Militantët nuk dyshojnë në idenë e tyre, sepse mendimi i tyre nuk prodhohet nga leximet, dialogu, toleranca, interaksioni dhe inkluziviteti, por nga kanoni partiak që shpall të vërtetën e madhe, të vërtetën përjashtuese që njeh vetëm “bashkëmendimtarë” dhe “armiq” të padiskutueshëm që duhet të urrehen. Lufta për pushtet në asnjë rast nuk duhet ta dëmtojë demokracinë si shesh lirie dhe afirmimi njerëzor
Autor: Bardhyl Zaimi
Shpesh na lodhin teoritë dhe kërkojmë hapësira tjera ligjërimesh. Gazetaria e kërkon faktografinë që në esencë mbetet një proces i lodhshëm burimesh, citimesh, strukturimesh të paanshme që e reflektojnë një realitet të caktuar, një interes publik, i cili kërkon zhbirime dhe interpretime.
Sa herë që kërkoni t’i shpëtoni ftohtësisë së faktografisë gjithnjë zhyteni në dilema të thella interpretimesh arbitrare ose përshtypjesh që mund të jenë vetëm një opinion i paqëndrueshëm, një refleksion momenti që në të shumtën e rasteve është vetëm një flluskë nga gogësima e realitetit.
Në hapësirën publike të vërshuar nga mediokriteti i “ideve të gatshme” të Floberit mund të dalësh i humbur. Mund të dalësh i humbur sepse në “posmodernitetin” e militantizmit ordiner që rekrutohet nga ideologjitë agresive, racionaliteti mbetet një kështjellë e brishtë që goditet nga të katër anët.
Militantët nuk dyshojnë në idenë e tyre, sepse mendimi i tyre nuk prodhohet nga leximet, dialogu, toleranca, interaksioni dhe inkluziviteti, por nga kanoni partiak që shpall të vërtetën e madhe, të vërtetën përjashtuese që njeh ” bashkëmendimtarë” dhe “armiq” të padiskutueshëm.
Janari hijerëndë përveç acareve ta papërballueshme po sjellë edhe ” shigjetat” e para të betejës së pakompromis që pritet të intensifikohet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me 12 prill. Në skenën politike janë dhënë shenjat e para të padurimeve politike dhe të diskurseve atakuese.
Në hapësirën publike po shfaqen indikacione që në një shtet normal me to menjëherë do të merrej prokuroria. Në skenën politike logjika politike shpeshherë i ekspozohet pas një kohe logjikës së promovuar. Nëse keni promovuar agresivitet, sipas një ligjësie të pashkruar do të bëheni pre e agresivitetit. Është si një energji ciklike që rikthehet në fillimin e fillimeve.
Në hapësirën e këtushme politike gjërat nuk ndodhin në rrafshin e racionalitetit politik, por shpeshherë ripërsëriten deri në banalitet si riciklime metaforike ” makondosh” ballkanike. Nganjëherë realitetet politike nuk mund të interpretohen përmes metodologjive dhe horizontit racional, por vetëm mund të përshkruhen përmes një literariteti paradoksal që imponohet nga ngjarjet, personazhet dhe hijet shekspiriane që janë diku në prapaskenat e ” dinjitetit njerëzor dhe kombëtar”.
Në hapësirën e këtushme publike me rëndësi mbetet se çfarë shpërfaq tash e këtu si “rebel” militant i kauzave personale dhe pak rëndësi ka çfarë ke qenë dje, në emër të cilës parti ke demonizuar të tjerët.
Në demokracitë e pakonsoliduara dhe substancë politike moderne demonizimi mbetet e vetmja ” esencë” e debatit publik. Në “lozhat” e këtij demonizimi janë po të njëjtit demonizues të djeshëm, të cilët tashmë vetëm kanë ndërruar ” kauzat” politike, ato kauza nëpërmjet të cilave rekrutojnë ” ndershmërisht” fidane të reja të mendimit militant.
Mendimi militant mbetet kolerë për mendimin e lirë dhe të argumentuar, mbetet mengene e ndjeshmërive politike dhe kulturore që kërkojnë një hapësirë evolute dhe shndërrimi kualitativ. Mendimi militant është predispozita e parë e një totalitarizmi agresiv që kërkon me çdo kusht ” asgjësimin” e tjetrit që është i ndryshëm si mendim dhe ndjeshmëri.
Mendimi militant kërkon përngjitjen, patosin, ” moralitetin” suprem të shpikur për një situatë të dhënë. Kërkon të padiskutueshmen, ndërkohë që manipulon me pakënaqësinë për hesape personale. Interesi i përgjithshëm aktivizohet vetëm në sezonet e pëlleshme të përfitimeve.
Frymëzuesit e militantëve janë prodhues të agresivitetit dhe të hapësirës publike të mbushur me fyerje, diskualifikime. Të mbushur me dikotomitë fatale ” patriotë” e ” tradhtarë”. Frymëzuesit e diskurseve agresive, vetëm kur fillon t’iu bie maska e funksionimit thirren në ” maturi”. Frymëzuesit cinikë nuk njohin normalitetin, evolutën, por njohin vetëm ngarendjen pas froneve të dikurshme që iu faniten tash si frone të së ardhmes.
Jemi në prag fushate dhe këta frymëzues diskursesh agresive zakonisht shfaqen atëherë kur fillon beteja e dehjeve të tyre personale. Shoqëria si entitet shtresash dhe vlerash të ndryshme mbetet padyshim një arenë përpjekjesh dhe kultivimesh të pandërprera politike dhe kulturore. Pluralizmi politik afirmohet në sheshin e demokracisë si hapësirë konkurrence idesh, konceptesh e vlerash. Partitë politike janë bartës të këtij misioni demokratik dhe kulturor. Lufta për pushtet në asnjë rast nuk duhet ta dëmtojë demokracinë si shesh lirie dhe afirmimi njerëzor. Ky shesh lirie kërkon ide të mirëmenduara, vlera të qëndrueshme dhe afirmim të ndryshmërive si botëshikim dhe si qasje ndaj gjithë asaj që nënkupton politika dhe demokracia.
Jashtë kësaj suaze konceptuale dhe thellësisht humane, rrezikohet të rrëshqitet në agresivitetet e mendimit militant thellësisht shterp ideologjik.
Përfundimisht është koha të tejkalohen këto forma të ngime me prapësi dhe ” rebelime” degësh dhe nëndegësh partiake, për të kaluar në një dimension tjetër të politikbërjes që nënkupton modernitet politik dhe jo ” moralitete” të shpifura militante që metastazojnë si forma bizare të një ” rebelizmi” plebej.
Koha është për kontestime konceptuale dhe programore, për delegjitimime kreative që hapin horizonte tjera politike, kulturore dhe ekonomike. Në këtë fazë nuk mund të hyhet pa projekte konkrete dimensionimesh ideologjike. Nuk mund të hyhet shkel e shko, me logjikat e deritashme. Kërkohet dije dhe vizion i përbashkët i pacifizuar si substancë politike. Zgjedhjet janë afër dhe koha është kaq e shkurtër për të menduar mbi një mal problemesh me të cilat përballen njerëzit.
Disa gjëra janë kaq të prekshme dhe nuk duan sforcime për t’i artikuluar si vizion politik. Përndryshe do të ngadhënjejë apatia dhe hovi i zbrazjes i kësaj hapësire. Do të ngadhënjejë kukama e militantëve dhe frymëzuesve të tyre që janë mbërthyer në lozhat e përfitimeve!