E shtunë, 9 Nëntor, 2024

Përplasje politike në kohën e pandemisë

Partitë politike në Maqedoni të Veriut kanë vazhduar përplasjet mes tyre edhe në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin. Mospajtimet ndërmjet partive kanë të bëjnë me mënyrat se si duhet vepruar kundër sëmundjes COVID-19, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i qytetarëve, por edhe për angazhimet lidhur me sanimin e gjendjes në ekonomi.

Por, sipas njohësve të çështjeve politike, këto përplasje të krerëve politikë, kanë për qëllim që të heqin përgjegjësitë na vetja, në kohën, kur sipas tyre, duhet që të gjitha forcat të orientohen në luftimin kundër pandemisë së koronavirusit.

Së fundmi, subjektet politike janë përplasur rreth operacionit të kthimit të mijëra shtetasve të Maqedonisë së Veriut, që kanë mbetur të bllokuar në vende të ndryshme evropiane si pasojë e mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit.

Në opinion u publikuan bisedat e realizuara me aplikacionin Telegram, ndërmjet sekretarit të qeverisë, Dragi Rashkovski dhe liderit të partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski.

Këto biseda u publikuan edhe në ueb-faqen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Sipas bisedave të publikuara, lideri i VMRO-së, Mickovski i ka shkruar sekretarit Rashkovski se në kuadër të kthimit të qytetarëve nga vendet evropiane, ka keqpërdorime financiare.

Nga qeveria kanë thënë se nuk është etike që në një situatë të tillë t’u bëhet presion institucioneve.

Por, lideri i opozitës, Hristijan Mickovski ka konfirmuar vërtetësinë e bisedave të publikuara dhe ka shtuar se ka prova se janë kryer krime gjatë transportit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Njohësi i çështjeve politike, Arsim Sinani thotë se partitë duhet të bëhen bashkë në luftën kundër pandemisë.

“Ajo që është me rëndësi dhe duhet kuptuar në këtë kohë është që të mos humbet humaniteti te njerëzit sepse kjo sëmundje do ta sfidojë botën, do ta sfidojë qenien njerëzore. Tani, e gjithë bota po ballafaqohet me një problem, ata (partitë politike) duhet të gjithë bashkërish të angazhohen për ta luftuar këtë pandemi, e cila siç duhet do ta ndryshojë botën”, thotë Sinani.

Kritika të shumta vazhdojnë të adresojnë mes veti edhe partitë në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social-demokrate, rreth propozimit të shkurtimit të pagave në sektorin publik.

Përderisa ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev thotë se pagat e të gjithë të punësuarve në administratë duhet të ulen në nivelin e pagës minimale, BDI-ja thotë se kjo masë do të prekë kategorinë më të varfër të shoqërisë, andaj kjo parti ka propozuar që të ulen vetëm pagat e funksionarëve.

Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci Societas Civilis, për Radion Evropa e Lirë, thotë se qytetarët do të ndëshkojnë me votën e tyre të gjithë ata që bëjnë politikë në një situatë kaq të ndjeshme.

“Retorika e nënçmimit të oponentëve politikë në asnjë mënyrë nuk kontribuon për tejkalimin e situatës, madje do të thosha nuk është momenti i vjeljes së poenëve politikë dhe aq më pak kjo situatë nuk do t’i sjellë leverdi asnjë politikani përderisa është në pikëpyetje shëndeti, jeta de siguria e qytetarëve”, thotë Troshanovski.

Të fundit