Nga Havier Solana
MADRID – Siç mund ta dinë shumë lexues, unë aktualisht ndodhem i shtruar në spital në Madrid pasi jam testuar dhe kam rezultuar pozitiv për COVID-19. Shërimi im ka qenë i ngadaltë, por perspektivë është inkurajuese. Megjithëse qëndrimi i izoluar nga njerëzit e dashur qenë diçka e pakëndshme, është një lehtësim që këto vështirësi po na ndodhin në shekullin e njëzet e një, me kaq shumë mjete në dispozicion, për të më bërë shoqëri. Më shumë mënyra tradicionale të kalimit të kohës – të dëgjuarit e muzikës, të lexuarit dhe të shkruarit – kanë qenë gjithashtu një dhuratë.
Për shumë orë, jam mbështetur te një shoqërues i spikatur për të përballuar këtë izolim: Winston Churchill. Unë kam qenë gjithmonë i magjepsur nga kryeministri britanik i kohës së luftës, dhe këto ditë kam qenë në gjendje të zbuloj detaje të reja rreth jetës së tij, falë një biografie të jashtëzakonshme nga historiani Andreë Roberts.
Rezistenca e admirueshme e Churchillit gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore është një burim i pafund frymëzimi, veçanërisht në kohëra si këto. Karakteri dhe historia e tij – të dyja padyshim janë komplekse – na kujtojnë se heroizmi është i pajtueshëm me papërsosmërinë, se përqëndrimi i mendjes është i përputhshëm me kontradiktën, dhe se guximi është i pajtueshëm me hezitimin. Personazhe si Churchilli meritojnë të njihen, gjë që nuk do të thotë se ato duhet të lavdërohen në mënyrë jo kritike.
Në luftërat private që shumë prej nesh janë duke luftuar kundër COVID-19, dhe që shumë të tjerë fatkeqësisht do të duhet të luftojnë, me siguri do të përjetojmë pak nga “gjaku, mundi, lotët dhe djersa”, për të cilat ka folur Churchilli në Maj 1940. Por ne gjithashtu duhet të përpiqemi të imitojmë shpirtin e tij bujar. Virusi raportohet se ndryshon shqisat e aromës dhe shijes së disa pacientëve, por nuk ka asnjë arsye pse duhet të mpijë sensin tonë të humorit.
Nga pikëpamja kolektive, ka kuptim të nxjerrësh një faqe nga libri i Churchillit. Ditët e fundit, shumë udhëheqës botërorë kanë pohuar se jemi në luftë kundër virusit – dhe, deri diku, ata kanë të drejtë. Ashtu si në çdo luftë tjetër, burimet duhet të mobilizohen, dhe një mori vlerash qytetare – siç janë detyra, shoqëria dhe shërbimi publik – duhet të promovohen me bindje të. Profesionistët e shquar të shëndetit, të cilët në Spanjë dhe në të gjithë botën, po japin maksimumin e tyre për të luftuar virusin dhe për të lehtësuar vuajtjet e të sëmurëve, janë një shembull për të gjithë ne.
Ne po përballemi me një krizë me përmasa historike. Por nëse ajo që po kalojmë vërtet mund të quhet luftë, sigurisht që nuk është një luftë tipike. Në fund të fundit, armiku i sotëm është i përbashkët për të gjithë njerëzimin, dhe mobilizimi i burimeve shtetërore duhet të shkojë paralelisht me demobilizimin e shumicës së popullatës.
Eshtë e rëndësishme të mos largojmë nga vëmendja këto dhe ndryshimet e tjera. Përndryshe, retorika e luftës mund të na mjegullojë gjykimin, duke na lënë të dobët përballë disa kurtheve të caktuara. Për të shmangur këto skenarë të padëshiruar, më lejoni t’u bie disa këmbanave të alarmit dhe të jap disa paralajmërime.
Së pari, ne nuk duhet të ngatërrojmë një udhëheqje të fortë – e cila sigurisht do të jetë e nevojshme në këto rrethana të rënda – me një udhëheqje të papërkulur. Qeveritë tona duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për të trajtuar këtë emergjencë ashtu si duhet, por kjo nuk duhet të nënkuptojë carte blanche – as sot, as kurrë.
Garantimi i ruajtjes maksimale të lirive civile dhe llogaridhënies së udhëheqësve tanë, nuk është thjesht një imperativ etik; është gjithashtu linja më e mirë e mbrojtjes që kemi, kundër kërcënimeve si ai me të cilën përballemi sot. Kjo nuk i dobëson shoqëritë tona; përkundrazi, pasuron debatin publik, duke rritur kështu shanset që kemi për të identifikuar përgjigjet më të përshtatshme ndaj pandemisë.
Së dyti, ne nuk duhet të ngatërrojmë përgjegjësinë patriotike – e cila pa dyshim do të jetë e nevojshme dhe e mirëpritur – me format ekskluzive të nacionalizmit. Kjo nuk është koha për t’ia mbathur, apo për t’iu nënshtruar panikut dhe çlirimit të instinkteve tona më të këqija. Kriza e vazhdueshme do të zgjidhet vetëm përmes racionalitetit, dhembshurisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, brenda dhe përtej kufijve tanë. Të gjitha rrugët e bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik ndërkombëtar duhet të hulumtohen, dhe gjithmonë në një frymë solidariteti, i cili sot, më shumë se kurrë, përputhet plotësisht me interesat tona. Çelësi për të kapërcyer krizën aktuale është të sigurojmë që përhapja globale e praktikave më të mira, të parakalojë përhapjen globale të virusit.
Së fundmi, duhet të sigurohemi që peizazhi socio-ekonomik që del nga kjo luftë metaforike të mos jetë aspak i ngjashëm me atë që mbetet pas, nga një luftë reale. Përpjekjet për rindërtim duhet, me fjalë të tjera, të konceptohen në mënyrë parandaluese sesa në mënyrë reaktive, dhe makineritë që përthithin goditjen duhet të fillojnë të punojnë me shpejtësi të plotë dhe menjëherë.
Institucionet e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së gjithashtu duhet të angazhohen për të bërë çfarëdo që nevojitet në këtë drejtim, në mënyrë që të ngrihn në lartësinë e sfidës. Organizata dhe forume të tjera shumëpalëshe gjithashtu do të jenë të domosdoshme në hartimin e një përgjigje të përbashkët efikase. Duke parë më tej në të ardhmen, do të duhet të sigurohemi të mos harrojmë virtytet e shumta të globalizmit – që natyrisht kërkon rivlerësim të kujdesshëm, por jo refuzim të plotë.
Gjatë javëve të ardhshme, shumë gjëra do të jenë në lojë kolektivisht, dhe për disa prej nesh edhe individualisht. Sot, pasiguria rreth asaj se si do të duket bota pas pandemisë është e përhapur. Por ne e dimë se do të ndërtohet mbi fjalët dhe veprat që zgjedhim tani. Do të bënim mirë, pra, ta shihnim në sy të keqen që kemi përballë, duke mos humbur kurrë vështrimin nga e ardhmja jonë dhe ajo e brezave të ardhshëm.
Njerëzimi ka kaluar prova dhe më të rënda se sa kjo, dhe veprimet që kërkohen sot nuk janë aspak të barabarta me ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por dhe nëse kriza e COVID-19 nuk do të kujtohet si “ora më e mirë” e vendeve tona rspektive – për të huazuar fjalët. Churchillit, të paktën le ta kujtojmë si orën tonë më të mirë. / Project Syndicate – Bota.al