E diel, 19 Maj, 2024

IKJA E TË RINJVE, FENOMENI KOMPLEKS I DËSHPËRIMEVE

 Ikja e të rinjve shihet si një fenomen kompleks dhe tash për tash pa ndonjë përgjigje nga ana e shtetit për ta parandaluar. Ekonomistët vlerësojnë se papunësia, standardi i ulët, korrupsioni janë ndër faktorët kyç që e nxisin ikjen. Trajtimi jo korrekt në vendet e punës këtu gjithashtu shihet si një shkaktar ikjeje. Studentë që tashmë punojnë në vendet perëndimore theksojnë trajtimin me dinjitet në vendin e punës. Ndryshimet sistemore shihen si të domosdoshme për parandalimin e valës së ikjeve

Shkruan: Ndalim Jaja

Shkalla e lartë e papunësisë në Maqedoninë e Veriut, çdo ditë e më tepër po e rritë numrin e të rinjve, të cilët të ardhmen e tyre e shohin jashtë vendit. Radhë të gjata të qytetareve që presin para dyerve të ambasadave të huaja në Shkup, për të marrë një përgjigje për viza pune tregojnë se Europa mbetet destinacion i të ardhmes së tyre. Megjithatë, nuk janë vetëm shkaqet ekonomike, të rinjtë nga Maqedonia e Veriut largohen edhe për arsye se korrupsioni është në një shkallë shumë të lartë, ndërkohë që kësaj mund t’i shtohet edhe pasiguria nga organet kompetente.

Në procesin arsimor mungojnë kushtet. Edhe pse dikush përfundon me sukses shumë të lartë studimet, cilësia mbetet një problem më vete. Kjo  i dekurajon të rinjtë për ta parë perspektivën në vend. Problemet e sistemit edukativo-arsimor, çështjet sociale dhe ekonomike janë vetëm disa faktorë të migrimit të të rinjve.

Mendohet që brenda kohës nga Maqedonia e Veriut janë shpërngulur 500. 000 persona apo çereku i popullsisë. Po sipas të dhënave nga Banka Botërore  2/3 janë duke punuar dhe 1/3  janë punëtorë,  ndërsa e 1/3 ekspertë të lartë të IT-së. Sipas një raporti të prezantuar nga Banka Botërore për gjysmë vjeçarin për Ballkanin Perëndimor, ka ngritje të nivelit të rritjes ekonomike të vendit prej 2.9%   ne 3.1% .

Sipas një ekonomisti të kontaktuar, migrimi është një fenomen i kamotshëm. “Njerëzit gjatë gjithë historisë kanë lëvizur nga një vend në një vend tjetër. Edhe përskaj shumë arsyeve siç janë ato politike, sociale e të ngjashme, përsëri arsyeja kryesore se pse njerëzit migrojnë është ajo ekonomike. Ne jemi koshient që situata ekonomike dallon nga shteti në shtet. Duke pasur parasysh këto faktorë njerëzit motivohen që të ndërmarrin aktivitete për të lëvizur nga një shtet në një shtet tjetër. Fenomenit të migrimit nuk po i ikim as ne si shtet”, thotë ai.  Sipas tij, dita-ditës shumë të ri po largohen nga Maqedonia e Veriut kryesisht për arsye ekonomike. Duke u nisur nga gjendja skajshmërisht e rëndë ekonomike e pjesës më të madhe të popullsisë, migrimi shpeshherë  shihet dhe realisht është zgjidhja e vetme për shumë të ri. “Mungesa e vendeve të reja të punës, korrupsioni, standardi i lartë jetësor, pagat e vogla dhe kryesisht mungesa e kushteve elementare për jetesë e veçanërisht vendbanimi besoj se është një ndër arsyet kryesore pse të rinjtë tonë zgjedhin migrimin. Kushtet e punës jo të favorshme si p.sh orari i gjatë i punës, mosrespektimi i ditëve të lira në punë, mos kompensimi i orëve shtesë të kaluara në punë, pabarazia gjinore në të ardhurat, mungesa e shëndetësisë cilësore, sistemi arsimor i dobët e shumë faktor të ngjashëm po ashtu ndikojnë në dëshirën për të migruar në shtetet e zhvilluara”, thonë ekonomistët. Por, që të jetë edhe më i dhimbshëm ky fenomen, përpos rinisë më pak të kualifikuar po vërehet edhe migrimi i madh i “trurit” të popullatës së vendit. Mjekët, inxhinierët, arkitektët, ekonomistët e shumë profesionist të fushave dita-ditës po largohen duke u tërhequr nga përfitimet financiare por shpeshherë edhe nga dinjiteti profesional, të cilin ua ofrojnë shtetet më të zhvilluara. E gjitha kjo në afat të shkurt kohor mund të sjell  pasoja të pakompensueshme  për shoqërinë, vlerësojnë ekonomistët.

Nga Unioni Studentor Shqiptar bëjnë të ditur se ikja e të rinjve nga vendi është fenomen aktual, i cili po përhapet dhe se është nxitje e pakuptimtë në disa raste. “Personalisht nuk e shoh veten jashtë vendlindjes sepse qëllimi im pas studimeve nuk lidhet me interesat personale por edhe kontribut mbi sferat që e tangojnë drejtimin tim universitar. Ikja nga problemi është zgjidhja më e lehtë! Fundja mos të harrojmë se ne e kemi krijuar  këtë mentalitet dhe po aq ne po kontribuojmë që ky mentalitet kolektiv mos të ndryshojë”, thekson kryetarja e këtij unioni.

Një student, i cili është larguar nga vendi ka theksuar se është një mundësi shumë e mirë. “Unë me 3 muaj shkollë dhe disa provime që i dhashë këtu janë të ngjashëm si të bësh 3 vite fakultet në Maqedoninë e Veriut. Në fillim kur kemi shkuar kemi qenë 24 studentë dhe të gjithë jemi nëpër vende të punës dhe të siguruar në punë. Rroga është shumë më mirë se në Maqedoni mirëpo nuk është vetëm aspekti i financave, por edhe i mentalitetit që e kanë qytetarët këtu në Gjermani, nuk të paragjykon askush, por çdo kush e sheh punën e vetë dhe. Nuk mendoj të kthehem kurrë në Maqedoninë e Veriut”, thekson ai.

Largimi nga Maqedonia e Veriut, tash mbetet i pranishëm edhe në paraqitjet publike të krerëve të lartë të shtetit. Dekurajues ka qenë prononcimi i mëhershëm i presidentit të shtetit, Stevo Pendarosvski, i cili theksoi se sikur të mos ishte president edhe ai do ta braktiste vendin pasi nuk do të mund të mbijetonte me 400 euro rrogë mujore.

Qeveria ndërkohë ka paralajmëruar ndryshime për të parandaluar këtë valë ikjesh, duke premtuar vende të reja pune për të rinjtë, standard ekonomik më të mirë, luftë kundër korrupsionit, shtet i drejtë dhe barabartë për të gjithë. Shpresohet se kjo mund të krijojë ambient tjetër për gjithë qytetarët, por nuk dihet se kur dhe si do të realizohen këto premtime.

 

 

 

Të fundit