushtetin, në veçanti kryeministrin Zoran Zaev, i cili sipas kryetarit të VMR-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka mashtruar opinionin duke thënë se Maqedonia e Veriut më nuk ka asnjë problem të hapur me vendet fqinje.

Mickovski ka tgheksuar se opozita i kishte dhënë mbështetje kryeministrit Zaev si dhe presidentit Stevo Pendarovski për ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët lidhur me memorandumin e palës bullgare, të cilën, siç thotë Mickovski, Sofja arriti ta vendosë në agjendat më të larta të Unionit.

Gjermania, që kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian, ndërkohë ka vlerësuar se problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk duhet të përfshihen në kornizën negociuese për anëtarësimin e Shkupit në Bashkimin Evropian.

Këtë qëndrim të Berlinit zyrtar e ka bërë të ditur para do kohe ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Holstein, teksa ka komentuar një memorandum, përmes së cilit, Bullgaria i ka kërkuar vendeve anëtare të BE-së, që në kuadër të kornizës negociuese me Shkupin, të fusin edhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që Sofja dhe Shkupi kanë arritur më 2017.

Në memorandumin prej gjashtë faqesh, Bullgaria ka argumentuar se me Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë zgjidhur kontestet rreth gjuhës, historisë së përbashkët dhe pakicave. Po ashtu, Sofja zyrtare ka paralajmëruar se mund të vendosë edhe veto për anëtarësimin e Shkupit në BE.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holstein, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, është shprehur e prerë se është në interesin e Bullgarisë, që të mos e bllokojë procesin e integrimeve evropiane për Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria ua ka treguar këto kërkesa (të përfshira në memorandum) vendeve të tjera anëtare në fillim të gushtit. Ne dhe sipas njohurive të mia, të gjitha vendet tjera anëtare, jemi të mendimit që problemet dypalëshe nuk duhet të vihen në kuadrin negociues dhe që problemet dypalëshe duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale. Bullgaria gjithnjë ka qenë mbështetëse e madhe e përparimit në integrimin evropian të rajonit, përfshirë edhe të Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar ambasadorja Holstein.

As samiti i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit nuk ka sjellë ndonjë risi zhbllokimi të përplasjes mes Sofjes dhe Shkupit. Përkundër takimit Borisov-Zaev pozicionet mbeten të njëjta ndërkohë që korniza negociuese mbetet e rrezikuar.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se zgjidhje të problemi duhet të ketë, por rolin më të mëdha në këtë çështje duhet ta ketë Bashkimi Evropian.

Komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi gjatë një vizite zyrtare në Shkup ka thënë se “është në interes edhe të Bullgarisë ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut, që të gjejnë zgjidhje për këto çështje”. Sipas tij, pa u sqaruar këto mosmarrëveshje, do të jetë shumë e vështirë që gjërat të lëvizin para, meqë procesi i zgjerimit të BE-së kërkon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare.

Marrëveshjen për fqinjësi të mirë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria e kanë arritur më 2 gusht të vitit 2017, por për shkak të dallimeve të thella, ajo ende nuk është arritur të zbatohet.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit