Wesley Clark, ish-komandant i forcave të NATO-s për Evropë në kohën e konflikt të armatosur në ish-Jugosllavi ka deklaruar se, nëqoftëse zbatohet marrëveshja e paradokohshme për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kjo ka për të qenë jashtëzakonisht e e levërdishme për ekonomitë e të dyja vendeve dhe gjithë Ballkanin Perendimor, përcjell KDP.
Mirëpo, ai ka tërhequr vërejtjen se kjo mund të arrihet vetëm me uljen e ndikimit të Kinës dhe Rusisë në rajon.
Për dallim nga zyrtarë amerikanë e evropianë, por edhe liderët e rajonit të cilët kanë ngritur lartë marrëveshjen e paradokohshme Kosovë-Serbi, të arritur me ndërmjetësimin e administratës së Presidentit amerikan, Donald Trump, gjenerali në pension Wesley Clark, është goxha i matur në vlerësimin e së njëjtës: ‘Konsideroj se çdo mundësi për negociata, veçmas nën kujdestarinë e Shteteve të Bashkuara, është hap pozitiv, ashtu sikundër është rrethanë e volitshme edhe çdo mundësi për ndërmarrjen e masave me qëllim të zhvillimit ekonomik. Mirëpo, fjala është për një proces që po zgjat rreth dy dekada dhe në të njëjtën kohë është i ngarkuar me një mori vështirësish të cilat vazhdojnë të jenë larg zgjidhjes,’ ka deklaruar Wesley Clark tpër seksionin serb të Zërit të Amerikës.
Ai ka shtuar se ndihma për zhvillimin ekonomik të Serbisë dhe Kosovës është e mirëseardhur, por se është me rëndësi që investimet e huaja kapitale të harmonizohen me interesat e tyre të sigurisë, për shkak se, thotë ai, investimet e mëdha, të jashtme, herë-herë bartin me vete edhe ato që Clark i quan ‘xhepa politik’: ‘Çdo vend duhet të jetë i kujdesshëm kur është fjala për pranimin e pronësisë së huaj mbi pronën e tij. Kur është fjala për investitorin e huaj që ofron mjete në përputhje me rregullat e zakonshme të veprimtarisë afariste, kjo është në rregull, por e përcjell me shumë kujdes kurbën e investimeve të huaja që vijnë në Serbi nga Rusia, Kina dhe disa vende të tjera. I përcjell edhe pasojat politike të këtyre investimeve. Besoj se qeveria e Kosovës duhet të mbajë llogari për këtë edhe në politikën e saj,’ tërheq vërejten gjenerali në pension, Wesley Clark.
I pyetur se si e shikon qasjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shpeshherë të quajtur ‘ politikë e mbështetjes mbi katër shtylla’ që nënkupton, Uashingtonin, Brukselin dhe Moskën, ish-komandanti forcave të NATO-s në Evropë, jep këtë përgjigje: ‘Për Serbinë mbase kjo është e arritshme vetëm nëqoftëse presidenti Vuçiq, mund të kontrollojë përmes shërbimeve të inteligjencës ndikimin e investuesve të huaj, mirëpo mendoj se kjo është ‘lojë në një teposhtëzë tepër rrëshqitëse’: Kur Rusia dhe Kina investojnë, ata pëër kompensim presin ndonjë koncesion të caktuar politik. Një qasje e këtillë është problematike edhe nga pikëpamja e Bashkimit Evropian,’- thotë Wesley Clarkduke vlerësuar se pengesë e veçantë për përparimin më të shpejt të rajonit është pikërisht orvatja e Kremlinit që Ballkanin Perendimor ta shndërrojë në tërësi në sferë të interesit rus, një politikë kjo e Moskës që nga fillimi i konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavi, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Ja përvoja e tij nga bisedimet me gjeneralët rusë në kohën e bisedimeve të paqes për Bosnjë e Hercegovinën, më 1995: ‘Si anëtar i ekipit negociator të Richard Holbrukut në bisedimet e paqes në Dejton, qëndrova në Moskë me delegacionin e zëvendës-sekretarit të atëhershëm amerikan të shtetit, Stroub Talbot. Desha të shfrytëzoj rastin për të vizituar gjeneralët rusë me të cilët kisha zhvilluar biseda një vit më herët. Mirëpo, më pritën me fjalët: ‘Ore, po vjen në pjesën tone të Evropës’. Për ta, Ballkani Perendimor është sferë ruse e interesit, të cilën ata duan ta kthejnë dhe ta kontrollojnë. Dhe, kur njëherë ta marrin kontrollin, të tjerëve ua shkurtojnë prerogativat e lirisë. Ne amerikanët nuk besojmë në sfera të interesave: Qasja jonë është që çdo popull duhet të punojë për interesin e tij më të mirë dhe vendet të bashkëpunojnë për kërkimin e interesave të përbashkëta, kurrsesi të kërkojnë sfera të interesave,’ tha për Zërin e Amerikës Wesley Clark duke përfunduar se pikërisht ky është dallimi kryesor mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.