Shpresa e vetme është te vetëdijesimi i qytetarëve, pronarëve të lokaleve dhe i bizneseve tjera me klientë se mbrojtja nga virusi korona nënkupton respektim pa lajthitje të masave që i propozon Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse. Kërkohet një kulturë evropiane, e cila do të thotë respektim të institucioneve kompetente dhe të masave që i rekomandojnë, pa marrë parasysh çakordimin dhe përgjumjen e ekzekutivit dhe institucioneve tjera ligjzbatuese.
Autor: Xhelal Neziri
Para zgjedhjeve të 15 korrikut, kur nga janari me proceset në vend menaxhonte e ashtuquajtura “Qeveria e Përzhinës” që ngërthente edhe VMRO-DPMNE-në, lideri i LSDM-së Zoran Zaev ishte më i zëshëm në kërkimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndaj rezervave se zgjedhjet në kohë pandemie sjellin rrezik për shëndetin publik, Zaev deklaronte se vetëm një qeveri e re dhe legjitime do të ishte efikase në menaxhimin e kësaj krize. Përmendej bllokimi i Parlamentit, mosfunksionimi i institucioneve shkaku i partizimeve në prag të zgjedhjeve dhe mosreagimi i policisë ndaj manifestimeve fetare e sportive që nuk respektonin masat. E të gjitha këto thyerje masash që përhapnin virusin iu adresoheshin ministrit të atëhershëm të policisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Naqe Çulev.
Gati tre muaj nga formimi i Qeverisë dhe Parlamentit, përveç se ka një produktivitet të ulët të punës së tyre, edhe menaxhimi me krizën e shkaktuar nga virusi korona nuk është më efikas sesa atë që shihnim në kohën e ministrit të VMRO-DPMNE-së. Parlamenti për tre muaj vetëm dy projekte ligjore ka miratuar, ndërkohë që të gjithë kohën e ka shpenzuar në emërime ministrash, zëvendësministrash, drejtuesish të komisioneve parlamentare apo për “rehatime” tjera të figurave problematike të partive në pushtet.
E për shkakun pse aq shpejtë u shkua në zgjedhje të parakohshme, pra menaxhimi i mirë i koronakrizës, tash as që debatohet. Mediat pro-qeveritare që ishin aq të zhurmshëm kundër ministrit Çulev tash nuk i shohin mirë dështimet e ministrit aktual të MPB-së, Oliver Spasovski, të cilit para syve i organizohen party, dasma e grumbullime tjera që kanë çuar në maksimum numrin e të infektuarve. Maskat u haruan shkaku se policia nuk ka shqiptuar gjoba për të gjithë ata që nuk mbajnë në vendet publike.
Inspektorateve të ministrive të ndryshme, që janë të obliguar të sigurojnë zbatimin e masave parandaluese, u ndodh një anarki totale nëpër restorante prej ku burojnë tufat e fundit e të infektuarve, por si gjatë qeverisë së Përzhinës edhe tash gjejnë arsyetime të ndryshme. Por, në këtë rast nuk hapet tema e mundësisë së korruptimit të këtyre institucioneve nga lokale të ndryshme afariste, të cilat kanë edhe mbrojtje partiake.
Në tërë këtë kaos me menaxhimin e koronakrizës, ku Maqedonia e Veriut është e 10-ta në Evropë dhe e para në Ballkan për numrin e vdekjeve nga ky virus në 100 mijë banorë, Qeveria sot doli me masa të reja, të propozuara që Komisioni për Sëmundjet Infektive:
- Ndalimi i tubimeve më të mëdha familjare, festave dhe ahengjeve në shtëpi. Grupimi në shtëpi, festime, mbledhje të tjera në grupe në një banesë mund të jenë maksimumi katër persona nga një familje e tërë dhe maksimum katër të tjerë nga jashtë. Analizat tregojnë se shumë prej të sapo infektuarve janë nga festimet familjare.
- Është e ndaluar të grupohen në hapësirë publike më shumë se 4 persona pas orës 22:00. Ndalimi i mbledhjes në parqe, pika karburanti, etj.
- Mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse ose e pajisjeve të tjera mbrojtëse futet kudo gjatë qëndrimit jashtë, brenda në çdo ndërtesë publike, në transportin publik dhe privat. Përjashtim nga kjo janë sportet, transporti në një automjet privat nëse të gjithë janë anëtarë të së njëjtës familje, qëndrimi në zyra nëse personi është vetëm. Fëmijët deri në 6 vjeç bëjnë përjashtim në mbajtjen e maskave.
Ka pak bazë që të besohet se kësaj radhe Qeveria e re, legjitime e legale, me këto institucione të përgjumura do të ketë kapacitet të menaxhojë situatën. Andaj, shpresa e vetme është te vetëdijesimi i qytetarëve, pronarëve të lokaleve dhe i bizneseve tjera me klientë se mbrojtja nga virusi korona nënkupton respektim pa lajthitje të masave që i propozon Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse. Kërkohet një kulturë evropiane, e cila do të thotë respektim të institucioneve kompetente dhe të masave që i rekomandojnë, pa marrë parasysh çakordimin dhe përgjumjen e ekzekutivit dhe institucioneve tjera ligjzbatuese.