E premte, 13 Dhjetor, 2024

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dënohet me një vjet e gjysmë burg

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski është dënuar me një vjet e gjysmë burg ndërsa ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, me një vit burg me kusht. Ky i fundit, nuk do të shkoj në burg, nëse në katër vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën.

Ata u shpallën fajtorë për veprën “nxitje dhe organizim të protestave të dhunshme”, para ambienteve të Komunës “Qendër” në verën e vitit 2013. Të pandehurit, sipas prokurorisë, kishin organizuar turmën për të ndërhyrë në sallën e këshillit komunal me arsyetimin se janë kundër ndalimit të ndërtimit të një kishe në Shkup.

Këshilli komunal drejtohet nga opozita e cila kundërshtonte planet e qeverisë për ndryshimin e planit urbanistik.

Rasti është zbuluar nga afera e përgjimeve që ishte publikuar nga vitet 2013 deri në vitin 2014 nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev.

Në një nga bisedat e publikuara është dëgjuar zëri i Gruevskit se si urdhëron Janakievskin të organizojë turmën për të “rrahur me shuplaka” disa nga drejtuesit e komunës që të zmbrapsen nga vendimi.

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski është dënuar në mungesë meqë në nëntor të vitit 2018 është arratisur në Hungari për t’iu shmangur vuajtjes së një dënimi tjetër prej dy vjet burg për shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e Qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro.

Për veprën e njëjtë është dënuar edhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila të hënën në mbrëmje u dërgua në vuajtjen e dënimit.

Të fundit