E shtunë, 27 Korrik, 2024

E DREJTA E VOTËS – THELBI I DEMOKRACISË DHE PËRFAQËSIMIT POLITIK

Sa më e madhe të jetë pjesëmarrje qytetare, aq më e konsoliduar dhe më cilësore është hapësira demokratike dhe bashkë me këtë edhe legjitimiteti politik i qeverisjes. Zgjedhjet përfaqësojnë aktin më sublim të demokracisë. E drejta e votës mbetet e shenjtë dhe instrument esencial i demokracisë. Dilni dhe votoni me 15 korrik për subjektin që ju mendoni se duhet t’ju përfaqësojë në katër vitet e ardhshme. Me këtë, ju bëheni pjesë e proceseve demokratike dhe vlerave të synuara evropiane.

 

Autor: Bardhyl Zaimi

 

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare mbahen në një situatë të jashtëzakonshme pandemie. Edhe fushata zgjedhore është determinuar nga prania e virusit, ndërsa aktivitetet parazgjedhore të subjekteve politike janë menaxhuar në bazë të këtij realiteti të ri, gjegjësisht protokolleve që nuk kanë lejuar tubime të mëdha. Përgjithësisht, partitë i kanë respektuar masat të proklamuara nga institucionet shëndetësore, ndërkohë që janë vërejtur edhe shkelje.

Brenda kësaj periudhe njëzetditëshe, partitë politike kanë shpaluar platformat e tyre elektorale, duke qenë pranë qytetarëve, por edhe nëpërmjet mediave online dhe rrjeteve sociale. Përgjithësisht, fushata ka qenë e qetë dhe në suaza të normalitetit demokratik. Njëzet ditë kanë qenë të mjaftueshme që partitë politike ta përcjellin mesazhin politik te elektorati i synuar. Edhe pse në një situatë të kufizuar, subjektet politike kanë arritur që të menaxhojnë maksimalisht kohën dhe hapësirën e prezantimit dhe transmetimit të mesazhit politik, të shpjegojnë idetë politike, por edhe të rivalizojnë me argumente mbi vizionet e tyre politike.

Demokracia mbetet shesh i ideve, hapësirë konkurrimi, rivalizimi dhe shpalimi i vizioneve politike. Aktivizmi qytetar, pjesëmarrja demokratike i japin kualitetin e nevojshëm politikës, gjithnjë e kuptuar në funksion të qeverisjes humane dhe me principe. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrje qytetare, aq më e konsoliduar dhe më cilësore është hapësira demokratike dhe bashkë me këtë edhe legjitimiteti politik i qeverisjes. Zgjedhjet përfaqësojnë aktin më sublim të demokracisë. E drejta e votës mbetet e shenjtë dhe instrument esencial i demokracisë.  15 korriku duhet të shënojë moment të padiskutueshëm demokratik në rrethana të determinuara nga pandemia.

Dita e zgjedhjeve është momenti kur qytetari vendosë për përfaqësimin i tij, për qeverisjen e ardhshme, të bazuar në ofertat elektorale. Kjo e drejtë mbetet esencë e demokracisë dhe e përfaqësimit politik. Mbetet vullnet i padiskutueshëm që e perfermon qeverisjen e ardhshme. Maqedonia e Veriut tashmë ndodhet përpara këtij momenti në rrethana votimi që do të diktohen nga protokollet e një procesi zgjedhor në kohë pandemie. Partitë politike e thanë fjalën tyre në kohën e fushatës, tash është koha që qytetarët në mënyrë tërësisht të lirë dhe demokratike ta thonë fjalën e tyre.

Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve aq më tepër merr kuptim konkurrimi demokratik. Jashtë klisheve të zakonshme, kjo pjesëmarrje përcakton të ardhmen e qytetarëve, për shkak se nga votimi kristalizohet rrugëtimi i ardhshëm i shtetit. Maqedoninë e Veriut e presin sfida të mëdha në rrugën e integrimeve evropiane. Vetëm një demokraci pjesëmarrëse dhe e konsoliduar mund ta fuqizojë këtë orientim evropian të pandalshëm. Dilni dhe votoni për subjektin që ju mendoni se duhet t’iu përfaqësojë në katërvjeçarin e ardhshëm. Me këtë, ju bëheni pjesë e proceseve demokratike dhe e politikave që i nënkuptojnë vlerat evropiane.

 

Të fundit