E martë, 23 Prill, 2024

ÇFARË DUHET TË DIJMË PËR MIQËSINË ME AMERIKANËT?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të jetë më shumë realist e parimor, e më pak emotiv, kur bëhet fjalë për këtë proces historik.

Autor: Xhelal Neziri 

Çdo president amerikan ka doktrinën e tij të politikës së jashtme. Vendet e vogla nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë në këto strategji, e aq më pak t’i ndryshojnë. E vetmja gjë e mençur që mund të bëjnë është të jenë partner konstruktiv, i sinqertë dhe i përkushtuar në zbatimin e tyre. Pra, të shohin interesin e tyre në korniza të atyre strategjive. Kuptohet, nëse dëshirojnë të jenë në aleancë me SHBA-në, si fuqi më e madhe globale.

Tani kur në Kosovë dhe më gjerë në gjeografinë shqiptare është hapur debati “nëse duhet t’i dëgjojmë amerikanët për gjithçka”, sidomos mesazhet e qarta të Richard Grenell (i dërguar i posaçëm i presidentit Trump në dialogun Prishtinë-Beograd) për heqjen e taksës 100% ndaj prodhimeve serbe pa vendosjen e reciprocitetit, duhet të kihen parasysh edhe pasojat e armiqësimit eventual, si rezultat i kundërshtimit të doktrinës aktuale amerikane.

Edhe pse ruajnë një konstantë të njëjtë vlerash demokratike, mbi të cilat është ngritur dhe funksionon shteti amerikan, doktrinat e presidentëve të ndryshëm dallojnë në parimet, interesat dhe qasjet që përdorin në politikën e jashtme.  “Doktrina Bill Clinton” kishte fokusin në ndaljen e gjakderdhjes në ish-Jugosllavi dhe me një fjalë përmblidhej  kësisoj: “Duhet të jemi kudo dhe të bëjmë gjithçka që të ndalim luftërat”. Kjo solli intervenimin ushtarak në BeH, Kosovë dhe në disa vende afrikane.

Doktrina e George W. Bush kishte dy komponente: unilateralizmin dhe intervenimet ndaj një lufte të paragjykuar (goditje armikut  para se ta fillojë një luftë). Njohja e Kosovës ishte një intervenim para se Rusia të forconte pozicionet në Ballkan.

Barack Obama zbatoi doktrinën “negociata dhe tentim për ndryshime pozitive para konfrontimit dhe aksioneve unilaterale”. Ballkani nuk ishte dhe aq në agjendën e kësaj doktrine, ndërkohë që ndryshime pozitive tentoi të nxisë me Pranverën Arabe dhe përkrahjen e forcave demokratike në vendet diktatoriale dhe autokratike.

Doktrina e Donald Trump bazohet në të ashtuquajturin “realizëm parimor”, ku para intervenimit ushtarak duhet provuar që vendet problematike të shtyhen (me presion dhe sanksione) drejt ndryshimeve pozitive (Kore e Veriut, Iran, Kinë…) dhe të mbrohet interesi amerikan. Kjo doktrinë nuk ka të bëjë aspak me slloganin parazgjedhor “America first” e as me izolacionizmin e parashikuar, por përkundrazi – SHBA përfshihet më seriozisht se kurrë më parë në zgjedhjen e çështjeve më të komplikuara, siç është rasti i Kosovës. Sa i përket Ballkanit tani interes amerikan është edhe heqja e Serbisë nga sfera e ndikimit rus dhe rindërtimin e urave të miqësisë edhe me këtë vend. E për shkëputjen nga Rusia, Serbia pret një ofertë joshëse nga SHBA, e cila doemos se përfshin edhe “shtegun” për njohjen e Kosovës. Ky shteg gjithësesi se do të paraqesë një kompromis të rëndë për të dyja palët, me kosto të lartë në politikën e brendshme.

Pra, kohërat dhe doktrinat amerikane kanë ndryshuar. Duke zbatuar doktrinën e tij, Clinton ishte njeriu kryesor që inicoi bombardimin e Serbisë nga NATO në vitin 1999 për ta parandaluar regjimin e atëhershëm të Beogradit në ofensivën ushtarake në Kosovë, e cila kishte mundësi të madhe të prodhonte krime edhe më të tmerrshme nga ato që janë evidentuar në Ballkan. Por, tani Trump ka doktrinën e tij, e bazuar në real-politikën ftohtë, ku SHBA ka për qëllim të izolojë sa më shumë Rusinë në ushtrimin e ndikimit të saj në Ballkan dhe Evropë.

Çdo oponencë ndaj këtyre doktrinave, me ose pa qëllim, i reshton këto vende në anën e kundërt të SHBA-së. Kështu, me ose pa vetëdije, i shndërron ato në mjet armiqve të amerikanëve, duke i bërë më të prekurit nga pasojat e përplasjes së aktorëve të mëdhenj në rrafshin global apo rajonal.

Andaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të jetë më shumë realist e pragmatik, e më pak emotiv, kur bëhet fjalë për këtë proces historik. Fuqitë e mëdha e shohin Ballkanin si një tërësi dhe konform kësaj e kanë qasjen. Në këtë tërësi çështja është të mos krijohet imazhi i plan-prishësit dhe problem-bërësit, pasi në atë rast e paguan tërë çmimin e dështimit të procesit, edhe pse mund të mos jesh fajtori.

Të fundit