Përmbi fushatën për zgjedhjet e 12 prillit qëndron hija e rrezikut që nuk guxon të shpërfillet me mendjelehtësi dhe pasion fitoresh dhe turmash politike. Partitë mbase ndërkohë do të duhet të mendojnë strategji tjera zgjedhore që do të jenë në përputhje me situatën e krijuar nga përhapja e mundshme e coronavirusit, gjegjësisht preventivës për të mbajtur larg tash për tash këtë “të panjohur”, që po përshkon botën. Takimet me më pak njerëz, format online të komunikimit janë disa nga mënyrat që mund të shmangin tubimet e mëdha. Pra, racionalitet në vend të pasionit.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Epidemia e Coronavirusit tashmë ka mobilizuar botën për të ndërmarrë masat e nevojshme. Kina, Italia dhe Irani si vende më të prekura nga ky virus po bëjnë një betejë të jashtëzakonshme për të parandaluar përhapjen e virusit. Tashmë dihen shifrat të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërkohë që numri i të infektuarve gjithnjë shënon rritje, por jo në atë shkallë për ta shpallur si pandemi. Harta e shteteve që janë të prekur nga ky virus gjithnjë e më tepër po zgjerohet, ndërkohë që thirrjet për kujdes nga OBSH-së dhe ekspertë të shumtë ndërkombëtar gjithnjë po bëhen më të pranishme.
Edhe në vendet e rajonit tashmë janë shënuar rastet e para të infektimit me virusin korona. Në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht janë bërë të ditur katër raste, ndërkohë që edhe në Shqipëri tashmë janë regjistruar dy rastet e para. Raste të depërtimit të virusit janë regjistruar edhe në Serbi, Mal të Zi, ndërsa në Kosova vazhdon të mbetet e paprekur. Ky virus është tashmë i pranishëm edhe në rajon, ndërkohë që vendet e rajonit ka ndërmarrë masat e duhura për parandalimin e përhapjes.
Fillimisht, ky virus vdekjeprurës ishte shfaqur në Vuhan të Kinës, para me tepër se një muaj, por tashmë rastet e infektimit janë shfaqur në më tepër shtete. Transmetimi nga njeriu në njeri, ka krijuar në gjendje emergjente në nivel global, sidomos për faktin që kohët e tanishme të globalizimit krijojnë hapësirë dhe rrezik shumë më të madh të përhapjes.
Praninë e panikut në nivel global ekspertët e shpjegojnë me faktin se shkenca pavarësisht nga përpjekjet e shumta akoma nuk ka arritur ta identifikojë prejardhjen dhe natyrën e virusit. Përkundër shumë analizave profesionale akoma nuk dihet me çfarë virusi realisht po përballet njerëzimi dhe nuk dihet nëse ai mund të pësojë mutacione. Interpretimet shkencore janë të ndara. Një palë studiuesish vlerëson se me rritjen e temperaturave ky virus do të “digjet” si gjithë të tjerët, ndërkohë që një palë tjetër profesionistësh të mjekësisë hamendësojnë nëse virusi do të eliminohet me ngrohjen e motit.
Shumë shtete tashmë janë vënë në kërkim të një vaksinë kundër virusit, ndërkohë që SHBA-të kanë akorduar një shumë miliardëshe për të gjetur një vaksinë dhe për ta parandaluar përhapjen e tij. Bota, sidoqoftë, ndodhet përpara një virusi të panjohur me rrezikshmëri të lartë, por jo edhe para dorëzimit. Rastet e vdekjeve dhe rastet e rikuperimeve në krahasim me viruset tjera raportohet se janë në përqindje shumë më të ulëta, por vetë fakti që virusi akoma mbetet në një terren të panjohur për shkencën shpërfaq një frikë gati ontologjike. Nga shumë ekspertë dhe përfaqësues politikë të vendeve është thënë se mbase shfaqja dhe trajtimi i virusit në media mbetet e ekzagjeruar, ndërkohë që njëkohësisht bëjnë thirrje për kujdes, duke rekomanduar edhe mënyrat se si mund të mbrohemi.
E panjohura që atakon qenien njerëzore gjithnjë ka ngjallur frikë dhe panik. Sipas shumë ekspertëve, pikërisht ky aspekt i coronavirusit, po krijon shumë panik ndër njerëz. Sidoqoftë, ky virus është i pranishëm te qenia njerëzore dhe rreziku duhet të shihet me shumë realizëm, pa glorifikime, por edhe pa neglizhencë nga institucionet shtetërore. Pavarësisht nga interpretimet për rrezikun nga ky virus duket se bota po futet në një dimension tjetër emergjence që sipas shumë ekspertëve do të ketë edhe pasoja tjera, sidomos në aspektin ekonomik.
Maqedonia e Veriut, tashmë ka regjistruar katër raste të coronavirusit. Përfaqësues të ministrisë së shëndetësisë zyrtarisht i kanë kumtuar këto raste, ndërkohë që janë dhënë rekomandimet e nevojshme për preventivë dhe është bërë thirrje për shmangie të çdo tubimi çfarëdo qoftë. Shqipëria që tashmë ka regjistruar dy raste ka ndërmarrë masa më drastike. Bëhet e ditur se me vendim të qeverisë shkollat do të mbyllen deri më 23 mars. Në Maqedoninë e Veriut, përkundër faktit që janë regjistruar katër raste akoma nuk ka paralajmërime për pezullim të mësimit. Nuk dihet se si do të zhvillohen ngjarjet ndërkohë, por mbetet shumë e rëndësishme që rreziku nga coronavirusi të shihet me shumë realizëm nga institucionet e shtetit dhe gjithsesi edhe nga vetë qytetarët.
Përtej shakave të zakonshme tipike për ambientin tonë, mbetet shumë e rëndësishme që rreziku nga coronavirusi të shtojë preventivat institucionale dhe të ndërgjegjësojë njerëzit për gjithë spektrin e masave parandaluese që duhet ndërmerren në ndërkohë.
Siç dihet Maqedonia e Veriut është edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat nënkuptojnë tubime të partive politike me qytetarët. Në kohë fushatash, zakonisht gjëja e parë që merr goditje është racionaliteti. Sado që mund të duket e glorifikuar, coronavirusi do të ketë ndikimin e vetë edhe në procesin e fushatës zgjedhore. Mbase si ballkanas mund edhe të mos e çajmë kokën fare, por rreziku mbetet aty, “i panjohuri global” është aty për të na bërë të kuptojmë se politika në kohën e coronavirusit detyrimisht do të duhet të zbythet në një racioanlitet tjetër, larg nga dallditë e “muskujve” parazgjedhor që demonstrohen në mitingje të mëdha të partive politike.
Përderisa rreziku vazhdon të jetë i pranishëm dhe nuk dihet se kur mund të ketë një situatë tjetër me coronavirusin, politika do të duhet ta përformojë veten në dimensione tjera në përputhje me preventivën që e dikton virusi akoma i panjohur që po merr jetëra njerëzish. Përtej frikës, panikut, moskokëçarjes dhe glorifikimit, institucionet shtetërore dhe qytetarët përgjithësisht do të duhet të kultivojnë ndërgjegjësimin dhe masat parandaluese kundër coronavirusit. Përmbi fushatën zgjedhore të 12 prillit qëndron hija e rrezikut që nuk guxon të shpërfillet me mendjelehtësi dhe pasion fitoresh dhe turmash politike.
Partitë mbase ndërkohë do të duhet të mendojnë strategji tjera zgjedhore që do të jenë në përputhje me situatën e krijuar nga përhapja e mundshme e coronavurisit, gjegjësisht preventivës për të mbajtur larg tash për tash këtë “të panjohur”, që po përshkon botën. Takimet me më pak njerëz, format online të komunikimit janë disa nga mënyrat që mund të shmangin tubimet e mëdha.
Sidoqoftë, jetojmë në Ballkan dhe këtu gjithçka është realizëm magjik. Njëjtë si në letërsinë latino-amerikane. Njëjtë sin ë “Dashuri në kohërat e kolerës”, apo “ Njëqind vjet vetmi” të Markezit. Mund të ndodh gjithsesi të neglizhohet gjithçka dhe të kemi “politikë” në kohën e coronavirusit. Jemi në Ballkan dhe e “panjohura” nganjëherë skajshmërish neglizhohet ose shndërrohet në një shaka gati postmoderne.