Që nga viti 2008 kur u anëtarësua në NATO, Shqipëria ka përfituar shumë në performancën e ekonomisë së vendit, ndërsa Maqedonia e Veriut ka filluar të ndjejë efektet e para pozitive të anëtarësimit ende të paformalizuar. Vetëm në vitin 2017 në Shqipëri janë regjistruar 1.017 miliardë euro investime të huaja të drejtpëdrejta, tregon analiza e KDP-së duke u bazuar në të dhënat e Eurostat.
Autor: Lorik Idrizi
Ndërsa rroga mesatare në 2008-ën ka qenë 36 mijë lek, apo afër 300 euro, dhjetë vite pas anëtarësimit në NATO ajo është afër 60 mijë lekë, apo 500 euro. Në vitin e anëtarësimit (2008) Shqipëria ka regjistruar investime të huaja të drejtpërdrejta në vlerë prej 150 milionë eurosh, kurse një vit më pas të njëjtat rriten për 130%, duke arritur në 350 milionë euro. Ndërkohë, numri i të punësuarve u rrit nga 900 mijë në afër 1.15 milionë.
Si një Aleancë jo vetëm ushtarake, por edhe politike, NATO nuk garanton vetëm sigurinë e anëtarit të saj por nxit edhe kultivimin e vlerave demokratike, luftën e krimit dhe korrupsionit, funksionim të pavarur të gjyqësisë, stabilitet financiar, efektivitet në shpenzimet publike, rritje ekonomike dhe investime të huaja të drejtpërdrejta.
Këto elemente përbëjnë të ashtuquajturin “NATO efekt”, të cilin e kanë përjetuar vendet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit, të cilat më shumë se 10 vite janë anëtare të kësaj strukture.