Pas më shumë se gjashtë orësh brenda Zyrës së Prokrurorisë së Specializuar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se intervistimi i tij, do të vazhdojë edhe të martën.
“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknikaliteteve të ndryshme në mes të avokatit, zotit Prosper dhe prokurorëve. Do të thotë çështje sqaruese, teknike. E në të njëjtën kohë edhe ato fillestaret të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që, (intervistimi) do të vazhdojë nesër”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi sot u paraqit në Hagë, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.
Para se të hynte në ndërtesën e Prokurorisë së Specializuar për intervistim, Thaçi deklaroi për mediat se beson që nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm.
“Sot jam këtu për të respektuar për atë që kam ëndërruar dhe kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim”, tha Thaçi.
Sipas Thaçit, askush nuk mund ta rishkruajë historinë, duke shtuar se ky është “çmimi për lirinë”.
“Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është storie suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë është paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi është ftuar në këtë intervistë.
Avokati mbrojtës i presidentit Thaçi është avokati amerikan Pierre-Richard Prosper.
Prosper ka qenë prokuror në Tribunalin Ndërkombëtar të OKB-së për krime në Ruandë. Ai po ashtu për një kohë të gjatë ka shërbyer si prokuror në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në pozita të ndryshme, si Këshilltar special dhe këshilltar politik për çështje të krimeve të luftës.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.
Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.
“Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.