E premte, 4 Tetor, 2024

NJË HORIZONT I RI I QENËSISË EUROPIANE

Editorial i KDP

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tashmë po hyjnë në një fazë tjetër në procesin e integrimit europian. Çelja e bisedimeve për anëtarësim është drita në fund të tunelit, shpresa për një kthesë vendimtare, për të përbrendësuar vlera dhe standarde tjera për qytetarët.

Me shumë ngërçe dhe me një tranzicion traumatik, procesi i integrimit tashmë ka para vetes një horizont tjetër, që me shumë gjasa do të nxitë dhe afirmojë transponime tjera politike dhe përgjithësisht shoqërore në sinkron me gjithë paradigmën e funksionimit të BE-së.

Çelja e negociatave është një moment i shumëpritur, një lajm shpresëdhënës për të dy vendet, por edhe përgjithësisht për Ballkanin Perëndimor, sepse përfundimisht rajoni po futet në një dimension tjetër të afirmimit dhe kultivimit të një të ardhmeje koordinatat e së cilës tashmë kërkojnë reflektim të gjerë institucional dhe shoqëror në drejtim të përbrendësimit të një sistemi vlerash që krijon hapësirë lirie dhe mirëqenie koherente.

Ky është një lajm i mirë, në atmosferën e zymtë dhe kufizuese të virusit korona. Një lajm që inkurajon për të çuar më tej angazhimin politik, angazhimin e gjithë aktorëve tjerë të jetës shoqërore në drejtim të kultivimit të pandërprerë të vlerave demokratike.

Çelja e negociatave hap një dritare të re për perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Qenësia europiane e pranishme gjatë tërë kohës, por shpeshherë e zbythur keqas nga politikat e papërgjegjshme, tashmë ka fituar një frymëzim të ri, që në proces e sipër do të duhet të operacionalizohet në politika të mira, në praktika europiane, në reflektime institucionale që dimensionojnë pritjet për normalitet demokratik dhe për funksionim koherent institucional në përputhje me konceptet dhe praktikat europiane.

Çelja e negociatave nënkupton gjithashtu edhe një përkushtim shumë më të thellë politik dhe institucional ndaj gjithë agjendës së reformave që vijnë si rekomandime nga BE. Interaksioni i përhershëm me institucionet europiane në procesin e bisedimeve jep gjithashtu shpresë për ndryshim mendësie, për një perceptim të ri të gjithë planimetrisë së funksionimit institucional, që tashmë duhet të jetë në lartësitë e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, informimit objektiv, luftës kundër korrupsionit dhe një sërë përmasash tjera që i japin kuptim hapësirës së lirisë që politikisht dimensionohet në principe dhe norma funksionimi në të mirë të qytetarëve.

Një hapësirë lirie dhe perspektive tashmë shtrihet përpara dy vendeve. Një proces që nënkupton interaksione të shumta, por edhe sinergji kreative për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave në këtë rrugëtim jo të lehtë.
Çelja e negociatave hap përfundimisht një horizont tjetër afirmimesh demokratike. Të gjithë së bashku duhet të jemi pjesë e këtij procesi, pjesë e kësaj ëndrre, pjesë e paradigmës dhe qenësisë europiane, që nënkupton vlera koherente, mundësi dhe shpresë për mirëqenie për gjithë qytetarët.

Të fundit