E hënë, 7 Tetor, 2024

Ministrat miratojnë nisjen e bisedimeve evropiane për Maqedoninë e V. dhe Shqipërinë

Këshilli i Çështjeve të Brendshme i Bashkimit Evropian miratoi të martën hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendimi u mor gjatë një takimi ministror, i cili u organizua në format të telekonferencës për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.

Takimi ministror vazhdon ende, por pjesëmarrësit njoftuan përmes rrjeteve sociale për rrjedhën pozitive të debatit.

Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, shkroi në Twitter se, më në fund, është dhënë drita e gjelbër për nisjen e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin.

Këtë vendim e konfirmoi edhe komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili tha se është marrë vendimi politik për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me këto dy vende.

“I uroj sinqerisht të dyja vendet”, shkroi ai në Twitter.

Pas këtij vendimi të ministrave të BE-së, vulën përfundimtare duhet ta japin shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së.

Samiti i rregullt, i cili është dashur të mbahet më 26 dhe 27 mars, është shtyrë për shkak të situatës me koronavirus, por udhëheqësit do të marrin pjesë në një video-konferencë, ku po ashtu do të diskutojnë për masat kundër koronavirusit.

Në tetor të vitit të kaluar, Franca e ka bllokuar vendimin pozitiv për Tiranën e Shkupin, duke kërkuar reforma të mëtejshme nga to, por edhe reformim të vetë procesit të zgjerimit të BE-së.

Për rrjedhojë, javë me parë është paraqitur metodologjia e re e zgjerimit të BE-së.

Të fundit