E hënë, 9 Shtator, 2024

Marrëveshja e ri-angazhimit

Për më tepër, kjo marrëveshje përfaqëson një ri-angazhim të SHBA-së në procesin e bisedimeve Kosovë- Serbi për të gjetur një zgjidhje përfundimtare, që e nënkupton njohjen reciproke. Marrëveshja duket e matur dhe e mirëmenduar në kontekst të konstantave të përhershme të angazhimit të SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës. Shumë analistë e kanë parë marrëveshjen edhe në kontekst të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, të cilat pritet të mbahen në nëntor. Në sfond të marrëveshjes vërehet edhe një angazhim gjeostrategjik i shkëputjes së ndikimit rus dhe kinez në rajon.

 

Autor: Bardhyl ZAIMI

 

SHBA-ja me kohë kishte paralajmëruar një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Pas prolongimit të parë, tashmë kemi një marrëveshje të nënshkruar në Uashington, nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Nuk kanë munguar, ndërkohë, interpretimet e ndryshme mbi këtë marrëveshje, të cilat shkojnë nga një ekstrem në tjetrin, ndërsa një pjesë e opinionit dhe e partive politike e vlerësojnë si tërësisht të dëmshme, ndërkohë që një pjesë e vlerëson si historike për fatin e Kosovës.

Derisa janë krijuar dy narracione në hapësirën publike të Kosovës, njëra që e kundërshton si të dëmshme këtë marrëveshje dhe tjera si një marrëveshje që e rikthen partneritetin me SHBA-të si një aleancë strategjike për shqiptarët e Kosovës, në hapësirën publike po shfaqen polarizime politike, të cilat kërkojnë legjitimitetin e tyre në konstelacionet e jetës politike në Kosovë.

Në një situatë të këtillë duket se mungon një interpretim më objektiv i kësaj marrëveshjeje, e cila, pa diskutim, si momentum e ka edhe fushatën për zgjedhjet presidenciale në SHBA, të cilat pritet të mbahen në nëntor. Mbase, në disa pika kjo marrëveshje merr edhe tonalitete që ndërlidhen me fushatën, por në esencë përfaqëson një qëndrim konstant të SHBA-ve në raport me bisedimet Kosovë-Serbi pa paragjykuar një zgjidhje përfundimtare, që nënkupton realisht njohjen reciproke, e cila ishte paralajmëruar, por nuk ndodhi.

E vëmendshme pikërisht në këtë konstantë angazhimi të përhershëm, që nënkupton pavarësinë e Kosovës, SHBA-ja, gjegjësisht administrata e Trump-it, më tepër e ka përqendruar marrëveshjen në dimensionin ekonomik, duke dhënë zgjidhje të matura, të cilat e ruajnë angazhimin e përhershëm për pavarësi dhe në të njëjtën kohë hapin një horizont të ri bashkëpunimesh ekonomike, përmes të cilit synohet që të arrihet deri te një zgjidhje finale.

Kjo marrëveshje në asnjë rast nuk e cenon angazhimin e SHBA-ve mbi faktin që Kosova është një shtet i pavarur i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore, ndërkohë që po me këtë marrëveshje u mundësua një njohje tjetër po aq e fuqishme për Kosovën, siç është njohja nga Izraeli. Pikërisht, vetë fakti që kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq janë ulur bashkërisht përpara Trump-it si përfaqësues të dy shteteve të pavarura, tregon se Kosova tashmë edhe në bisedimet në patronazhin amerikan, por edhe në bisedimet në Bruksel, ulet si subjekt i mëvetësishëm shtetëror në arenën ndërkombëtare.

Problematike shfaqet hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në kohën kur numri më i madh e shteteve të BE-së kanë refuzuar që t’i zhvendosin ambasadat e tyre në këtë qytet pas njohjes nga administrata e Trump-it për kryeqytet të Izraelit. Sigurisht që këto janë konstelacione të mëdha, të cilat për një shtet të ri, siç është Kosova, shfaqen si problem, por në të njëjtën kohë me një lloj mirëkuptimi ndërkombëtar për shkak të rrugëtimit deri në pavarësi dhe njohjes së plotë ndërkombëtare.

Në esencë, kjo marrëveshje mbetet jashtë narracioneve kundërvënëse të ngritura në Kosovë, ndërkohë që nëpërmjet përfshirjes së idesë së Mini-Shengenit minimalisht kërkohet një bashkëpunim rajonal në funksion të integrimeve europiane, pavarësisht interpretimeve të forta ndaj kësaj ideje. Është theksuar tashmë që ideja e Mini-Shengenit gjithnjë duhet të kuptohet në rrafshin e integrimeve europiane, gjegjësisht në rrafshin e angazhimeve nga Procesi i Berlinit, i diktuar fillimisht nga Gjermania dhe më pas nga BE. Sigurisht, iu mbetet vetë institucioneve të Kosovës që ta shohin në një dritë të re këtë proces dhe të krijojnë politikat e përfshirjes si një shtet i pavarur, që kërkon një korrelacion bashkëpunimi rajonal gjithnjë në frymën e Procesit të Berlinit dhe integrimeve europiane.

Maturia në këtë proces nuk e nënkupton refuzimin, por përkundrazi e nënkupton bashkëpunimin e mirëmenduar, që vjen si strategji politikash shtetërore. Në akordin e procesit të integrimeve asnjë shtet nuk e ka komoditetin që t’i refuzojë bashkëpunimet, sigurisht gjithnjë duke shpaluar vizionin e tij në këtë bashkëpunim dhe duke marrë pjesë në vendosjen e principeve të funksionimit të kësaj ideje, që janë në përputhje me kontestimet që vijnë nga pozicionimi edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo marrëveshje, për më tepër, nëpërmjet bllokimit të 5G dhe paletës së investimeve në të dyja vendet, në veçanti në Serbi, duket se mund të kuptohet edhe si një angazhim i SHBA-ve për të shkëputur dhe shmangur ndikimin rus dhe kinez në këtë shtet. Në këto pika, duket se angazhimi i SHBA-ve mbetet strategjik për rajonin, ndërkohë që kërkojnë një prani shumë më të madhe të tyre dhe ndërkohë që përpiqen sa më tepër t’i minimizojnë ndikimet e tjera në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu mbetet shumë e rëndësishme që kjo marrëveshje ka përjashtuar çdo zgjidhje për shkëmbim territoresh dhe duket se kjo ide tashmë i takon së kaluarës, pavarësisht nga mënyra se si u plasua në opinion dhe pavarësisht nëse ka pasur një tentativë të tillë ose jo. Gjithashtu mbetet me rëndësi që Kosova në arenën ndërkombëtare po ulet si subjekt i mëvetësishëm shtetëror dhe kjo shkon përtej polarizimeve partiake brenda në Kosovë, ndërkohë që çdo zgjidhje finale tashmë e nënkupton tërësinë territoriale dhe subjektivitetin e plotfuqishëm ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Pa diskutim që procesi i zgjidhjes finale, që nënkupton njohjen reciproke, do të zgjasë dhe kërkon një impenjim të mirëmenduar të aktorëve politikë dhe institucionalë të Kosovës. Kërkon një strategji të formësuar mirë, që është në korrelacion me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe në korrelacion me angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare. Nëse Kosova ka një strategji të mirëmenduar politike, institucionale dhe diplomatike. në asnjë rast nuk duhet t’i frikësohet dialogut. Kjo gjithsesi kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë, duke krijuar një konsensus shtetëror dhe institucional mbi parimet bazë të bisedimeve që ndërlidhen me vullnetin dhe vizionin e popullit të Kosovës.

Tim Judah, një analist për çështjet  e Ballkanit, në një prononcim të tij thotë se: “Unë besoj se është një marrëveshje jo befasuese e kështu Kosova dhe Serbia nuk kanë fituar ndonjë gjë sikurse Kosova dhe Serbia nuk kanë humbur diçka në të gjithë këtë”. Ai, gjithashtu, theksoi se tani kemi të bëjmë me një ri-angazhim për të normalizuar marrëdhëniet, gjë të cilën e kemi dëgjuar shumë herë në të shkuarën. Në fakt, shumë çështje nga kjo marrëveshje janë biseduar edhe në të kaluarën, ndërkohë që me këtë marrëveshje duket se më tepër po vihet në dukje riangazhimi i SHBA-ve në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Duket paradoksale, por definimi i analistit Judah duket më i përafërt për këtë marrëveshje.

Derisa po vazhdojnë bisedimet në Bruksel, Kosovës i duhet patjetër të krijojë një strategji gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Në këtë strategji do të duhet të përfshihen jo vetëm aktorët politikë, por edhe përfaqësues tjerë që vijnë nga sferat e pavarura, nga shoqëria civile, ekspertë etj. Kjo do të krijonte një konsensus të gjerë shoqëror dhe në të njëjtën kohë një vizion më të qëndrueshëm rreth bisedimeve dhe, përgjithësisht, në funksionimin e Kosovës si subjekt i pavarur shtetëror në arenën ndërkombëtare.

 

Teksti fillimisht është botuar në Revistën Shenja

Të fundit