E shtunë, 27 Korrik, 2024

INFEKTOHET MJEKU I PENSIONUAR QË IU RIKTHYE MANTELËS SË BARDHË PËR TË LUFTUAR CORONAVIRUSIN

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se virusi i ri Covid-19 ka infektuar dhe profesorin e njohur Dhimitër Kraja, i cili edhe pse në pension iu përgjigj thirrje së Ministrisë për të ndihmuar në këtë situatë të vështrirë të krijuar nga koronavirusi, njofton televizioni shqiptar A2.

Ministrja Manastirliu njofton se gjendja shëndetësore e profesor Krajës është e qëndrueshme dhe ai është në monitorimin e vazhdueshëm të mjekëve.

“Pesha e viteve nuk e pengoi Prof. Dhimitër Krajën për t’u rikthyer në spitalin infektiv, aty ku ka kaluar 48 vite të jetës së tij, për t’i dhënë një dorë stafit të palodhur të këtij spitali në këto ditë të vështira! I rrallë e modest si pakkush, Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, po përballet vetë në këto momente, me sëmundjen që aq shumë donte ta luftonte! Gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi”, shkruan Manastirliu.

 

Shërim të shpejtë profesorit hero i ka dëshiruar edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.

“Asgjë nuk e ndali doktor Dhimitër Krajën të rikthehet pas 48 vitesh në repartin e infektivit për të ndihmuar dhe shpëtuar jetët e pacientëve. Guximi, humanizmi, profesionalizmi dhe solidariteti njerëzor rrëzuan çdo pengesë, dhe e rikthyen atë në krah të kolegëve të tij, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të bashkëqytetarëve nga virusi i rrezikshëm që e preku dhe atë vetë. I uroj nga zemra doktor Dhimitrit shërim të shpejtë! Urime dhe lutje për shëndetin e tij burojnë nga zemra e çdo shqiptari. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19”, ka thënë Basha.

 

Shqipëria deri më tani ka 259 të infektuar, 15 viktima dhe 67 të shëruar. /KDP

Të fundit