E shtunë, 18 Maj, 2024

ÇËSHTJET “KOMBËTARE” DHE ATO “KOT FARE”

Autor: Xhelal Neziri 

“Haraçinë, s’ka kantonizim, ka kanalizim”. Kështu ka shkruar në profilin e tij në Facebook  lideri i LSDM-së qeverisëse Zoran Zaev, duke publikuar fotografi nga ekskavatorë duke hapur një kanal. Më poshtë komente kundërshtuese të banorëve të Haraçinës, fshatit me shumicë shqiptare në afërsi të Shkupit ku fiton LSDM-ja: nuk mund në shekullin 21 të lavdëroheni me një kanal. Por, edhe shumë “like”.

Për njerëzit që nuk jetojnë në këtë fshat çështja e kanalit është kot fare, por për banorët një problem serioz. Ujërat e zeza dhe industriale kanë qenë burim i sëmundjeve të ndryshme. Sa e sa funksionarë shqiptarë kanë premtuar se do ta zgjidhin këtë çështje, por e kanë harruar se u është dukur kot fare.

Dhe kemi Zaevin, ish-kryeministrin, që me këtë kanal sërish dëshiron të fitojë vota nga shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut.

Fraza “nuk do të ketë federalizim, por kanalizim” u përdor në vitin 2016 nga Zaev si përgjigje ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së se “ka pranuar marrëveshje me shqiptarët për federalizimin e vendit”. Kjo frazë njëkohësisht është sinonim i artikulimit nga LSDM-ja i çështjeve të harruara nga partitë shqiptare, të cilat zakonisht merren vetëm me temat e mëdha. Në këtë mënyrë Zaev u fut në garë për vota të shqiptarëve etnikë, me premtimet për: rrogë mesatare 500 euro, rrogë minimale 250 euro, vende të reja të punës, kanalizime, ujësjellës, ajër të pastër, pastrim të deponive të egra…

Problemi është te mungesa e ofertave kreative te partitë shqiptare. Ato nuk ofrojnë luftë të njëmendtë e të pakompromis kundër korrupsionit, apo departizim të arsimit dhe administratës, nga shkaku se këto dukuri i përdorin për të fituar zgjedhjet, si dhe nuk ofrojnë zgjidhje për problemet e prekshme të qytetarit shqiptar pasi u duken “çështje të vogla”.

Përcaktimi i nevojave njerëzore të shqiptarëve dhe lidhja e tyre me veprimin politik është një filozofi që ka munguar dhe vazhdon të shihet me pesimizëm nga lëvizjet politike te shqiptarët. Mungesa e real-politikës si filozofi veprimi politik te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka sjellë pasoja, të cilat tani më veç janë të dukshme dhe të prekshme. Sipas një hulumtimi kredibil, nga viti 2006 e këndej 200 mijë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut e kanë braktisur vendlindjen dhe kanë ikur jashtë. Pra, më shumë se një qytet i tërë. Arsyeja: papunësia, arsimi dhe shëndetësia e rrënuar, paperspektiva, nepotizmi, rrënimi dhe plaçkitja e institucioneve.

Politika e ideologjive e kauzave të mëdha, e getoizimit dhe e konservimit, e vendosur në dimensione abstrakte patetike, duhet të zëvendësohet nga politika reale, konkrete e pragmatike. Duhet patjetër fokus i politikës të jetë njeriu apo shqiptari si qenie njerëzore, që ka të drejta të garantuara me ligje e konventa për të kultivuar identitetin kulturor, etnik, fetar, por edhe që ka poashtu të drejta për punësim, standard të mirë jetësor, kushte të mira në arsim e shëndetësi, bujqësi e blegtori të modernizuar, ekonomi të zhvilluar dhe një shtet ku paqja dhe siguria do të jenë të garantuara nga NATO-ja dhe BE-ja.

Funskionimi i politikës mbi parimin e nevojave reale të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe mbi detyrimet e shtetit ndaj tyre si taksapagues do të zhvendoste çështjet e hapura ndëretnike në një dimension më të qartë politik, ku zgjidhja e tyre do të ishte më e lehtë pasi do të shihej nga këndvështrimi praktig dhe pragmatik e jo nga ai ideologjik.

Vetëm me një ripozicionim të atillë të faktorëve politik Maqedonia e Veriut mund të shndërrohet në një shtet me demokraci funksionale, e qytetarëve të barabartë në të gjithë aspektet.

Hapi i parë drejt instalimit të kësaj filozofie politike janë pikërisht koalicionet parazgjedhore midis partive maqedonase dhe shqiptare, të bëra mbi parimet e afërsive programore dhe marrëveshjeve paraprake për udhëheqjen e shtetit. Këto koalicione do të prodhonin oferta reale jo vetëm për çështjet “kombëtare”, por edhe për ato “kot fare”. /KDP

Të fundit