Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski thirri të ejten Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të vlerësuar gjendjen me koronavirusin.
Në takim nuk morën pjesë disa anëtarë të qeverisë të cilët të mërkuren shkuan në komunën e Kumanovës, ku u takuan me kryetarin e saj Maksim Dimitrievski, i cili është diagnostikuar me COVID-19.
Zoti Dimitrievski ka njoftuar vetë në rrjetet sociale se ka rezultuar pozitv në testin për koronavirus së bashku me dyzet bashkëvendës të tij. Ai ka bërë thirrje për disiplinë, dhe respektim të masave për parandalimin e infeksionit. Kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski, Zëvendës-kryeministri Bujar Osmani dhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe patën dje takim me kreun e komunës së Kumanovës, por nuk kanë njoftuar nëse janë testuar për koronavirus. Kumanova radhitet menjëherë pas Shkupit për nga numri i rasteve dhe i viktimave të koronavirusit.
Në prag të Pashkëve ortodokse, Kisha Ortodokse maqedonase ka njoftuar se do ta mbajë liturgjinë, pavarësisht masave dhe orës policore që fillon nga e premtja në orën 16:00 dhe zgjat deri të marten në 5:00 të mëngjesit. Ndalim qarkullimi katër ditësh ka nxitur grumbullimin e qytetarëve nëpër markete për t’u furnizur me mallra si dhe nëpër banka e posta./VOA