E shtunë, 27 Korrik, 2024

EPILOGU I ZGJEDHJEVE NË SHBA DHE BALLKANI

Nëse në Serbi ka një lloj uniteti sa i përket kësaj faze të re në raportet me SHBA, Kosova duket se nuk arrin të gjejë konsensusin e nevojshëm politik për temat e mëdha në interes shtetëror. Nëse në vitin 2019, kur dialogu me Beogradin ndërmjetësohej nga BE, kërkohej përfshirja e SHBA-së, tash sikur po kërkohet e kundërta.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Askush nuk e ka menduar se do të vijë një ditë kur Kosova do të jetë një ndër elementet përcaktuese të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Më saktësisht, një temë e nxehtë e fushatës parazgjedhore në SHBA, të caktuara për në 3 nëntor të këtij viti, ku republikani Donald Trump po synon edhe një mandat katërvjeçar, i sfiduar nga demokrati Joe Biden. Kjo përplasje Trump-Biden ka prodhuar tërmete politike në Kosovë, shteti më i ri dhe njëherësh më pro-amerikan i Evropës.

KOSOVA NË ZGJEDHJET AMERIKANE

Që në shkurt të vitit 2017 Trump kishte paralajmëruar rikandidimin për president, duke u bërë kështu kandidati kryesor i Republikanëve. Një fushatë e fortë u zhvillua edhe në mesin e Demokratëve, ku kandidaturën e fitoi Joe Biden, ish-zv/presidenti i SHBA gjatë dy mandateve të Barack Obamës. Gara midis republikanëve dhe demokratëve u ashpërsua gjatë vitit 2019, sidomos pas kërkesës për impiçment nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nency Pelosi, për shkak të dyshimit se Trump kishte përdorur autorizimet presidenciale për të detyruar autoritetet e Ukrainës të fillojnë një hetim ndaj Joe Biden dhe djalit të tij Hunter për gjoja keqpërdorime në Ukrainë. Një fishkëllyes kishte bërë publike në një bisedë telefonike që Trump kishte realizuar me presidentin e Ukrainës, Vlladimir Zelenski, ku kishte kushtëzuar ndihmën amerikane me hetimin e keqpërdorimeve të supozuara të Hunter.

Qëllimi i tij thuhej të ishte përdorimi i këtij skandali për të mundur konkurrentin demokrat për president, Biden. Edhe pse kjo i ngjau aferës Watergate, ku më 1972 republikani Richard Nixon ishte dorëhequr pasi u zbulua se ka përgjuar shtabin e kundërkandidatit republikan gjatë tërë fushatës zgjedhore, megjithatë Trump mbeti i paprekur në Shtëpinë e Bardhë.
Por, atij vazhdonte t’i duheshin storje suksesi për të dhe skandale për kundërkandidatin Biden. E ndër këto storje ishte edhe Kosova, e cila do të nënshkruante një marrëveshje historike me Serbinë për të siguruar kështu një paqe dhe progres të qëndrueshëm në Ballkan. Koncepti “America first” (Amerika e para) që i solli fitoren para katër viteve tash po alternon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve historike në Botë për ta bërë atë më paqësore. Në këtë drejtim Trump kishte tre objektiva: normalizimin e marrëdhënieve midis Koresë së Veriut, e drejtuar nga diktatori komunist Kim Jong Un, dhe Koresë së Jugut, një vend me rregullim shtetëror demokratik, dy shtete armiqësore të dala nga një tërësi etnokulturore; normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe botës Arabe; dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje historike midis Kosovës dhe Serbisë.

MARRËVESHJA HISTORIKE E BALLKANIT

Por, normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, që do të çonte deri te njohja e ndërsjellë duket se shkonte përtej interesave elektorale të administratës së Trumpit. Doktrina e tij si president nënkupton një qasje ndryshe, më miqësore ndaj Serbisë, me të cilën deri në vitin 2016 ka pasur raporte të tensionuara.
SHBA në kuadër të NATO-s në vitin 1999 udhëhoqën një operacion ushtarak kundër rrëgjimit të diktatorit Sllobodan Millosheviq dhe kanë qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008. Diplomacia amerikane arriti të bindë më shumë se 100 shtete të botës të njohin pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë. Që nga viti 1999 SHBA kanë ndihmuar Kosovën me më shumë se 2 miliardë dollarë për konsolidimin si shtet. Politika e ashpër kundrejt Beogradit ndryshoi viteve të fundit, sidomos pas fitores të republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, kur Serbia u vu në listën e vendeve ku mund të shtrihet ndikimi i Perëndimit. Nga vitit 2011, – kur nisi dialogu Prishtinë-Beograd, dhe nga 2014-ta, – kur Serbia nisi negociatat e anëtarësimit me Bashkimit Evropian (BE), ndihmat amerikane për Serbinë janë rritur ndjeshëm. Mbi një miliardë dollarë ndihmë amerikane amerikane i është siguruar Serbisë për përmbushjen e parakushteve demokratike dhe zbatimit të reformave për anëtarësim në BE dhe për fuqizimin e marrëdhënieve me NATO-n.

Marrëveshja e arritur në Washington, e që parashikohet të finalizohet pas një viti me njohje të ndërsjellë, është si rezultat i përfshirjes më serioze të SHBA në dialogun Prishtinë-Beograd. Në korrik të vitit 2018, pas një takimi midis ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, dhe ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, u tha se edhe ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi do të ishte i pranueshëm nëse palët do të merreshin vesh për këtë. Bolton deklaronte se “as Kosova nuk mund të fitojë atë që dëshiron (njohje nga Serbia në kufijtë aktualë) e as Serbia (kthimin e Kosovës nën jurisdiksonin serb)”, ndërkohë presidentët e dy shteteve kishin intensifikuar takimet për të arritur një marrëveshje historike.

Dialogu nën patronazhin e BE-së kishte prodhuar disa marrëveshje, pjesa më e madhe e të cilave nuk ishin zbatuar. Moszbatimi i Marrëveshjes për unionin e komunave serbe, – e nënshkruar në vitin 2015 midis kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, – kishte imponuar që palët të gjejnë “ide më kreative” për tejkalimin e konfliktit. Duke parë mungesën e rezultateve të dialogut të drejtuar nga BE-ja, në vitin 2018 kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj kishte kërkuar një përfshirje më serioze të SHBA-ve në proces.

Kjo përfshirje kishte ndodhur menjëherë dhe për një kohë të shkurtër, nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë në dialog Richard Grenell, Kosova dhe Serbia në fillim të vitit nënshkruan tre marrëveshje për ringjalljen e komunikacionit ajror, tokësor dhe hekurudhor midis dy vendeve. Përfshirja e Washingtonit në këtë proces, ndërkohë, krijoi shumë dilema në Prishtinë, edhe pse nga autoritetet kosovaren ishte kërkuar një protagonizëm i këtillë. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili në shkurt u inaugurua si kryeministër i katërt i Kosovës, akuzoi Grenellin se shpejton drejt marrëveshjes Prishtinë-Beograd duke imponuar shkëmbimin e territoreve. Ai madje refuzoi ftesën në Washington, ku në fillim të vitit pritej të mbahet një takim i formatit të njëjtë si sot. Kur në qershor u shkarkua nga Parlamenti, Kurti sërish akuzoi administratën Trump dhe Grenellin se po rrëzohet nga pushteti që në Washington të mblidhen krerët e dy shteteve të dialogojnë “me thika mbi harta”.

ASOCIACIONI NË VEND TË “KORRIGJIMIT”

Takimi i shumëpritur i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Washington, SHBA, më 4 shtator përfundoi me një marrëveshje jashtë kornizave të interesave të dy shteteve, siç zakonisht duken marrëveshjet dypalëshe. Përveç që parasheh një hap historik në thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve ballkanike që për më shumë se dy dekada gjenden në situatë të një lufte të ngrirë, kjo marrëveshje ngërthen në vete edhe interesa që ndërlidhen drejtpërdrejt me shtrirjen e ndikimit amerikan në Serbi dhe me interesin e Izraelit për paqe me shtetet me shumicë myslimane.

Por, kjo marrëveshje duket se e ka hequr përkohësisht nga tavolina skenarin e “korrigjimit të kufijve”, që nënkuptonte shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Nga ky skenar frikësohej Kurti dhe fqinjët e Kosovës, sidomos Maqedonia e Veriut, pasi ky shkëmbim thuhej të ishte planifikuar të bëhej mbi baza të kompaktësisë etnike të atyre territoreve. Pra Veriu i Kosovës me shumicë etnike serbe t’i bashkohej Serbisë, kurse një pjesë e Luginës së Preshevës (Jugut të Serbisë) me shumicë etnike shqiptare t’i bashkohej Kosovës. Në vend të “korrigjimit”, është ringjallur projekti i “Asociacionit”, i marrëveshur në Bruksel pesë vite më parë por i pazbatuar në praktikë.

Marrëveshja ka 16 pika, e nënshkruar nga dy shtetet veç e veç me SHBA, ku madje 5 pika nuk kanë të bëjnë me kontestin ndërshtetëror. Katër pikat e para kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve paraprake për përshpejtimin e komunikacionit tokësor dhe hekurudhor, me lehtësimin e qarkullimit në pikën kufitare në Merdare. Në këtë drejtim SHBA zotohet se do të ndihmojë kompanitë e vogla dhe të mesme në të dyja vendet dhe do të nxisë projekte tjera.
Pika e pestë ka të bëjë me përfshirjen e Kosovës në projektin “Mini-Shengeni Ballkanik”, ku tani më janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, një projekt që e kishte refuzuar Kosova më parë.

Pika e gjashtë obligon palët të njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëri-tjetrit, kurse pika e shtatë obligon dy shtetet të punojnë ngushtë me Departamentin e Energjisë së SHBA-ve dhe me institucionet tjera energjetike amerikane për përpilimin e një studimi fizibiliti për ndarjen Liqenit të Ujmanit, si rezervuar i ujit dhe si pikë strategjike energjetike. Ky liqen shtrihet përgjatë kufirit, 20 për qind e të cilit është pjesë e Serbisë. Pika e 12-të obligon palët të gjejnë të zhdukurit e luftës së vitit 1999, nga të cilat pjesa më e madhe janë shqiptarë nga Kosova, ndërkohë që pika e 15 parasheh një moratorium njëvjeçar për Kosovën në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia obligohet që për një vit të mos kërkojë çnjohje ose të bllokojë njohjet e reja ndaj Kosovës si shtet.

Pika e 8-të thotë se obligon palët të diversifikojnë furnizimet me energji, gjë që më shumë i referohet Serbisë, ku Gazpromi dhe Lukoili i Rusisë është lojtari kryesor në tregun me gaz dhe derivate të naftës. Në këtë mënyrë SHBA e tërheq Serbinë nga varësia e madhe energjetike ruse me qëllim që të zvogëlojë hapësirën për interferim dhe ndikim të shtuar të Moskës në politikën e brendshme të këtij shteti.

Pika e 9-të i obligon dy shtetet të mos pranojnë kompani telekomunikimi jo të besueshme që të ndërtojnë rrjetet 5G, kurse aty ku një veçmë është ndërtuar ky rrjet palët do të angazhohen për heqjen e tyre. Me këtë SHBA tenton ta tërheqë Serbinë nga zona e ndikimit kinez, kurse Kosova nuk përbën asnjë problem në këtë kontekst për shkak të ndikimit të zbehtë të Kinës në këtë shtet. Nëpërmjet ndihmave dhe kredive prej disa miliardë dollarësh, Kina ka arritur ta joshë Serbinë që të marrë përsipër të ndërtojë rrjetin 5G në këtë vend. Kjo ka ndezur alarmin në SHBA, me ç’rast javë më parë sekretari i shtetit amerikan Mike Pompeo alarmoi Serbinë dhe shtetet e Evropës Qendrore të hiqen nga këto projekte telekomunikuese të realizuara nga Kina për shkak se do t’i mundësonin shtetit komunist të survejojë gjithçka.

Pika e 10-të e obligon Serbinë dhe Kosovën të shkëmbejnë informacione për udhëtarët dhe të jenë pjesë e kornizës së gjerë të SHBA-ve në Ballkan të shkëmbimit të informacionit për veprimtari jolegale duke zbatuar sisteme amerikane të skriningut. Edhe kjo më tepër i referohet Serbisë, duke e futur këtë shtet në sistemin amerikan të shkëmbimit të informacionit në Ballkan.

Pika e 13-të obligon palët të punojnë në dekriminalizimin homoseksualizmin në 69 shtete, e 14-ta i obligon që ta shpallin si terroriste organizatën Hezbollah, e mbështetur nga Irani, kurse e 16-ta vetëm njofton për një marrëveshje midis Izraelit dhe Kosovës për njohje të ndërsjellë. Pikërisht pika e fundit duket se është në vijën e administratës Trump për të ndërtuar paqe midis Izraelit dhe vendeve myslimane dhe shihet si vazhdim e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Një ditë tjetër e shkëlqyer për paqen me Lindjen e Mesme – Izraeli dhe Kosova me shumicë myslimane kanë rënë dakord të normalizojnë lidhjet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike. Ju lumtë! Më shumë kombe islamike dhe arabe do të ndjekin këtë hap së shpejti!”, shkroi në Twitter presidenti Trump, duke ngjallur huti në opinion për kontekstualizimin e Kosovës në mospajtimet në Lindjen e Mesme.

TRUMP SI PAQENDËRTUES

Përveç imazhit të një “deal maker”, Trump është duke tentuar të ndërtojë imazhin e një paqebërësi botëror, të paparë deri më tani te presidentët e deritashëm. Marrëveshja e Washingtonit i jep përparësi në arritjen e këtij qëllimi, gjithsesi. Zbatimi i saj do t’i sillte një pozitë më të mirë për të fituar zgjedhjet, edhe pse deri më tani në gati të gjitha anketat në epërsi është Biden.

Deputeti i Parlamentit Suedez, Magnus Jacobsson, njoftoi më 11 shtator se ka nominuar Trumpin dhe administratën e tij, së bashku me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, për Çmimin Nobel për ndërmjetësimin e një marrëveshje paqeje midis dy kombeve evropiane. “Unë kam nominuar Qeverinë e SHBA dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tyre të përbashkët për paqen dhe zhvillimin ekonomik, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi Jacobsson në Twitter krahas letrës së tij drejtuar Komitetit Nobel. “Tregtia dhe komunikimet janë blloqe të rëndësishme ndërtimi për paqen”, shtoi ai.

I dërguari i presidentit Trump, Richard Grenell, vetëm tre javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Washington i vizitoi Prishtinën dhe Beogradin duke i bindur palët se Shtëpia e Bardhë mbetet fuqishëm e angazhuar për zbatimin e saj. Investimet e paralajmëruara amerikane në kuadër të Marrëveshjes janë pritur mirë në të dyja vendet. Presidenti serb madje i ka organizuar një pritje më të ngrohtë Grenellit, duke u argëtuar bashe nën tingujt e muzikës amerikane. Ky i fundit i ka paralajmëruar Vuçiqit një vizitë të Trumpit në Beograd. Një dimension i ri i marrëdhënieve të SHBA-ve me Serbinë, gjithsesi.

Nëse në Serbi ka një lloj uniteti sa i përket kësaj faze të re në raportet me SHBA, Kosova duket se nuk arrin të gjejë konsensusin e nevojshëm politik për temat e mëdha në interes shtetëror. Nëse në vitin 2019, kur dialogu me Beogradin ndërmjetësohej nga BE, kërkohej përfshirja e SHBA-së, tash sikur po kërkohet e kundërta.
Edhe Serbia edhe Kosova janë në mes të mosmarrëveshjeve Washington-Bruksel kur bëhet fjalë për Ballkanin dhe jo vetëm. Zbatimi i hovshëm i Marrëveshjes së Washingtonit ka ngjallur shqetësime në BE, duke u frikësuar se ky proces mund të prodhojë defekte që do të ishin rëndë të riparueshme.

Zgjedhjet e nëntorit në SHBA do të përcaktojnë edhe dinamikën e zbatimit të projekteve amerikane në Ballkan. Fitorja eventuale e Bidenit, megjithatë, nuk do të ndryshojë shumë përmbajtjen e atyre projekteve për shkak të vazhdimësisë së politikës së jashtme amerikane. Aq më tepër kur Marrëveshja e Washingtonit shënon një arritje të madhe për SHBA-në: nxjerr Serbinë nga ndikimi i Moskës, përmes zvogëlimit të varësisë nga energjia ruse, dhe nga i Pekinit, duke pamundësuar kompanitë kineze të vazhdojnë ndërtimin e rrjeteve 5G në këtë vend.

Teksti fillimisht është botuar në Revistën Shenja

 

Të fundit