E diel, 19 Maj, 2024

RRUGËTIMI I TRISHTË I REFUGJATËVE SIRIAN

Vijnë nga Siria, nga Lindja e Mesme, me një shpresë se do të kalojnë në vendet europiane. Një rrugëtim i dhimbshëm nëpër shumë shtete. Në Maqedoni ka dy qendra tranzitore, në të cilat Kryqi i Kuq dhe organizatat joqeveritare kujdesen për ushqime dhe gjëra tjera të nevojshme. Banorët e fshatit Llojan thonë se kohëve të fundit mund të shihen grupe më të vogla refugjatësh.  

Shkruan: Rijad Emrulai

Shumë pamje me refugjatët nga Lindja e Mesme ngjajnë me ato të refugjatëve nga Kosova në vitin 1999, që iknin nga persekutimi i regjimit të kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit. Refugjatët sirianë zgjedhin Europen për migrim, por rruga të cilën po e marrin këtë vit është Greqi-Shqipëri për të arritur Europen. Shkaku nuk dihet, por mendohet se ka vështirësi në Serbi apo keqtrajtimet në Hungari. Kjo ka bërë që shumica të mos kalojnë nëpërmjet Maqedonisë dhe Serbisë. Pasi që në Maqedoni nuk ka kamp të madh për kërkesa azili, opsioni i tjerëve që udhëtojnë nga Greqia për në Europë mbetet përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe deri në Kroaci. 

Sipas informacioneve janë diku mbi 100 refugjatë në kampin Tabanocit, ndërsa kapaciteti këtij kampi është për 500 refugjatë. Të drejtat e njeriut iu mundësojnë refugjatëve të mos qëndrojnë në vendin e tyre përderisa atje nuk ka kushte për jetesë. Kjo e drejtë përcaktohet me nenin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ku thuhet se ​“ të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabarte në dinjitet e në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njeri-tjetrit me frymë vëllazërimi”.

Banorët e fshatit Llojan, thonë se kohëve të fundit nuk vijnë refugjat si më parë, ka lëvizje në grupe të vogla, por jo në grupe të mëdha. Sipas tyre, kjo vjen nga shkaku se ata zgjedhin Shqipërinë si pikë kalimi më të lehtë për në Europë.

“Maqedonia ka 2 qendra tranzitore, qendrën në Tabanovc -Kumanovë me kapacitet afërsisht 500 persona, qendrën tranzituese Vinojug në Gjevgjeli me kapacitet 1500 persona dhe një qendër pranuese për kërkues të azilit në Vizbeg. Qendra pranuese për kërkues të azilit ka kapacitet për 150 persona me mundësi që kapaciteti të rritet”, thotë Azra Milaimi.

Sipas saj, dy qendrat e para janë qendra tranzitore të përkohshme, ku refugjatëve iu ofrohet ujë, ushqim, shërbime shëndetësore derisa të vazhdojnë me rrugëtimin e tyre. Me ushqime i ndihmon kryesisht Kryqi i Kuq, por janë të kyçura edhe organizata joqeveritare, siç është “Legis” që i ndihmon prej fillimit të krizës. Prej fillimit të krizës së refugjatëve ekziston e ashtuquajtura “Rrugë ballkanike”, që përfshin Maqedoninë, Greqinë, Slloveninë, Kroacinë, Shqipërinë, Hungarinë, Bullgarinë, Serbinë dhe Rumaninë, nëpërmjet të cilës refugjatët synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian. 

Azra Milaimi shpjegon se me shtimin e fluksit të refugjatëve, të cilët tranzitonin në Maqedoni, refugjatët përveç Kryqit të Kuq tashmë gjetën ndihmë edhe nga ana e qytetarëve dhe organizatave joqeveritare, ndërkohë që shteti ndjeu nevojën e ngritjes së qendrave tranzituese, në të cilat refugjatët merrnin shërbimet, të cilat i ofronte Kryqi i Kuq dhe organizatat joqeveritare vendase dhe të huaja siç janë: Legis, Nun, Karitas, Fshati i fëmijëve-S.O.S., Porta e hapur, SIF, Solidarites, ASB etj. 

Gjatë krizës refugjatët kishin liri të përdornin transportin dhe zakonisht përdornin trenin si mjet transporti për të bërë lëvizjet nga kampi i Gjevgjelisë për në kampin e Tabanovcit nga i cili synonin të hynin në Serbi dhe më pas të vazhdonin rrugëtimin e tyre, derisa ndodhi mbyllja e kufijve për ta dhe sot ata lëvizin nëpër Maqedoni në mënyrë ilegale, me çka shtohet mundësia e kontrabandës me refugjatë. Organizatat për të drejtat e njeriut të cilat mbrojnë të drejtat e refugjatëve në Republikën e Maqedonisë janë: UNHCR , Komiteti i Helsinkit, Porta e hapur, dhe Shoqata e avokatëve të rinj të Maqedonisë.

Refugjatët sirianë, por dhe ata të Lindjes së Mesme kanë braktisur vendet e tyre për shkak të luftërave dhe brutalitetit atje. Ata, e bëjnë këtë rrugëtim për të shpëtuar jetën ë tyre dhe të familjeve. 

Të fundit