E hënë, 11 Nëntor, 2024

Macron hedh dyshime për planin e paqes të Trumpit

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ngriti dyshime në lidhje me perspektivën e një zgjidhjeje dy-shtetesh midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Komentet e tij u bën, pasi u pyet për të komentuar planin e paqes për Lindjen e Mesme, të cilin këtë javë e shpalli presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Unë besoj në dy sovranitete”, tha Macron kur u pyet nga gazeta Le Figaro nëse ai besonte në zgjidhjen me dy shtete.

Ai nuk e sqaroi më shumë qëndrimin e tij.

Macron, gjithashtu tha që ai nuk do të paraqiste ndonjë plan të tij, por sugjeroi që plani i presidentit amerikan, mund të hasë në vështirësi për tu zbatuar në terren.

“Ju duhet të jeni dy për të bërë paqen. Ju nuk mund ta arrini atë (paqen) vetëm me njërën anë”, tha ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve, gjatë prezantimit të planit të tij për Lindjen e Mesme.

Megjithatë ai tha se plani parasheh që Jerusalemi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Presidenti amerikan shtoi se plani prej 80 faqesh, që është “më i detajuari” ndonjëherë, premton se shteti i ardhshëm palestinez do të jetë “i lidhur” me Jerusalemin Lindor.

Ai tha se marrëveshja do të “dyfishonte” territorin nën kontrollin e palestinezëve.

Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Statusi përfundimtar i Jerusalemit ka qenë gjithmonë një nga pyetjet më të vështira dhe më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Plani u mirëprit nga Izraeli, por u përshëndet me gjakftohtësi në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Iniciativa u prit me zemërim nga palestinezët dhe u hodh poshtë nga disa vende myslimane.

Të fundit