E premte, 21 Mars, 2025

NDËRTOHET SPITALI MOBIL AFËR KLINIKËS INFEKTIVE

Ministri Filipçe ka bërë të ditur se në hapësirat e Qendrës klinike universitare për sëmundje infektive është instaluar spitali mobil me kapacitet prej 130 shtretër. Këto kapacitete spitalore do të jenë funksionale nga java e ardhshme. Spitali mobil është i gatshëm të pranojë pacientë me koronavirus.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Autoritetet shëndetësore në vend po përgatiten për pikun e koronavirusit, që sipas tyre duhet të pritet kah fundi i muajit. Ka përfunduar konstruksioni i Spitalit mobil ushtarak në hapësirat e Klinikës Infektive në Shkup, që do shërbejë si linjë e parë në luftën kundër infektimit. Spitali mobil i vendosur në afërsi të Klinikës për Sëmundje Infektive është i gatshëm të pranojë pacientë me koronavirus. Në këtë spital, sipas Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipche, do të ketë 130 shtretër. Në vendosjen e saj, që zgjati shtatë ditë, ishin kyçur Qyteti i Shkupit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes.

“Ky është vendi ku vendosëm se është më së miri të ketë numër të mjaftueshëm të shtretërve, për shkak se këtu është Qendra e Ekspertizës, janë specialistët e Mjekësisë Infektive, Motrat Medicinale duke llogaritur edhe ekipin rezervë të klinikave tjera. Vënia në funksion do të jetë gjatë javës së ardhshme dhe shpresojmë se nuk do të ketë nevojë të përdoret”, thekson Venko Filipçe

Gjatë vizitës së Spitalit mobil, ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska, saktësoi se në Armatë po zbatohen rekomandimet e autoriteteve.

“Unë i kam informatat vetëm për dy raste të konfirmuara. Megjithatë, mendoj se caktimi i lokacionit është i rëndësishëm për epidemiologët, jo aq në përgjithësi. Armata, ndoshta edhe MPB-ja dhe institucione të tjera ku ka të punësuar numër të madh të personave, me përqendrim të lartë, shanset për t’u infektuar sigurisht që ekzistojnë. Megjithatë ne në armatë i kemi zbatuar rregullin e rotacioneve të vazhdueshme, pikërisht që shmanget kjo situatë e përhapjes së infeksioneve”, thekson Sheqerinska.

Spitali i lëvizshëm është vendosur në zonën ku ishin barakat e ish-konviktit “Medicinar”.

“Me përpjekje mbinjerëzore duke punuar edhe natën, së pari arritëm ta pastrojmë këtë hapësirë që ishte rrënuar e që paraqiste një problem shumë dekadësh në Qendrën Klinike, ta përgatisim bazamentin dhe në afat rekord ta vendosim këtë spital mobil”, thotë kryetari i Qytetit të Shkupit, Petar Shilegov.

Me të në mënyrë plotësuese rriten kapacitetet për hospitalizim të personave të infektuar me Kovid-19. Sistemi shëndetësor në vend, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është i gatshëm të pranojë numër më të madh të pacientëve sesa ata që trajtohen aktualisht në spitale, si dhe për pikun e koronavirusit në vend, i cili sipas vlerësimeve pritet nga fundi i muajit.

Të fundit