E hënë, 16 Qershor, 2025

Presidenti e kryeministri “në betejë” ftesash e përgjigjesh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas konsultimeve që ka pasur më liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të enjten i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje, që të propozojë një kandidat për formimin e qeverisë.

Në një letër që i ka dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili njëherësh është edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, Thaçi kërkon që ky subjekt politik të propozojë kandidatin e ri për formimin e qeverisë.

“Ju lutem, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoni kandidatin e ri, të cilin do të mandatoj për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën, të cilën e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, nga Zyra e presidentit.

Në letër thuhet se Thaçi “është bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 1 korrik 2014 në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 6 tetor 2019, ku Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti më i votuar”.

VV: Do të përgjigjemi në një moment të përshtatshëm

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet presidentit Thaçi në “një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë. Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural”, ka shkruar Kurti.

Të fundit