Mësuesi 42-vjeçar turk Harun Çelik u mor në Shqipëri nga Shërbimi Sekret i Turqisë, shkruan MAPO, transmeton KDP. Edhe në rastin tonë është ndjekur i njëjti skenar si në Kosovë. Skandalin e publikojnë vetëm mediat turke. CNN Turk shkruan se “terroristi i FETO i arratisur u soll në Turqi nga Shqipëria në një operacion të MTI (Organizata Kombëtare e Inteligjencës)”.
CNN Turk shkruan se “Çelik u ndoq nga pas nga mbështetës të tij të cilët i bënin thirrje që të bënte sikur i binte të fikët për të vonuar ekstradimin”. Mediat turke përmendin edhe burgimin e tij për 5 muaj në Shqipëri me dokumente të falsifikuara.
Edhe “Haber” shkruan se “organizata FETO u përpoq ta pengonte ekstradimin e Çelik, por nuk ia doli dot”. Edhe kjo media flet për përfshirjen e Shërbimit Sekret të Turqisë në operacion.
Pyetja është se mbi cilën bazë ligjore një shërbim sekret i huaj mund të veprojë lirisht në vendin tonë? Policia shqiptare tha nëpërmjet zëdhënësit se ishte zbatuar ligji për të huajt, por avokati i turkut 42-vjeçar i konfirmoi Zërit të Amerikës se autoritetet tona nuk kanë pranuar të shyrtojnë kërkesën për azil politik.
Edhe në rast të refuzimit zyrtar ai kishte të drejtën e apelimit në Gjykatën Administrative, por askush nuk priti për këto procedura. Sapo doli nga burgu, turku iu dorëzua shërbimeve sekrete turke dhe u nis për në vendin e tij edhe pse atje i rrezikohet jeta.
Zyra e kryeministrit Rama tha se nuk kishte lidhje me këtë çështje, por nuk bën komente për shkeljen e të drejtave që rrjedhin nga rezolutat ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria.
Gazetarja Arbana Xharra ka reaguar për këtë rast, duke e quajtur edhe një skandal të radhës pas ekstradimit të 6 “gylenistëve” nga Kosova në vitin 2018.
“Sindromi i Stokholmit duhet të jetë pjesë e pashlyeshme e mentalitetit shqiptar: Në mars të vitit 2018 ishte Hashim Thaçi ai që i drejtoi plotë „gylenistë“ drejt kazamateve të tiranit të Bosforit. Në Janar të vitit 2020 pasoi veziri i dytë: Edi Rama kësaj radhe ia shtriu pjatën me viktima Erdoganit. Rama dhe Thaçi janë të vetmit përfaqesues te shteteve “pro perendimore”, nënvizojmë: te vetmit, që i bëjnë këtë shërbim Erdoganit. Asnjë shtet tjetër, sërish nënvizojmë, asnjë shtet Evropian e as SHBA nuk kane pranuar që të deportojnë qytetarë turq nën thikat e diktatorit Erdogan. E kolegu i tyre Vuçiqi del të jetë po aq dinjitoz sa parardhësit e tij të cilët ishin të privilegjuar nga osmanët dhe zhvatnin sulltanët truzbrazët për interesat e veta etnike. Shqiptarët si duket nuk e kanë këtë dinjitet, klasat e tyre politike si duket servilitetin e kanë në damirin historik të qafës së tyre të hollë. Turp.”, ka shkruar Xharra në Facebook.
Zëri i Amerikës: Mësuesit turk Harun Çelik iu mohua azili politik
Mësuesi turk i cili u dëbua në Turqi më 1 janar kishte kërkuar azil politik, por kërkesa iu mohua.
Zëri i Amerikës foli me avokatin e Harun Çelik, 42-vjeçarit të akuzuar si mbështetës i lëvizjes së Fethullah Gülen. Ai u dëbua nga Shqipëria për në Turqi edhe pse atje i rrezikohej jeta.
Avokati Alban Bengasi tha se Çelik ishte arrestuar 6 muaj më parë për shkak se po udhëtonte me dokumente false për t’u larguar drejt Kanadasë. Ai po largohej nga Turqia për shkak të kërcënimeve me jetë.
“Zoti Çelik u kërkoi zyrtarëve azil politik, por kjo iu refuzua nga autoritetet e policisë së burgjeve.”
Zëri i Amerikës pyeti zyrtarë të policisë shqiptare rreth kësaj çështjeje, por nuk mori përgjigje rreth pretendimit se mësuesi turk kishte kërkuar apo jo azil.
Avokati Bengasi tha se është e pazakontë që një person i ndaluar për falsifikim dokumentesh të mbahet kaq gjatë në paraburgim – 6 muaj. Ai tha se fati i mëtejshëm i klientit të tij, pas deportimit, është i paqartë.
Prej rreth 3 vitesh Turqia ka nisur një fushatë arrestimesh në masë të gjithkujt që ka lidhje me organizatën e Gülenit, ish-aleatit të Presidentit Edrogan, i akuzuar si terrorist dhe si organizator i grushtit të shtetit të vitit 2016.
Lëvizja e Fethullah Gülen konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, Pakistan dhe disa nga vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Vetë udhëheqësi i kësaj lëvizjeje jeton në SHBA, të cilat kanë refuzuar kërkesat e Erdogan për arrestim dhe ekstradim të tij deri në momentin ku akuzat për aktivitet terrorist mbeten të paprovuara.
Anadolu: Mësuesi gulenist u kap nga shërbimi sekret turk në Tiranë
Agjencia shtetërore e lajmeve turke Anadolu ka postuar një video të ndalimit dhe dëbimit nga Tirana të mësuesit turk, Harun Çelik, duke pretenduar se ka qenë një operacion i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës, MIT.
Çelik u arrestua 5 muaj më parë në Shqipëri dhe u dënuar nga Gjykata e Tiranës për përdorim të dokumenteve të falsifikuara në tentativë për të ikur në Kanada.
Pas daljes nga burgu, me 1 janar ai është ndaluar nga Policia e Shtetit dhe u dëbua menjëherë në Turqi. Policia e Shtetit i tha BIRN se shtetasi turk është dëbuar nga vendi sipas ligjit.
“Personi ka qenë në burg pasi është kapur nga policia kufitare e Rinasit me dokumente false. Në zbatim të ligjit “për të Huajt” do [të] dëbohet,” tha zëdhënësi Gentian Mullai.
Megjithatë, deklarata e policisë është kundërshtua nga avokati i shtetasit turk, Alban Bengasi, i cili i ka thënë Zërit të Amerikës se Çelik kishte aplikuar për azil dhe dëbimi i tij ka qenë i paligjshëm.
“Për një akt dëbimi, që ndërmerret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë,| tha avokati Alban Bengasi.
“Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhëri është i ligjshëm apo i paligjshëm,” shtoi ai.
Hesht Rama, reagon opozita
Zyra e Kryeministrit Edi Rama tha e pyetur nga BIRN se dëbimi i Harun Çelik është një çështje procedurash ligjore që “nuk ka lidhje me kryeministrin.”
Megjithatë, kritikat ndaj qeverisë shqiptare nuk kanë vonuar të vijnë. Partia Demokratike në opozitë kërkoi të mërkurën “transparencë të menjëhershme” për ngjarjen duke ngritur pikëpyetjen nëse një veprim i tillë është ajo jo në përputhje me ligjet, konventat ndërkombëtare apo të drejtat e njeriut**.
“Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës,” deklaroi PD.
Eurodeputetja Ramona Strugariu reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.
Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera çnjerëzorë apo degraduese.