E diel, 19 Maj, 2024

SPORTI NËN HIJEN E “BOTËS” TEKNOLOGJIKE

Sporti nuk është më në “agjendën” e të rinjve. Jeta e “mbërthyer” nga teknologjia ka krijuar një lloj përtacie që gjithmonë justifikohet nga të rinjtë. Profesorët e lëndës së fizkulturës theksojnë mungesën e kushteve dhe të interesimit, ndërkohë që vihet në dukje edhe përkrahja e vogël institucionale dhe promovimi i sportit në shoqëri. Profesorët universitar të kësaj fushe paralajmërojnë rrezikun e obozitetit. 

Shkruan: Pëllumbesha Veseli

Aktivitetet sportive ndonëse ndihmojnë trupin e njeriut dhe metabolizmin në veçanti, kohëve të fundit nuk është se praktikohen nga gjeneratat e reja. Shkak për këtë ka lënë përshtypje se duhet të jetë zhvillimi i hovshëm teknologjik dhe gjithë sferat që lidhen me të. Por jo vetëm kjo, mungojnë në masë të madhe aktivitetet dhe kampanjat e organizuara nga institucionet shtetërore. Një stimul nga ana e tyre sikur është lënë nën hije. Edhe pse sallat e gjimnastikës janë në numër të konsiderueshme, por numri i atyre që i vizitojnë ato është maksimalisht 6 vizitues në ditë. 

E PAMJAFTUESHME PËRKRAHJA INSTITUCIONALE

Profesori universitar, Kastriot Shaqiri, thotë se të rinjtë nuk merren shumë me sporte dhe si pasojë e kësaj kemi shfaqjen e obezitetit dhe sedetarizmit. Sipas tij, nuk mungon përkrhja e institucioneve për garim, por kjo akoma mbetet e pamjaftueshme. ‘’Komiteti Olimpik, federatat përkatëse kanë programe dhe buxhete me të cilat përkrahin sportistët kulminant. Por, përkrahja financiare nuk është e mjaftueshme që këta sportist të kenë kushte të sportistëve ndërkombëtar. Ne jemi një shtet i cili nuk krijon kushte elementare për zhvillimin e sporteve. Sporti kërkon kushte super të volitshme dhe ne të gjitha ato nuk i kemi prandaj edhe rezultatet janë të tilla’’, thekson ai.

INTERESIM I ULËT PËR AKTIVITE SPORTIVE

 Profesori i lëndës së sportit në shkollën e mesme ‘’7 MARSI’’, Jaser Nurishi thotë se të rinjtë e kësaj kohe kanë shumë pak interes për sport. ‘’Kjo vjen si rezultat i kushteve që ofrohen në vendin tonë, teknologjisë dhe internetit. Këto rrethana kanë shumë ndikim tek të rinjtë në uljen e interesimit për aktivitete sportive. Epoka e internetit dhe teknologjisë së avancuar sjell pasivitet të lartë për këtë target grup’’, thotë ai. 

Nurishi thotë se bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të inkuadruar të rinjtë në aktivitete, pasi është e njohur se pasiviteti i lartë sjell rrezik të deformimit skeletor.

Edhe profesori tjetër i këtij profili në këtë shkollë thotë  se kushtet ndikojnë shumë në lidhje me këtë, sepse të rinjve nuk u ofrohen as kushtet më elementare për t’u marrë me aktivitete sportive. “Nëse do të kishim salla sportive dhe në qoftë se do të iu ofroheshin kushte më të mira edhe përqindja e të rinjve që do të merreshin me aktivitete sportive do të ishte më e madhe”, thotë ai. Sipas tij, sportet më të zhvilluara janë futbolli dhe volejbolli, por gjithsesi se ka hapësirë të zhvillohen edhe sporte  të tjera. 

Gjithashtu përgjigje për këtë situatë të krijuar kërkuam edhe në gjimnazin
Profesoriv Agon Halili në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” thotë se aktivitetet sportive tek të rinjtë nuk mund të themi që praktikohen rregullisht edhe pse nuk mungojnë. “Institucionet shtetërore me programe adekuate duhet të stimulojnë të rinjtë për pjesëmarrjen në aktivitet fizik dhe sportiv”, thotë ai.

Profesori Florim Asani thotë se vazhdimisht përpiqen të kenë kontakte me klube duke i inkuadruar nxënësit sa më shumë që të merren me sport. Ai thekson se sporti duhet të bëhet rutinë për adoleshentët pasi që ndihmon në zhvillimin e tyre fizik  dhe psikik.  

SPORTISTËT TË KËNAQUR ME KUSHTET E OFRUARA

Redon Qamili, futbollist i Klubit Futbollistik “Shkëndija” thotë se është i kënaqur me kushtet që iu ofrohen të rinjve nëpër klube. “Kushtet që ofrohen janë në nivel të duhur, sidomos këto vitet e fundit, madje shkojmë për trajnime dhe jashtë vendit, por dhe ndeshje në kampionate të grupmoshave tona. Të gjitha shpenzimet i mbulon klubi, ne pra nuk paguajmë asgjë”, thotë ai.   Ai iu bën thirrjë moshatarëve të merren me ndonjë aktivitet sportive cilido qoftë ai, sepse është shumë e rëndësishme për ta. “Ju them të tjerëve që sa më parë të marrin hapin për t’u marrë me ndonjë aktivitet sportiv. Tani mund të jetë e vështirë dhe e lodhshme, por të formon dhe në ardhmen një dukje fizike plot muskuj”, thekson ai.

JUSTIFIKIMI I PËRTACISË!

Të rinjtë kanë arsyet e veta pse nuk merren me sport. Studentja e mjekësisë Shpresa Osmani, thotë se angazhimet e tepërta në fakultet nuk i lëjojnë të ketë kohë të mjaftueshme të merret me edhe me sport. Ndërsa një tjetër studente, Gresa Kadriu, thotë se nuk e sheh të nevojshme të merret me sport pasi që fizikisht është e  dobët dhe marrja me sport do të ndikonte edhe më shumë në shëndetin e saj negativisht. Disa të rinj të tjerë thonë se përtacia e tyre ishte shkaktar për mos marrje me sport, ndërkohë që preferojnë që kohën e lirë ta kalonin në internet dhe nuk e shohin të detyrueshme të merren me sport.

Të fundit