E diel, 19 Maj, 2024

NË RRITJE NUMRI I TË PREKURVE NGA KANCERI

Nga viti në vit rritet numri i të prekurve nga kanceri. Vitin që shkoi për nëntë muaj janë regjistruar më shumë se tre mijë persona të prekur nga kjo sëmundje. Mjekët thonë se ndikojnë shumë faktorë në shfaqjen e sëmundjes, por kushtet mjedisore dhe mënyra jetesës, e të ushqyerit ndikojnë dukshëm në paraqitjen e kancerit.

Shkruan: Shpresa Dibra

Vit pas viti në Maqedoninë e Veriut shihet një rritje e numrit të pacientëve të prekur nga sëmundja e kancerit. Të prekur nga kjo sëmundje ka nëpër të gjitha qytetet. Nga Klinika për Onkologji dhe Radioterapi në Shkup kanë bërë të ditur se vetëm për nëntë muaj gjatë vitit 2019 janë regjistruar më shumë se tre mijë të sëmurë nga kanceri. Për klinikën kjo gjendje është alarmante pasi që shkakton vdekje të mëdha të grupmoshave të ndryshme.

Mjeku i përgjithshëm Nazim Zhaku  thotë se tumoret paraqesin rritje jo normale të qelizave në organizmin e njeriut. “Ato ndahen në beninje dhe malinje, ku këto të fundit njihen si kancer. E varësisht nga indi të cilin e prekin e merr edhe emrin lloji i Kancerit. Shembull nëse prek gjirin quhet  kanceri i gjirit, nëse prek mushkëritë quhet  kanceri i mushkërive, nëse prek lukthin quhet kanceri i lukthit, nëse prek prostatën quhet kanceri i prostatës e kështu me radhë”, thotë ai.

Zhaku thotë se faktorët për shfaqjen e kësaj sëmundjeje janë të ndryshëm. “Faktorët për këtë sëmundje mund të jenë gjenetik, pra të trashëguar nga ndonjë pjesëtarë i familjes, mund të jenë ambiental, si ndotja e ajrit apo mbeturinat si dhe mënyra e jetesës që nënkupton edhe ushqimin”, thotë ai, duke përcjellë një këshillë që të gjithë njerëzit të kenë kujdes pikërisht nga këto faktorë që shkaktojnë këtë sëmundje.

GJINIA FEMËRORE MË E RREZIKUAR

“Ç’do organ i trupit ka kancerin e vet, tek femrat më i përhapur është kanceri i gjirit ku kohëve të fundit ka një rritje tmerrësisht të dukshme. Edhe meshkujt preken nga ky lloj i kancerit po në një përqindje më të vogël. Lloji tjetër i kancerit që është i pranishëm në Strugë është edhe ai i lëkurës që vjen si pasojë e rrezeve të diellit dhe nuk mbetet prapa kanceri i mushkërive që faktor është pirja e duhanit si dhe kanceri i qelizave të gjakut apo tumoret”, thekson mjeku Zharku.

Mjekët shprehen se reagimi i parë i personave të prekur është në një formë shumë emocional, ndërsa në botën perëndimore reagimi është më ndryshe. Sipas tyre, kur marrin vesh se janë të prekur nga kjo sëmundje ata jetojnë me atë. Gjithashtu nga kjo del në pah edhe  mungesa e kushteve materiale, pra është jo e mundshme për të pasur një psikolog që pacientët të kenë mundësi të drejtohen për këshillim dhe inkurajim. Mjekët thonë se këtu vetë mjekët luajnë rolin e psikologut, duke u thënë se do të shërohen, gjithçka do të shkoj shumë mirë me, pak fjalë u japim vullnet për të jetuar.

Sipas kirurgëve shërimi ka të bëjë  me tipat dhe llojet e kancerit, nëse është kanceri i gjirit me operim mund të parandalohet, po ashtu kanceri i lëkurës, kanceri i mushkërive të bardha, i zorrës së trashë kanë shërim dhe operimet mund të kryhen edhe në vendin tonë.

NUMRI I PACIENTËVE NË RRITJE

Mjekët vënë dukje se nga eksperienca e tyre si mjekë në Spitalin e Përgjithshëm  të Strugës numri i pacientëve që paraqiten pikërisht për trajtim apo shërim të kësaj sëmundje është rritur shumë dhe se gati çdo ditë kanë takime me një apo dy persona që kanë sëmundjen e kancerit.

“Kur hymë në sallë të operimit përballemi me vështirësi të madhe pasi që operimi i kancerit ka procedura ekzakte dhe nuk ka vend për lëshime, sepse po bëre lëshime ndërhyrja e dytë është më problematike se ndonjë operim tjetër. Pra duhet që të hysh me përgjegjësi dhe përgatitje më të madhe se në rastet e tjera”, shprehet mjeku i përgjithshëm, Nazim Zhaku mbi intervenimet kirurgjike te pacientët me kancer.

Një paciente rreth të 40-ve po përgatitej të hynte në sallën e operimit. Ajo ishte e prekur nga kanceri i gjirit. Kishte shumë frikë nga operimi por jo për sëmundjen që po operohej pasi që operimet nga kanceri i gjirit pothuajse në të gjitha  rastet janë të suksesshme. Mjeku Nazim Zhaku shpjegoi se pacientja në fjalë kishte ndjerë vetë një si gjëndër të fortë në formë gunge në gjirin e majtë dhe pas kësaj nga frika kishte shkuar të bënte echo dhe mamografi dhe meqë rezultatet ishin dyshuese e kishin këshilluar të bënte edhe biopsinë e gjirit dhe nga biopsia patologu ka caktuar diagnozën kancer dhe prandaj duhej që me patjetër të operohej që mos të përhapet apo që të mos shkoj deri tek vdekja.

Operimi kishte zgjatur një orë, ndërkohë që gruaja ndjehej e lodhur, por në gjendje stabile, gjersa më të afërmit e prisnin jashtë.

Të fundit