Kjo politikë e bazuar në pikëpamje pa bazë teorike, ka rezultuar që edhe sot e kësaj dite shqiptarët etnikë mos jenë të interesuar sa duhet për shtetin ku jetojnë, edhe pse janë taksapagues të rregullt të tij. Një gjendje e këtillë nuk mund t’i bëjë asnjëherë të barabartë, pasi nuk ndjehen të tillë. Që të jesh i barabartë së pari duhet të ndjehesh si i tillë.
Autor: Xhelal Neziri
Maqedonia e Veriut arriti një sukses historik në futboll. Me fitoren ndaj kombëtares së Gjeorgjisë ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian në Futboll, i cili do të mbahet në qershor të vitit 2021 në 12 shtete evropiane. Maqedonia e Veriut dhe Kroacia janë dy shtetet e vetme nga Ballkani që siguruan vend në garën e madhe evropiane të futbollit. Greqia, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Sllovenia, Kosova dhe Shqipëria dështuan të plasohen.
Për herë të parë shumë shqiptarë etnikë në Maqedoninë e Veriut iu gëzuan kësaj fitoreje. Mbase më shumë nga shkaku se pesë lojtarë të reprezentacionit shtetëror si dhe kreu i Federatës së Futbollit ishin shqiptarë etnik. Por, në asnjë qytet me shumicë shqiptare nuk u festua ky sukses në rrugë me xhirot dhe boritë e makinave, si në qytetet me shumicë etnike maqedonase. Kryeministri Zoran Zaev bashkë me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi dolën dhe i pritën lojtarët me nderime për fitoren vendimtare. Por, mediat paraqitën të gëzuar dhe duke festuar vetëm Zaevin, por jo edhe Grubin.
Raporti i shumicës së shqiptarëve etnikë me shtetin e tyre më mirë mund të definohet nëpërmjet raportit me reprezentacionin e futbollit. Në diskursin publik rrallë mund të hetohet përdorimi i termit “kombëtare” (national team). Ky term i referohet kombit gjeografik-qytetar, ku bën pjesë çdonjëri që ka pasaportë dhe shtetësi të Maqedonisë së Veriut, pa marrë parasysh identitetin etnik të tyre.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një raport të padefinuar me shtetin ku jetojnë dhe paguajnë tatime. Ky kaos identitar reflektohet në jetën e tyre politike dhe në gjithë receptimin mbi tërësinë shtetërore, funksionimin institucional, por edhe krijimin dhe mbarështrimin e së ardhmes së tyre. Mungesa e një trajtimi teorik të raportit të shqiptarëve me shtetin konform qasjeve moderne identitare, ka mundësuar paraqitjen e shumë dualiteteve që lehtësisht shfrytëzohen nga politika ditore në llogari të fatit të tyre.
Ky raport i padefinuar, i cili i komplekson shqiptarët të identifikohen në tërësi me shtetin, ka rrënjët në historinë e vonshme politike. Lidhja intensive arsimore, kulturore, politike, por edhe familjare e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë së Veriut me ato të Kosovës, e bënin këtë hapësirë të ish-Jugosllavisë si një njësi të vetme territoriale. Në themelimin e LDK-së në vitin 1989 në mënyrë aktive kishin marrë pjesë edhe intelektualë e veprimtarë politikë nga Maqedonia e Veriut. Në kohën kur në horizont shihej shkatërrimi i Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja, më 1991 formohet Këshilli i Shqiptarëve të Jugosllavisë, i cili kishte për detyrë të përcaktonte kahet e lëvizjeve të mëtejshme shqiptare. Në këtë Këshill bënin pjesë LDK-ja e Kosovës, PPD-ja dhe PDP-ja e Maqedonisë së Veriut, forume intelektualësh, lidhje shkrimtarësh dhe parti të tjera të sapoformuara. Vendimi i parë i këtij këshilli ka qenë kërkimi i zgjidhjes së vetme për shqiptarët në federatën që shpërbëhej, që nënkuptonte krijimin e një shteti të ri mbi gjeografinë shqiptare të ish-Jugosllavisë.
Në të njëjtën kohë në Maqedoninë e Veriut bëheshin përpjekje për shpalljen e referendumit për pavarësi dhe për krijimin e një shteti të ri. Shqiptarët etnik e bojkotuan referendumin e shpallur për pavarësinë e këtij shteti pasi ishin të përjashtuar, mbase edhe të vetpërjashtuar nga procesi i shtetndërtimit. Të kthyer me kokën kah Kosova dhe të injoruar në shtetin e porsakrijuar, shqiptarët etnikë krijuan një raport refuzues ndaj Maqedonisë së Veriut.
Pas zgjedhjeve të para parlamentare në vitin 1994, PPD-ja bëhet pjesë e koalicionit dhe me këtë fillon integrimi i shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Kjo kthesë ishte rezultat i ndryshimit të orientimit të Këshillit të partive shqiptare, kur PPD-së dhe PDP-së iu tha troç që të shohin të ardhmen në shtetin e ri, të ndërtuar pa u kyçur në proces. Kështu u kishin sugjeruar miqtë ndërkombëtarë. Më 1998 në pushtet erdhi edhe PDSH e Arben Xhaferit dhe Menduh Thaçit, një parti që vlerësohej si nacionaliste përballë PPD-së së Abdurahman Alitit.
Konflikti i vitit 2001 përfundoi me një marrëveshje midis dy palëve, pra maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë, për ridizajnimin e një shteti të ri, ku të gjithë qytetarët do të kenë të drejta dhe obligime të njëjta. Përveç të drejtave të barabarta në arsim në të gjitha sferat, u nënshkrua edhe nevoja e ndryshimit të himnit dhe flamurit shtetëror, si rrumbullakim i krijimit të një shteti të ri, ndaj të cilit njësoj si maqedonasit do të tregonin atdhedashuri edhe shqiptarët etnikë.
Raporti i shqiptarëve etnikë me shtetin e Maqedonisë së Veriut duket i padefinuar që nga 1945-ta e deri më sot. Ky raport është i mbushur me hipokrizi politike, me lojalitet dhe dashuri ndaj pushtetit, por jo edhe ndaj shtetit. Partitë shqiptare e duan shtetin për sa kohë janë në pushtet. Ata nuk duan ta kuptojnë se shteti është një konstrukt, i ndërtuar për t’u shërbyer njerëzve. Etnitë, fetë apo rajonet janë si aksionerët e një firme të përbashkët.
Kjo politikë e bazuar në popullizëm dhe pikëpamje pa bazë teorike, ka rezultuar që edhe sot e kësaj dite shqiptarët etnikë mos jenë të interesuar sa duhet për shtetin ku jetojnë, edhe pse janë taksapagues të rregullt të tij. Një gjendje e këtillë nuk mund t’i bëjë asnjëherë të barabartë, pasi nuk ndjehen të tillë. Që të jesh i barabartë së pari duhet të ndjehesh si i tillë. Nuk mjafton vetëm pjesa normative. Asnjë ndryshim kushtetues nuk mund t’i bëjë shtetformues përderisa nuk kanë një raport me shtetin si një shtëpi e përbashkët, ku një nga katër dhomat e saj u takon atyre. Apo mbi 25% të “aksioneve”.