E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Probleme të shumta teknike para nisjes së vitit shkollor në Maqedoninë e Veriut

Dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor në Maqedoninë e Veriut, nxënësit dhe mësimdhënësit po përballen me probleme të shumta teknike sa i përket funksionimit platformës kombëtare për mësim online. Të hënën dhe të martën, shumica e mbi 88 mijë nxënësve sa janë regjistruar aktualisht për mësimin, që duhet të nisë më 1 tetor, nuk kanë mundur të kyçen në platformën unike të përgatitur nga Ministria e Arsimit.

“Në dy javët e para me siguri se mësimdhënësit do të hasin në probleme sikur edhe nxënësit, sistemi mund të bie, por ne duhet t’i japim mbështetje këtij procesi. Për herë të parë kemi një situatë të tillë. Është e vërtetë se ka probleme, por po mundohemi të gjejmë zgjidhje. Në ato shkolla ku ka kushte, kemi mundësuar mësim me prani fizike, të tjerat do të vazhdojmë mësimin nga distanca”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Milla Carovska.

Në rreth 540 shkolla fillore, nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, mësimin do ta ndjekin në shkolla, ndërsa të gjithë të tjerët mësimin do ta ndjekin nga distanca. Mësim online do të zhvillohet edhe në të gjitha shkolla e mesme. Leje për mësim me prani fizike kanë marrë 160 shkolla dhe 147 prej tyre janë në zonat rajonale, pra atje ku ka shumë pak nxënës dhe ku numri i të infektuarve me koronavirusin e ri është i ulët. Leje kanë marrë edhe shkollat me nxënës me aftësi të kufizuara si dhe disa shkolla private.

Por, shumë drejtues të shkollave kanë drejtuar kritika ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit, përkatësisht të komisionit që ka dhënë lejen, duke theksuar se nuk janë marrë parasysh edhe pse pretendojnë të kenë plotësuar kriteret për mësim me prani fizike.

“Për çdo nxënës kemi përgatitur nga një bankë, por ne kemi problem me Ministrinë e Arsimit e cila sjell vendim bazuar në protokollet se si duhet të duket një klasë, ndërkohë që mësim me prani fizike lejon për klasën e tretë dhe nuk lejon për klasën e nëntë, edhe pse dy klasat kanë nga tetë nxënës”, thotë Hajrullah Jakupi, mësues në një shkollë në periferi të Shkupit, që numëron rreth 50 nxënës.

Ndërkohë, Unioni i Shkollave të Mesme më parë kishte paralajmëruar bojkotimin e mësimit nga 1 tetori, por për të mos çrregulluar gjithë sistemin arsimor, ka vendosur që në muajin tetor mësimi të zhvillohet nga distanca dhe në rast se gjendja epidemiologjike mbetet e njëjtë, atëherë nga nëntori mësimi të zhvillohet me prani fizike. Nëse kjo kërkesë refuzohet, atëherë do të shqyrtohen të gjitha mundësinë e presionit.

“Kemi arritur një konsensus që vitit shkollor të fillojë nga distanca më 1 tetor, ndërsa për gjatë muajit tetor ne do të shohim se si do të jetë gjendja epidemiologjike dhe në rast se do të jetë stabile, ultimatumi i unionit ndaj qeverisë do të jetë që më 1 nëntor gradualisht nxënësit të rikthehen në shkollë sipas modelit që ne e kemi përpiluar”, ka deklarua Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Shkollave të Mesme.

Ai thotë se problemet me platformën kombëtare për mësim online janë pasojë e mosangazhimit me kohë të institucioneve. Edhe Ministrja e Arsimit Milla Carevska, ka drejtuar akuza ndaj paraardhësve të saj për mosangazhim të duhur në përgatitjen e sistemit arsimor për mësim në kushte të pandemisë. Për shkak të koronavirusit, mësim në të gjitha ciklet në Maqedoninë e Veriut ishte ndërprerë më 13 mars.

Të fundit