E premte, 25 Prill, 2025

Rikthimi tek normaliteti i politikës jonormale

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Pas një pauze të paprecedentë disa mujore shoqëria po kthehet drejt normalitetit, një normalitet që do të shtrihet mes të kaluarës dhe ardhmes – të paktën deri në zbulimin e një vaksine efektive që do të parandaloj përhapjen e sërishme të virusit COVID-19. Gjysmën e këtij viti e përmbyllim nën hijen e frikës, pasigurisë dhe izolimit të detyruar që do të ngelet gjatë në mbamendjen kolektive. Por tani kambanat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kanë filluar të bien gjithnjë e më fuqishëm dhe duket qartë se normaliteti i politikës jonormale do të kthehet në gjendjen e mëparshme, aty ku u ndërpre disa muaj më parë. 

Ende pa u vendosur qartë se kur do të mbahen zgjedhjet dhe nëse do të mbahen para fillimit të verës, aktorët politik filluan ta testojnë fushëbetejën elektorale. Ashtu siç pritej të zhvillohej kampanja para se e njëjta të ndërpritet nga pandemia, armët kryesore duket që do të jenë ‘’bombat’’ politike me përgjime dhe skandale që kanë për qëllim të denigrojnë figurat politike. Paraqitja e një audio-incizimi për liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ku flet për pazare elektorale me një nga protagonistët e rastit ‘’Reket’’ që tronditi opinion publik dhe skenën politike, u pasuan me kundërpërgjigje prej 4 audio-incizime për liderin e LSDM-së, ish kryeministrin Zoran Zaev. Madje, Mickovski nuk nguroi që haptas të kërcënoj dhe paralajmëroj pas takimit të liderëve tek presidenti Pendarovski se të tilla ‘’bomba’’ do të ketë edhe në vazhdim, gjë që lë të kuptohet qysh tani se opinionin publik e pret një tjetër kampanjë e zezë politike, e ndërtuar mbi akuza dhe denigrime ndaj individëve të caktuar. 

Ashtu siç pritet, opozita maqedonase do të kërkoj që zgjedhjet të shtyhen sa më shumë që është e mundur me qëllim për të blerë kohë të mjaftueshme për të denigruar, kritikuar dhe sulmuar qeverinë aktuale në lidhje me përgjigjen e saj kundrejt pandemisë si dhe për të amortizuar efektet e ndihmës ekonomike që pritet të lëshohet tek qytetarët dhe bizneset. Vetë ndihma ekonomike paraqet një avantazh për partitë qeverisëse por në të njëjtën kohë kjo hap një mundësi të jashtëzakonshme për abuzim dhe korrupsion elektoral dhe në qoftë se koha e zgjedhjeve do të përputhet me kohën e implementimit të programit ekonomik për të tejkaluar efektet e pandemisë natyrshëm që do të ndikoj edhe në votën e qytetarëve. 

Brenda javës së ardhshme pritet që partitë politike të dakordohen për datën e mbajtjes së zgjedhjeve pasi të dëgjojnë rekomandimet e organeve përgjegjëse: Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për kohën e nevojshme të përgatitjeve teknike dhe Institutit për Shëndet Publik. E para udhëhiqet nga opozita dhe me shumë gjasë kryetari i KSHZ-së do të mundohet të blej sa më shumë kohë që të jetë e mundur edhe nga vetë fakti që zgjedhjet dhe kampanja do të organizohen ndryshe nga herë të tjera, duke u diktuar nga virusi COVID-19 dhe jo nga praktika e deritanishme. E dyta, është institucion publik i cili fitoi në peshë dhe kredibilitet gjatë krizës së pandemisë dhe si një institut që përbëhet nga profesionist që në radhë të parë duhet të kujdesen për shëndetin publik, rekomandimi i tyre duhet të udhëhiqet vetëm nga parimet profesionale dhe në shërbim të obligimeve dhe përgjegjësive institucionale. Sa do të arrijë që t’i rezistoj presionit të opinionit publik dhe politik, do ta dëshmoj koha dhe mbase do të jetë ndër shembujt e rrallë që vendos standard të ri demokratik duke ndarë qartazi partinë nga shteti në interes të qytetarëve. 

Ajo që tash më e dimë është që ngadalë por sigurt kthemi tek normaliteti i politikës jonormale dhe një kampanjë që mbase do të jetë ndryshe në formë por shumë pak në cilësi. 

Të fundit