E premte, 21 Mars, 2025

 “BETEJË” E PASHPALLUR MES QEVERISË DHE KOMINITETIT TË BIZNESIT

Qeveria ka miratuar pakon e dytë të masave, ndërkohë që ka kërkuar nga të punësuarit t’i njohin të drejtat e tyre. Komuniteti i biznesit masat i vlerëson si të papërshtatshme. Sipas një ankete të realizuar nga OEMVP mbi 57 përqindn e kompanive të përfshira në anketë thonë se masat nuk ndihmojnë biznesin. VMRO DPMNE-ja opozitare programin ekonomik të qeverisë e ka quajtur “shkurtëpamësi”

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Qeveria ka miratuar dekret që legalizon mbështetjen financiare për personat fizik që janë të vetëpunësuar dhe të prekur nga kriza ekonomike për shkak të coronavirusit, tha kryeministri teknik Oliver Spasovski.

Kryeministri Teknik Oliver Spasovski ka bërë të ditur se pakoja e dytë e masave të qeverisë ka për qëllim ndihmë të kompanive, impianteve prodhuese, të cilët tashmë dy javë e më shumë përballen me ngecje të pjesshme ose të plotë të punës dhe humbje, për shkak të krizës me Kovid 19. Nëprmjet kësaj mase qeveria iu ofron pagesë të pagave për muajt prill dhe maj për të punësuarit prej 14.500 denarëve ose subvencione në vlerë 50 përqind të kontributeve.

“Me këtë masë shteti i shpëton vendet e punës të qytetarëve. Madje 87% e kompanive janë  zgjedhur të aplikojnë për të gjitha masat. Do të jenë të përfshira rreth 250 mijë vende pune dhe rreth 35 mijë kompani”, ka theksuar kryeministri teknik, Oliver Spasovski.

Spasovski, ka theksuar se nuk ka heqje drastike nga puna,  por bën thirrje që vetë punëtorët të jenë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre.

“U bëj thirrje punëtorëve, të mos nënshkruajnë marrëveshje për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Ekziston luhatje në këtë moment, ka heqje nga puna, por ka edhe kthim në vendet e punës, ka të punësuar të rinj. Bëjnë kalkulime të ndryshme, sepse secili dëshiron të fitojë diçka nga kjo krizë. Ndërsa duhet të bëjmë të kundërtën, secili të humbas nga kjo krizë”, ka theksuar ai.

Lideri  i VMRO DMNE-së , Hristijan Mickoski, ka vlerësuar se programi qeveritar për ndihmë ekonomisë, është “shkurtpamës”, pa mos u shfrytëzuar idetë që partia i ofron që nga fillimi i krizës.

“Nuk është rasti me qeverinë e Estonisë e cila mori masat e njëjta që ia kam propozuar qeverisë para një jave, shfrytëzimi i parave nga fondi i dytë pensional duke mos i vënë në rrezik mjetet e të siguruarve. Ose me vetëdije nuk dëshirojnë t’i marrin masat që janë të mira, për shkak të kotësisë, ose nuk e kuptojnë ekonominë”, ka theksuar Mickovski.

Nga OEMVP, kanë theksuar se masat e qeverisë nuk janë edhe aq të përshtatshme për biznesin. Me qëllim të matjes së efektit direkt të pandemisë së koronavirusit-COVID-19 mbi ekonominë dhe bizneset, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore zhvilloi një anketë me bizneset e vendit për të pasur një pasqyrë reale të gjendjes së shkaktuar nga ky virus.

Në lidhje me masat ekonomike të qeverisë për bizneset dhe ekonominë, shumica e kompanive i vlerësojnë si joadekuate. Një numër i konsiderueshëm mendojnë se nuk do të shfrytëzojnë këto masa dhe subvencione shtetërore për të rimëkëmbur bizneset.

Sipas anketës, 57.1 përqind e të anketuarve kanë bindjen se masat nuk ndihmojnë bizneset. 25.4% janë përgjigjur se masat janë pjesërisht të qëlluara, ndërsa vetëm 6.3% mendojnë se masat janë të qëlluara. 38.1% janë përgjigjur se këto masa të parapara nuk janë të aplikueshme për veprimtaritë e tyre, ndërsa 23.8% janë përgjigjur se nuk do t’i shfrytëzojnë këto masa.

Në pakon e dytë të masave të qeverisë për ndihmë të biznesit, i prekur nga ngecja ekonomike për shkak të krizës së shkaktuar nga virusi korona, Qeveria ofron dy mundësi, ose pagesën e dy pagave për punëtorët, për muajt prill dhe maj nga 14.500 denarë, ose subvencionimin e gjysmës së vlerës së kontributeve. Kusht për këtë është punësimi ligjor dhe ruajtja e vendeve të punës. Si masë shtesë, shërbimet inspektoriale do të verifikojnë nëse të gjithë punëdhënësit i plotësojnë kushtet për ndihmën që kanë marrë nga shteti, me paga ose subvencione për kontributet. Në të kundërt disa pronarë të kompanive nuk përjashtohet që duhet t’i kthejnë paratë.

Të fundit