Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të kalojë disa ditë në një spital ushtarak jashtë Uashingtonit.
Trump dhe Zonja e Parë, Melania, u diagnostikuan të premten me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
“Presidenti Trump mbetet me disponim të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka punuar gjatë gjithë ditës”, tha përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.
“Nga kujdesi dhe me rekomandimin e mjekut të tij dhe të ekspertëve mjekësorë, presidenti do të punojë nga zyrat presidenciale në [spitalin] Walter Reed, gjatë ditëve të ardhshme”, tha ajo.
Nga pamjet e drejtpërdrejta televizive, Trump u pa duke hyrë në këmbë në helikopterin e tij Marine One.
Qendra Mjekësore Ushtarake Walter Reed ndodhet në Merillend, afër Uashingtonit.
Djali Eric Trump tha se presidenti “është një luftëtar i vërtetë”.
“Ai do ta luftojë këtë me të njëjtën forcë dhe bindje që përdor për të luftuar për Amerikën çdo ditë”, shkroi Eric Trump në Twitter.
Më herët, mjeku i presidentit, Sean Conley, tha se Trump “është i lodhur” dhe “si masë paraprake” mori një dozë të një trajtimi eksperimental, që përfshin antitrupa sintetikë kundër patogjenit”.
Conley tha se Zonja e Parë “është mirë, me vetëm një kollë të butë dhe dhimbje koke”, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes Trump janë mirë dhe “kanë dalë negativë në testet për koronavirus”.
Një ekip mjekësh po punon për rekomandimet “në lidhje me hapat e ardhshëm”, tha Conley.
Shefi i stafit të Trumpit, Mark Meadows, konfirmoi se presdenti ka simptoma të sëmundjes, por nuk dha detaje se cilat janë ato.
Lajmi se COVID-19 ka arritur në zyrën më të lartë të Shteteve të Bashkuara bëri që fushata e Trumpit për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, të njoftojë se ngjarjet që përfshijnë presidentin të shndërrohen në ngjarje virtuale të shtyhen përkohësisht.
Trump, i cili e ka minimizuar kërcënimin e pandemisë së koronavirusit dhe rrallë ka veshur maskë, mori mesazhe nga politikanë të tjerë amerikanë dhe udhëheqës botërorë që i uronin atij dhe gruas së tij shërim të shpejtë.
Sipas disave, sjelljet e tij, përfshirë rezistencën ndaj mbajtjes së maskës dhe pjesëmarrjen në tubime ku njerëzit nuk praktikonin distancën fizike, e kanë vënë atë në rrezik.
“Ne të gjithë e morëm atë lajm me shumë trishtim”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), një person zakonisht zhvillon simptoma pesë ditë pasi është infektuar me koronavirus, por simptomat mund të shfaqen edhe pas dy ditësh apo edhe 14 ditësh.
Njoftimi se Trump është infektuar me virusin erdhi vetëm disa orë pasi Hope Hicks, këshilltare e presidentit, doli pozitive me koronavirus.
Hicks udhëtoi me presidentin në avionin Air Force One për debatin e parë presidencial, në Kllivllend, më 29 shtator, dhe me helikopterin e presidentit Marine One, për një tubim në Minesota, më 30 shtator.
Në muajt e fundit, disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë pozitivë me koronavirus, përfshirë Katie Millerin, sekretaren e shtypit të nënpresidentit Mike Pence, dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.
Trump është 74 vjeç dhe kjo e vë atë në rrezik më të lartë nga komplikimet serioze që mund të sjellë koronavirusi.