E shtunë, 19 Prill, 2025

A DO TË HAPEN KUFIJTË ME 1 QERSHOR?

Nëse nuk do të ketë rritje të infektimeve, Maqedonia e Veriut, ditëve në vijim pritet të vendos për hapjen e kufijve me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Fillimi i qershorit shihet si një mundësi. Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Arben Ziberi, thotë se gjithçka do të varet nga përhapja e infektimeve. Edhe lehtësimi e mëtejshëm i masave do të varet nga gjendje me virusin korona.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Pandemia e virusit korona që kishte filluar të përhapet tashmë shpejt në të gjitha vendet e globit, e kishte detyruar edhe Maqedoninë e Veriut, sikurse të gjitha vendet, që të mbyll kufijtë e saj. Që nga data 17 mars, kufijtë e vendit kanë qenë të mbyllur ndërkohë që masat për vetëizolim kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës.

Autoritet shëndetësore kanë qenë të kujdesshme për dhënie të një date të mundshme për hapje, ndërkohë që ka vazhduar gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga presidenti i shtetit me konsensus të të gjitha partive politike.

Sidoqoftë, pas rënies së lakores së infektimeve, Maqedonia e Veriut, këto ditë ka bërë lehtësime për disa veprimtari, siç janë çerdhet, bastoret dhe shërbimet stomatologjike, ndërkohë që javën e ardhshme pritet që të vendoset edhe për hapjen e restoranteve, kafeneve dhe disa bizneseve në vend.

Në ndërkohë paralajmërohet se në fillim të qershorit mund të hapen edhe kufijtë me shtetet fqinje, duke përjashtuar Bullgarinë dhe Greqinë, të cilat janë në zonën Shengen. Ky paralajmërim kushtëzohet nga normalizimi i situatës, gjegjësisht nga fakti që mos të ketë rritje infektimesh gjatë kësaj periudhe.

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Arben Ziberi, ka bërë të ditur se lehtësimi i masave tjera do varet nga përhapja e infeksionit. Sipas tij, në bazë të disa parametrave bisedohet që nga 1 qershori të hapen kufijtë, por kjo do të varet nga përhapja e virusit.

Edhe pse vendet e rajonit dhe vendet evropiane kanë filluar me lehtësimin e masave restriktive, Maqedonia e Veriut për momentin ka filluar vetëm me lehtësimin në fazën e parë.  Kjo fazë përfshinë hapjen e çerdheve, qendrave tregtare dhe ordinancave stomatologjike. Restorantet, kafenetë dhe disa nga bizneset tjera në vend, presin dritën jeshile nga ana e institucioneve kompetente. Ziberi thotë se hapja mund të ndodh nga java e ardhshme mirëpo, sipas tij, gjithçka do të varet nga përhapja e infeksionit.

“Për momentin projeksionet janë që nga java tjetër do të fillohet me hapjen e lokaleve dhe objekteve hotelerike. Edhe pse u përfol se hapja do jetë nga java e kaluar mirëpo për shkak se kishim numër të të infektuarve në rritje ajo është shtyrë për këtë javë që vjen”, thotë ai.

Ditëve në vijim pritet të vendoset për hapjen e kufijve, gjithnjë duke pasur parasysh parametrat epidemiologjik.  Ziberi thotë se janë në kontakte të vazhdueshme me vendet fqinje dhe sipas parashikimeve kufijtë me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë do të hapen me 1 qershor.

Me Bullgarinë dhe Greqinë, vë në dukje ai, nuk mund të vendoset për hapjen e kufijve, pasi janë në zonën Shengen.  “Jemi në kontakte të vazhdueshëm me vendet fqinje dhe në bazë të disa parashikimeve kufijtë me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë do të hapen me 1 qershor.

Ziberi thotë se reflektimi i masave lehtësuese,  do të ndikojë në hapjen e kufijve. Sipas tij, rekomandimet e OBS-së kanë qenë që me lehtësimin e masave duhet pasur kujdes të veçantë dhe secili shtet duhet të vendos në bazë të politikave dhe mentalitetit në shoqëri. Maqedonia e Veriut i mbylli kufijtë më 17 mars dhe po atë ditë u mbyllën edhe dy aeroportet, i Shkupit dhe ai i Ohrit.

Të fundit