E shtunë, 12 Tetor, 2024

LIGJI PËR PROKURORINË NË LABIRINTET E POLITIKËS

BE ka kërkuar që sa më shpejt të jetë e mundur të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike. Ky ligj mund të jetë vendimtar para mbajtjes së samitit të BE-së në maj, në Zagreb. Analistët vlerësojnë se duket e pamundur që qeveria teknike ta miratojë këtë ligj, në kohën kur një gjë të tillë nuk ka mundur ta bëjë qeveria politike. Liderët e partive politike shfaqin gatishmëri për t’u harmonizuar në një takim liderësh.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Miratimi i ligjit për Prokurorinë Publike para samitit të BE-së në Zagreb nuk ka mundësi të ndodh, duke pasur parasysh faktin që qeveria ndodhet në mandatin e qeverisë teknike, shprehet profesori universitar Qani Nuhiu. Sipas tij, kjo është e pamundur edhe për shkak të qëndrimeve të forcave politike.

Komisioneri për  Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi,  gjatë vizitës së parë zyrtare në vend apeloi që të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike deri para samitit të BE-së në Zagreb. Por, sipas profesorit universitar, Qani Nuhiu, një gjë e tillë nuk mund të ndodh, kur dihet që qeveria gjendet nën mandatin teknik dhe dihen qëndrimet e forcave politike përbërëse të qeverisë aktuale. 

“Unë jam skeptik, nuk pres që të miratohet, thjesht për shkak se RMV-në e presin zgjedhjet në 12 prill, që do të thotë, sipas praktikave tona politike, deri në Samitin e Zagrebit nuk do të kemi qeveri të re. Përderisa nuk arriti qeveria me mandat politik të miratojë ligjet të cilat janë të nevojshme, aq më pak ka gjasa që qeveria nën mandatin teknik të arrijë marrëveshje duke ditur gjendjen siç janë qëndrimet e forcave politike përbërëse të qeverisë aktuale në mandat teknik”, thekson Nuhiu

Themelimi i një organi të ri të akuzës, por që lë në fuqi Prokurorinë ekzistuese për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk do të sillte asnjë efekt, thotë Nuhiu. 

“Nëse themelohet diçka e tillë, do të jetë me kompetenca të qarta, mos kemi duplifikim të kompetencave me mekanizma zbatuese të ligjeve. Nëse themelohen organe të reja me të njëjtit njerëz apo me të njëjtën mendësi të kulturës politike edhe institucionale, nuk pres ndonjë efekt”, thekson Huhiu.

Nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut kanë mirëpritur kërkesën e Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian. Nga kjo ministri kanë theksuar se qëndrimi i tij paraqet inkurajim për të gjitha palët që sa më parë t’u rikthehen bisedimeve për miratimin e një zgjidhjeje ligjore të një funksionimin normal, të papenguar, por edhe për rritjen e efikasitetit dhe të pavarësisë së gjyqësorit.

 

Në ndërkohë mbi Ligjin për Prokurorinë Publike janë prononcuar edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski. Zaev duke u prononcuar për sjelljen e ligjit për Prokurorinë Publike në Kuvend ka theksuar se duhet takim liderësh, i cili sipas tij duhet të mbahet javën e ardhshme. Ndërkohë, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se nuk ka ndër mend të merrte pjesë në takim sa për sy e faqe.

Kreu i LSDM Zoran Zaev është shprehur optimist se kuvendi më 12 shkurt do t’i sjell të gjitha ligjet e nevojshme, mes tyre edhe ligjin për Prokurori Publike, për të cilin nevojitet shumicë prej dy të tretave. Ai ka theksuar se nëse është e nevojshme që të mbahet takim të liderëve, e njëjti të mbahet javën e ardhshme.

“Bëhet fjalë për ligj i cili është kompleks dhe është i nevojshëm për integrimet evropiane. Jam në dispozicion për të biseduar që të gjejmë zgjidhje. Tani jemi më të relaksuar ngase lëndët e PSP-së janë të siguruara, janë në procedurë gjyqësore dhe nën kontroll të prokurorit publik. Kështu të relaksuar mundemi në Kuvend të merremi vesh në thelb për zgjidhje për prokurorinë publike që do të ishte përkrahur nga të gjithë. Në fund të ditës nuk pyetën vetëm Zaev dhe Mickoski, këtu janë edhe partitë tjera politike, grupi i pavarur i deputetëve, që të mund të gjithë të japin sugjerimet e tyre për një çështje aq të rëndësishme strukturore”, ka theksuar Zaev. 

Ndërkaq, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, , ka theksuar se nuk do të marrë pjesë në takim sa për sy e faqe. Ai ka theksuar se grupet e punës do të takohen javën e ardhshme, dhe, nëse qëndrimet afrohen, atëherë mund të flitet për mbajtjen e takimit të liderëve.

“Ajo që u propozua sot nga ana e LSDM-së praktikisht paraqet ligj i cili në të ardhmen do të duhet t’i mbrojë strukturat kriminele të LSDM-së, që do të kalojnë në opozitë pas 12 prillit. Kështu që nëse duhet të organizohet takim sa për sy e faqe, unë me të vërtetë nuk dua t’ua humbas kohën qytetarëve. Gjatë javës së ardhshme do të takohen grupet e punës, do të bisedojnë, në qoftë se i përafrojnë qëndrimet e tyre atëherë mund të flasim për diçka më konkrete, përkatësisht takimi i liderëve”, ka theksuar Mickovski. 

Harmonizim të qëndrimeve në lidhje me ligjin për prokurori publike dhe miratimin e tij e kërkon edhe bashkësia ndërkombëtare. Gjatë vizitës një javë më pare të komisionerit të BE-së për zgjerim Oliver Varhelji, u apelua që ligji të vendoset në listën e prioriteteve në prag në samitit në muajin maj, për kur është paralajmëruar se Komisioni Evropian sërish do të propozojë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Të fundit