E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZIGZAG: MATJA E DETIT ME FILXHAN

Në historinë e vet, politika serbe e të gjitha kohërave ka pasur për objektiv, do të thoja parësor, daljen në det dhe jo dosido, por përmes Durrësit apo edhe Ulqinit. Ky zatën ka qenë lajtmotivi i luftrave pushtuese ballkanike i arrirë me krijimin e Mbretërisë Serbo –Kroato- Sllovene apo edhe me Jugosllavinë e Titos. Dalja serbe në Det, ndërkaq u shkëput me shpërbërjen e federatës jugosllave, por Beogradi nuk është se u dorëzua: Matja e detit me filxhan vazhdon edhe sot e kësaj dite!

 

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Në ‘Naçertanije’-n, ‘Programin e politikës së jashtme dhe kombëtare të Serbisë në mbarim të vitit 1844’, me autor shkrimtarin dhe politikanin  Ilija Garashanin, nuk fshehen aspiratat për të siguruar daljen në det, ndaj në plan të parë përmenden ‘Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore’ dhe në këtë rrafsh përmendet ‘rruga e re tregtare që  Serbinë do ta çojë në det për të ngritur një port për të’. Kjo rrugë tregtare, sipas autorit të programit politik serb është ajo shpie përmes Shkodrës – në Ulqin. Arritja e këtij qëllimi sipas objektivave serbe që iu paraprinë Luftrave Ballkanike kërkonte angazhimin më të madh të Serbisë ‘tek shqiptarët e veriut dhe në Mal të Zi’, për shkak se argumenton I. Garashanin ‘këta janë pikërisht ata popuj të cilët i kanë çelësat e derës së Bosnjë e Hercegovinës dhe të vet Detit të Adriatikut’. E zeza mbi të bardhë, hedhur këtu e 176 vjet më parë! Sot kemi situatën çfarë e kemi: Një marrëveshje ekonomike Kosovë-Serbi, të arritur me bekimin e administratës dhe personalisht të presidentit amerikan Donald Trump, një ide për ‘minishengenin ballkanik’ dhe një epilog elektoral në Mal të Zi që nxori fitues koalicionin pro-serb dhe Kishën Ortodokse Serbe atje, si dhe koalicionin e partisë qytetare ‘Aksioni i Bashkuar Reformator’(Ujedinjena Reformska Akcija) që, për nga shkurtesa URA – mirëtingëllon edhe në shqip! Në mozaikun e krijuar, ka të ngjarë që këto synime, jo vetëm tregëtare serbe, të bëhen realitet. Tjetër është puna e pozicionimit të deritashëm, po edhe të nesërm, të palës shqiptare e kosovare karshi këtyre mësymjeve ekonomiko-tregëtare serbe të cilat ashiqare u kanë bërë ballë dhëmbëve të kohërave, për shkak se në historinë e vet, politika serbe të thuash nuk hoqi dorë kurrë nga objektivi, do të thoja parësor, për të siguar dalje në det dhe jo dosido, por përmes Durrësit apo edhe Ulqinit. Ky zatën ishte lajtmotivi i luftrave pushtuese ballkanike i arrirë me krijimin e Mbretërisë Serbo –Kroato- Sllovene apo edhe me Jugosllavinë e Titos. Dalja serbe në Det, ndërkaq u këput me shpërbërjen e federatës jugosllave, por Beogradi nuk është se u dorëzua: Matja e detit me filxhan vazhdon edhe sot e kësaj dite!

 

 

Të fundit