E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Për bashibozukët, paramilitarët e mercenarët politik 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Tani më kur aradhat e ushtrive partiake po ngjeshen me militantët, paramilitarët dhe mercenarët partiak për përballjen e pritur të 12 Prillit, në pah duken edhe strategjitë fillestare të kundërshtarëve politik. Beteja e parë veç më ka filluar në rrjetet sociale online dhe bashibozukët e armatosur me #hashtag-e dhe sloganet e para partiake testojnë fushëbetejën që pritet të ashpërsohet javët në vazhdim. Kampet politike janë drejtë pozicionimit të fundit në ndërkohë që çadrat e udhëheqësve të tyre veç më janë ngritur. Në vazhdë janë përmbylljet e fundit të aleancave të ndërtuara mbi parimin: ‘’Armiku i armikut tim, është miku im’’ – pavarësisht kostos që do duhet të paguhet edhe në rast të një fitoreje eventuale dhe mundësisë që pas përfundimit të kësaj beteje aleatët e vjetër do të kthehen në armiqtë të rinj. 

Në politikë, posaçërisht në hapësirat ku mungon kultura politike dhe ndërgjegjja kolektive për të mirën e përgjithshme, vendimet merren duke u nisur vetëm nga interesat individuale dhe ato të momentit, pa kokëçarje për atë se cilat do të jenë pasojat në afatgjatë edhe për vetë vendimmarrësit. Shija e fitores është aq tunduese që ‘’për inat të nuses, vrasim edhe djalin’’ dhe ‘’për një plesht, djegim gjithë kasollen’’. Por, kush i paraprinë kësaj beteje:

  1. Bashibozukët – janë niveli më i ulët i ushtarëve partiak, individë që gëzojnë ndonjë privilegj të vogël të siguruar nga partia dhe me aspirata që pas fitores të rriten në grada. Këta nuk kursejnë asgjë nga karakteri i tyre dhe me sharje, fyerje dhe ofendime sulmojnë gjithkënd që nuk është me ta, pavarësisht që ata mund edhe të mos jenë kundër tyre. Pjesa më e madhe e tyre janë analfabetë funksional që nuk munden të përfundojnë në rrjedhë logjike as një paragraf të vetëm dhe sharjet e tyre janë të mbushura me gabime gjuhësore, pa shenja pikësimi. Këta janë të parët që i gjen në komente, statuset e kundërshtareve dhe poshtë çdo lajmi duke lëvduar liderin dhe partinë. Në mesin e tyre mund të gjesh tek-tuk edhe ndonjë të arsimuar, pseudointelektual të papërmbushur dhe të dështuar profesionalisht, që frustrimet e dështimit ia mveshin gjithmonë dikujt tjetër, natyrisht nga partia kundërshtare. 
  2. Paramilitarët partiak – Janë gjysmë profesionist politik që vinë nga profesione tjera, kryesisht që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me masa të gjëra të popullatës përmes profesioneve të tyre primare. Këta, luftën e zhvillojnë kryesisht në stil gueril me sulme të kamufluara, qoftë përmes palëve të treta, qoftë përmes profileve të rrejshme. Roli i tyre primar është të shpërndajnë informacione në masë tek pjesa tjetër e ushtrisë duke mbajtur gjallë moralin e tyre dhe duke i furnizuar me informacione kryekëput kundër armikut politik. Informacionet janë kryesisht gjysmë të vërteta të cilat nxisin konspiracione dhe rrisin dozën e urrejtjes për kundërshtarin dhe parimi kryesor është ‘’lajmi i keq është gjithmonë lajmi më i mirë’’. Specialiteti i tyre është krijimi i ndjesisë së depresionit kolektiv, dëshpërimit dhe vrasjes së shpresës dhe duke përdorur taktikën e ‘’hedhjes së gurit duke e fshehur dorën’’.
  3. Mercenarët partiak – Janë kryesisht intelektual të kalibrit të ulët të cilët arritjet e tyre profesionale i kanë fituar nga partia. Këta janë në krye të detyrës për të gjetur arsyetime për të gjitha dështimet, politikat e këqija dhe vendimet e gabuara. Këta nuk i bren ndërgjegjja edhe kur me vetëdije të plotë gënjejnë para publikut dhe e dinë që të gjithë e dinë që ata gënjejnë. Për mercenarët nuk ka rëndësi e vërteta, ka rëndësi çmimi. Për ata nuk ka rëndësi cilat do të jenë pasojat, rëndësi kanë privilegjet. Llogaritja e tyre është e saktë sepse bëhet me matematikë, me numra dhe konstantja e përjashtuar është gjithmonë e vërteta. 

Në ushtritë e partive ka edhe regjimente të tjera të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme por të gjitha kanë rolin dhe rëndësinë e tyre në betejën për pushtet. Javët në vazhdim do të shohim lëvizjet taktike nga gjeneralët të cilët po vendosin pikat e fundit në strategjitë e tyre për t’ia sjellë fitoren liderit në çadrën e kampit të tyre politik. Për plaçkën e luftës do flasim pas përfundimit të saj.         

Të fundit