E martë, 10 Dhjetor, 2024

FUNDI I SHTIRJEVE PËR REFORMA DHE EVROPË

Vendet e Ballkanit Perëndimor e morën “diagnozën” dhe “ilaçin” nëpërmjet Raportit të Progresit të KE-së. Hapësira për të blerë kohë është ngushtuar në maksimum. Për dallim nga më parë, kur vendet kandidate shpesh janë shtirur kinse bëjnë reforma kurse Brukseli është shtirur kinse u beson, tash integrimi është futur në një fazë krejt tjetër.

Autor: Xhelal Neziri

Komisioni Evropian (KE) publikoi më 6 tetor Raportin e Progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, kandidatët e fundit për anëtarësim në Union. Dokumenti detekton qartë lëshimet, devijimet dhe reformat e nevojshme që secili shtet duhet t’i bëjë.

Por, vendet aspirante për integrim në Bashkimin Evropian (BE) përherë i kanë parë kriteret apo parakushtet si sakrificë që duhet bërë për të arritur qëllimin. Pra, jo si udhërrëfyes apo këshillim drejt suksesit të garantuar, por si një kafshatë e hidhur që duhet të kapërdihet me qëllim që të jenë pjesë e familjes së shteteve të pasura.

Pikërisht te kjo qasje aq praktike, e kyçjes në rrjedhën e fondeve evropiane dhe rrogave të larta, qëndron burimi i problemeve të zgjerimit të BE-së me vende të reja. Ndërkohë që shpesh harrohet se ky Union është formuar dhe do të ekzistojë përderisa të gjitha anëtarët e saj, jo vetëm që respektojnë, por edhe thellë besojnë në pesë vlerat themelore, si: liria, barazia, demokracia, të drejtat dhe dinjiteti njerëzor si dhe shteti ligjor.

Duke parë lëshimet që u evidentuan gjatë valëve të zgjerimit me shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe me vendet e Ballkanit, Brukseli gjithnjë e më shumë e shton vëmendjen në respektimin e njëmendtë të këtyre vlerave, nga të cilat dalin parakushtet bazë që e bëjnë një shtet të denjë për anëtarësim, të njohura si Kritere të Kopenhagës. Këto kritere kërkojnë institucione të vendeve aspirante që janë të afta të mbrojnë qeverisjen demokratike dhe të drejtat e njeriut, ekonominë funksionale të tregut dhe zbatimin e plotë të obligimeve të marra nga anëtarësimi në BE (si ligje, standarde dhe politika) që përbëjnë bazën ligjore të Unionit (the aqcuis).

Maqedonia e Veriut pret që në dhjetor të fillojë bisedimet anëtarësuese të cilat hapen me klasterin e parë, që midis tjerash përfshin shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, dhe mbyllen me të njëjtin klaster. Pra kjo temë do të jetë e hapur, nën vëzhgim dhe vlerësim të vazhdueshëm derisa të përfundojë procesi i bisedimeve, i cili zakonisht zgjat nga shtatë e deri në dhjetë vite. Në Raportin e Progresit mori vlerësime për përpjekjet që të vendoset shteti ligjor dhe për konstruktivitetin e opozitës, por me një gjuhë të kujdesshme mori disa kritika:

1. PARLAMENTI: Brukseli është i shqetësuar për miratimin e ligjeve apo ndryshimeve ligjore në Parlament, duke përdorur shpesh “shiritin e shpejtë” dhe duke anashkaluar kështu debatin publik mbi ato ligje. Në disa raste u ndryshuan ligje, me të cilat u bëhej favor biznesmenëve të lidhur me qeverinë, gjë që çon drejt forcimit të oligarkisë.

2. SEKTORI CIVIL: Raporti thotë se nuk është bërë sa duhet në zbatimin e Strategjisë dhe Planit Aksional 2018-2020 për bashkëpunim të Qeverisë me Sektorin e Shoqërisë Civile.

3. SHËRBIMET INTELIGJENTE: Brukseli kërkon të forcohet mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve inteligjente të vendit, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të mundshëm për nevojat e partive në pushtet, siç ishte rast në të kaluarën.

4. PUNËSIMET DHE AVANCIMET NË ADMINISTRATË: Thuhet se vendi është mesatarisht i përgatitur për reformat në administratë, ku theksohet nevoja për më shumë transparencë, merit sistem dhe mundësi të barabarta.

5. SISTEMI GJYQËSOR: Raporti jep vlerësime jo të mira edhe për sistemin gjyqësor, për të cilin thotë se “ka një nivel të përgatitjes/mesatarisht i përgatitur”. “Ende nevojiten përparime për të siguruar zbatimin sistematik të Planit të Veprimit të azhurnuar të Strategjisë së Reformës Gjyqësore. Institucionet gjyqësore po zbatojnë rregulla të reja për emërimin, ngritjen në detyrë, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe Këshilli Gjyqësor ka ushtruar rolin e tij në mënyrë më proaktive”, thuhet në Raport. Kërkohet edhe veprim konkret nga aktorët e sistemit gjyqësor me qëllim të rritjes së besimit të opinionit në këtë sistem.

6. KORRUPSIONI: Notë jo të mirë vendi ka marrë edhe për luftën kundër korrupsionit. Raporti thotë se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe duhet të sigurohet një qasje më proaktive nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

7. KONFISKIMI: Kritika ka edhe për mungesën e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar, sidomos në mungesën e rezultateve në drejtim të konfiskimit të pasurisë nga politikanët e biznesmenët e korruptuar. “Disa përparime u bënë në përmbushjen e rekomandimit të vitit të kaluar për të krijuar një zyrë për konfiskimin e aseteve në përputhje me acquis të BE-së. Zyra tani do të duhet të demonstrojë aftësinë e saj për të mbështetur një politikë proaktive të konfiskimit të pasurisë”. Raporti vlerëson se Shkupi duhet të bëjë më shumë për të përmirësuar efektivitetin e zbatimit të ligjit në luftimin e formave specifike të krimit, të tilla si pastrimi i parave dhe krimet financiare.

8. DISKRIMINIMI: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për arsye procedurale, ka shqetësuar KE-në pasi vlerëson se vendi aktualisht ka mungesë të një kornize ligjore gjithëpërfshirëse mbi mos-diskriminimin dhe një organ barazie. “Ky hendek serioz duhet të adresohet nga legjislatura e re”. Sipas raportit, është gjithashtu e rëndësishme për vendin të përmirësojë zbatimin e legjislacionit për gjuhën e urrejtjes dhe të planit kombëtar të veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit.

9. MEDIA: Në sferën e lirisë së mediave janë nënvizuar disa probleme. Raporti kërkon intensifikimin e p<span;>ërpjekjeve për vetë-rregullim që të mbështetet më fuqishëm përparimi në standardet profesionale dhe gazetarinë cilësore. Aty theksohet nevoja për një transparencë më të madhe gjatë reklamimit mediatik nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe ndërmarrjet publike. Poashtu, KE kërkon zgjidhje të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e transmetuesit të shërbimit publik, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare. “Qëndrueshmëria financiare e mediave të pavarura dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten një sfidë”.

Gjatë cikleve të kaluara të zgjerimit shpesh janë amnistuar shtetet kandidate për mospërmbushje të kritereve në sfera të caktuara, si dhe për mosrespektim të vlerave bazë. Është e njohur ajo shprehja se në atë kohë vendet kandidate shpesh janë shtirur kinse bëjnë reforma, kurse Brukseli është shtirur kinse u beson. Konteksti kohor dhe besimi se, pas anëtarësimit këto shtete do arrijnë të thithin vlerat evropiane, ka bërë që të mos shkaktohen vonesa. Por sot është një situatë krejt ndryshe, ku metodologjia e re që mundëson kthim prapë të procesit, i ka vënë pikë praktikës së shtirjeve të dyanshme.

Të fundit