Autor: Sefer Selimi Jr.
Ndryshe prej herëve tjera ky vit shkollor fillon me vonesë njëmujore, i ndjekur me plotë sfida të cilat shkojnë përtej atyre të zakonshmeve të cilat jemi mësuar t’i kemi për çdo fillimvit shkollor. Përveç mungesës së librave, ngarkesës së ditarit elektronik për mësimdhënësit, mungesës së literaturës adekuate në shkollat profesionale, mungesës së kabineteve shkencore, kushteve infrastrukturore e madje në shumë prej shkollave mungesës së kushteve elementare për higjienë – kemi edhe sfidën e pandemisë e cila jo vetëm që të gjitha këto sfida i komplikon, sjell edhe sfida të reja për të cilat nuk kemi kapacitete të mjaftueshme as financiare, as institucionale për t’i adresuar siç duhet e aq më pak në kohën e duhur.
Qeveria, pra Ministria e Arsimit dhe autoritet kompetente shëndetësore u vonuan për të ndërtuar një strategji të qartë dhe të mirëplanifikuar që do të jepte të paktën më shumë përgjigje për pasigurinë dhe dilemat me të cilat përballen të gjithë palët e përfshira – nga drejtoritë e shkollave, autoritetet lokale, mësimdhënësit, nxënësit e deri tek prindërit. Në opinion kjo ngathtësi e autoriteteve qeveritare u kritikua edhe nga ekspertët dhe të gjithë ata që janë pjesë e procesit, ndërkohë që kryeministri Zaev bashkë me kabinetin e tij promovuan platformën nacionale për mësim online e cila do të duhet të ofroj zgjidhje afatshkurte për zhvillimin e procesit mësimor nga distanca. E njëjta, me të drejtë u prit me skepticizëm sepse një zgjidhje e tillë teknologjike jo vetëm që është e vështirë për të funksionuar me një ngarkesë siç pritet ta ketë, por ajo ka edhe shumë mangësi nga aspekti njerëzor dhe ai teknologjik.
Nga aspekti njerëzor do të jetë e vështirë që pa një trajnim afatgjatë të kuadrit mësimdhënës, posaçërisht të gjeneratave më të vjetra, kjo pltaformë të funksionalizohet plotësisht dhe të arrijë qëllimin e saj. Shkathtësitë teknologjike, ndonëse sot tejet të nevojshme për digjitalizimin kah shkon Bota, nuk i posedojnë të gjithë. Paramendoni vështirësitë që do t’i kenë ata mësimdhënës të cilët nuk dinë të hapin as edhe një llogari për të krijuar postën elektronike për më shumë arsye objektive dhe shpesh herë jo për fajin e tyre. Stresi dhe paniku nuk do të jenë të dëmshëm vetëm për të kryer punën siç duhet, por edhe për shëndetin e tyre – në veçanti për ata në moshë të thyer e para pensionit. Do të ishte mjaft e logjikshme që Qeveria të kishte siguruar mundësinë që çdo institucion arsimor të krijoj ekipe teknike të cilët do të jenë në dispozicion të tyre dhe t’i ndihmojnë gjatë kësaj sfide stresuese.
Nga aspekti teknik problemi qëndron jo vetëm në zgjidhjen teknologjike e cila edhe në ditët e para të provës nuk i rezistoi ngarkesës me kyçjet e përnjëhershme të një pjese të përdoruesve. Këto sipërmarrje teknike janë të vështira, kërkojnë infrastrukturë komplekse dhe të avancuara dhe janë shumë të kushtueshme edhe për kompanitë më të fuqishme të Silicon Valley, ndërkohë që ky improvizim edhe pse ndoshta shumë i sinqertë dhe qëllimmirë vështirë që do të mund të funksionoj siç duhet – ashtu siç nuk arrin ta mbajë ngarkesën as ditari elektronik për të cilin shumë mësimdhënës duhet të presin orët e pasmesnatës për ta plotësuar të njëjtin. Këtu paraqitet edhe një problem tjetër i cili është më tepër i natyrës sociale: mungesa e pajisjeve teknike për të ndjekur mësimin. Shtresa më goditur në këtë rast është ajo që ka më tepër nevojë për gjithpërfshirje në arsimin formal si mënyrë më e qëndrueshme për t’i nxjerrë nga varfëria. Do të duhet një mobilizim i përgjithshëm jo vetëm i institucioneve posaçërisht i atyre lokale, por edhe i filantropëve dhe kompanive të përgjegjshme shoqërore për t’u dalë në ndihmë e për të zvogëluar pasojat që mund t’i pësoj kjo shtresë e shoqërisë.
Ky vit i pazakontë është sfidues dhe goditjet që i përjetojmë janë edhe shoqërore, por prekin edhe fatet individuale, prandaj kemi përgjegjësinë që së bashku të ndihmojmë njëri-tjetrin për të amortizuar sadopak pasojat – posaçërisht ndaj atyre që fati nuk u ka qëndruar pranë edhe në kohë të zakonshme.