Autor: Sefer Selimi Jr.
Nuk e di se ku e ka zanafillën keqinterpretimi i datës së 8 Marsit si dita e nënës dhe shpërfytyrimi i kësaj dite për protestë në një festë me këngë e valle restoranteve të mbushura vetëm me gra. Mbase pa vetëdije dhe e imponuar nga konteksti lokal që pjesëmarrja në festë është protestë, kjo traditë vazhdohet edhe nga vajzat e reja dhe duket që do të vazhdoj edhe për shumë kohë. Që të jem i qartë, nuk jam kundër festës por ç’kuptim ka një festë e cila nuk celebron një fitore, një arritje apo një avancim të caktuar?
Duke qenë se jemi në kohë fushate zgjedhore do të ishte mirë që të hedhim një vështrim mbi situatën e përgjithshme të përfaqësimit të grave në politikë duke analizuar pasqyrën nga aktiviteti i tyre publik por pa numra sepse do të ishte shumë dëshpëruese.
Mjafton të nisemi dhe t’i analizojmë fotografitë nga aktiviteti elektoral i partive politike dhe do të gërditemi nga koncetrimi i aq shumë testosteroni në një vend të vetëm. Burra të të gjitha kalibrave, me kollare e plis në kokë, të qeshur e të zymtë, mjekë e bujq, sipërmarrës e shitës të zakonshëm por ajo që nuk mund të gjesh janë gratë, të asnjë soji. Sa për të thyer monotoninë, ndonjë nga politikanët që ka pak sens për PR publikon ndonjë foto nga bashkëbisedimi i rastësishëm me ndonjë loke që e ka ndalur në rrugë, mbase për ta qortuar ose për ti kërkuar një vend pune për djalin e saj, sepse edhe aty vajza nuk ka prioritet – ajo është e derës së huaj. Realiteti i kësaj situate është i qartë, me gratë nuk ka pse të bisedohet sepse për votën e tyre vendosin burrat. Gjithë kësaj fotografie mund t’ia ngjitni edhe fotografinë pasuese të ditës së votimit kur rrugës për në kutinë e votimit i përsëritet për herë të fundit se cilin numër duhet rrethuar, në qoftë se nuk voton ai vetë edhe për gruan e tij.
Megjithatë gjërat kanë ecur një çik përpara dhe partitë politike disi kanë filluar të flirtojnë me idenë romantike të përfshirjes më të madhe të grave në politikë. Pak e imponuar nga kuotat ligjore për përfshirjen e tyre në listat zgjedhore e pak nga presioni i vazhdueshëm publik, paralajmërimet janë që numri i përfaqësimit të tyre, të paktën në listat zgjedhore, do të ritet. Por sa vërtet është pesha e tyre në vendimmarrjen politike? Mjafton të mundoheni të kujtoni ndonjë emër të përveçëm që përfaqëson politikat e partisë në debate publike, posaçërisht në ato debate që zhvillohen në media ku edhe publiku por edhe impakti është më i madh. Për fat të keq, rrallë e përmall tek tuk mund t’ju kujtohet se diku në ndonjë emisionin debativ, ndonjë grua që mbron qëndrimet e partisë së saj, posaçërisht për tema të rënda dhe të ndjeshme. Kjo më sjell në konkluzion se partitë politike, posaçërisht ato me prefiksin shqiptar por jo vetëm, funksionojnë të udhëhequra nga mentaliteti se punët e mëdha janë për burra.
Punët e mëdha janë për burra andaj edhe gratë i ndajnë në dhoma të veçanta – forume ose asamble të grave ku ato mund të argëtohen duke folur mbi gjithçka tjetër por jo për të ndërmarr hapa radikal në avancimin e pozitës së tyre, sepse po ta kishin bërë këtë nuk do të duhej të ekzistonte forumi i gruas por ato do të ishin të përfaqësuara, madje edhe duke udhëhequr shumë nga organet partiake.
Do të ishte me interes të bënim një ‘’fotografi familjare’’ me udhëheqësit e pozicioneve më të rëndësishme politike në strukturën qeverisëse për të parë reflektimin e vërtetë të shoqërisë sonë, një shoqëri maskiliste që gruan e përdorën vetëm si dekor dhe për simbolikë.
Realiteti është i trishtë por duhet thënë, ndryshe do të ngelim peng i këtij mentaliteti mesjetar ku publiku dominohet përmes muskujve dhe jo intelektit, përmes forcës fizike dhe jo asaj mendore. Lufta për barazi gjinore nuk është luftë për dekor femëror, nuk është as luftë për favorizim të një pjese të shoqërisë por është një luftë shumëdimensionale për shanse të barabarta, për meritokraci profesionale. Prandaj, në vend të festës duhet të ketë protestë të cilës nuk duhet t’i paraprinë gratë por të gjithë ne që duam të jemi një shtet normal, me një shoqëri normale.