E premte, 26 Korrik, 2024

Koronavirusi jam. Unë do të iki, por…

Koronavirusi jam. Unë do të iki …, por mos më detyroni të kthehem!

Autor: Lutfi Dervishi 

Siç kanë ikur të gjithë të tjerët para meje, siç ka ikur murtaja, kolera, sarsi, gripi derrit, gripi stinës… edhe unë një ditë do të iki, po mirë është të mos ju marr malli për mua…

1. Do t’i mbani zogjtë vetëm në kafaz apo do t’i leni të cicërojnë në qytet si këto ditë?

2. Do të ndaloni “turravrapin” si këtë javë, apo do të suleni sërish në makina, porte e aeroporte….?

3. Do të shijoni ajrin e pastër nga ballkonet dhe dritaret apo si dikur do të keni frikë të hapni dritaret e do të merrni malet për pak ajër të pastër?!

4. Do të vijoni të lexoni libra si këto ditë apo librat do t’i prekni vetëm me napë për t’i pastruar pluhurin?

5. Do t’iu marr malli për pluhurin si këto ditë apo si dikur pastrimi i pluhurave në shtëpi dhe kudo do të jetë rutina juaj e përditshme?

6. Do të përshëndeteni me njëri- tjetrin si këto ditë me dorë në zemër/me tundje të lehtë të kokës/rme pëllëmbët bashkuar si “kinezët” apo do të putheni në faqe nga tre herë…?

7. Do t’i dëgjoni e respektoni mjekët si këto ditë apo … do t’i ktheheni vesit të vjetër me sharje, me mallkime e ..grushta ndaj mjekëve?!

8. Do të respektoni mësuesit që ju edukojnë fëmijët, që merren jo me një e dy po me 30 fëmijë apo ju pëlqen t’i mësoni ju në shtëpi si këto ditë?

9. Do të ecni në këmbë si këto ditë apo edhe për 500 metra do të ndizni makinën?!

10…A ju ka marrë malli për prindërit, për shokët e miqtë apo keni nevojë të rri edhe pak pa i takuar……?!

Mirë është të mos ju marrë më malli për mua se …unë kthehem sërish.

Të fundit