E shtunë, 27 Korrik, 2024

DEKADA E RE TË JETË NJË FILLIM I RI, I MBARË

Shkruan: Xhelal Neziri 

Maqedonia e Veriut është ndër vendet e rralla ku ka numër të madh festash shtetërore, fetare, etnike dhe historike. Në vitin 2020, jashtë fundjavave pushimi, do të ketë edhe dhjetë ditë tjera jopune. Përveç shfrytëzimit të festave për të mos punuar, në institucionet publike dhe shtetërore shpesh ndodh edhe lidhja e fundjavës me ditën e festës. Kështu për shembull, nëse një festë bie në ditën e enjte atëherë merret vendim që të mos punohet as të premten me qëllim që të lidhet festa me fundjavën dhe të fitohet një mini-pushim i mirë. Kësisoj fundjavash të zgjatura do të ketë gjashtë gjatë vitit.

Edhe festa e Vitit të Ri nuk zgjat një ditë. Zakonisht para lidhet me krishtlindjet katolike, e më pas me ato ortodokse. Kështu festat e fundvitit krijojnë një ndjenjë letargjie kolektive, ku gati e tërë shoqëria është në një lloj hibernacioni, pa vullnet për një fillim të ri.

Shoqëritë e zhvilluara jetojnë për të punuar. Momentin kur nuk ka angazhim, ngelet pa punë apo pensionohet, një person mund ta përjetojë keq jo për shkak të pasigurisë sociale. Shqetësimi i tyre, sipas Erich Fromm, buron nga ndjenja se janë të padobishëm për shoqërinë. Në shoqërinë tonë dominon logjika e jopunës apo pushimit të zgjatur. Jorastësisht pjesa më e madhe e personave të aftë për punë synojnë institucionet shtetërore dhe publike. Motivi është se aty punohet pak, rroga është e sigurtë dhe se ke stazh që të mundëson një pension të mirë. Pensionimi sikur shihet të jetë pjesa më e lumtur e jetës për një arsye të vetme – nuk ke nevojë të punosh a ke pagë mujore.

Dekada e re në të cilën kemi hyrë duhet të ngjallë njeriun e ri te ne. Një njeri që do të punojë atë që do dhe e realizon, që do të përmbushë ditën me angazhime kreative, që do të respektojë vlera dhe që do të synojë më të mirën. Askush nuk ka ra nga qielli në majën e suksesit, por aty është ngjitur me shumë mund, punë por edhe kënaqësi.

Dekada e re duhet të nxisë njeriun racional te ne, sidomos kur kihet parasysh se më 12 prill në Maqedoninë e Veriut do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjatë marrjes së vendimit se kujt do t’ia japë besimin ta përfaqësojë e të menaxhojë me institucionet dhe paratë e tij, votuesi shpesh udhëhiqet nga interesi konkret individual – nëse i ka punësuar partia dikë; nëse ka garanci të forta për një punësim, favor apo tender; nëse do t’ia rregullojë rrugën afër shtëpisë…Apo nuk do të votojë partinë pasi nuk ia ka punësuar anëtarin e familjes ose nuk e ka mbajtur premtimin për punësimin e tij. Po shkollat apo universitetet, ku ka shumë njerëz me diploma të dyshimta që sakatojnë fëmijët tonë? Po mungesa e zhvillimit ekonomik, keqmenaxhimi dhe korrupsioni që rezultojnë me rroga të ulëta dhe standard katastrofal jetësor? Po mungesa e luftimit të dukurive negative si krimi, droga, hajnia? Po mungesa e drejtësisë në gjyqësor? Po infrastruktura rrugore që lidh vendin me fqinjët? Po mungesa e ujit, parkingjeve, qyteteve te ne? A nuk janë këto probleme serioze për t’u marrë parasysh kur sillet vendimi se kujt t’i jepet vota?

Dekada e re duhet të të jetë një fillim i ri për të gjithë. Duhet kuptuar përfundimisht se këmbimi i votës për interes personal është korrupsion. E si pastaj të presim që politikani i zgjedhur të mos këmbejë votën e tij në Parlament apo Qeveri për interes personal, pra të mos jetë i korruptuar?

Vrapi pas një pune me shumë pushim e pak angazhim, siç është puna e shtetit, na bën pre të predatorëve të politikës. Është programi dhe kuadri cilësor për zbatimin e tij oferta të cilën partitë duhet ta paraqesin si një kontratë me zgjedhësin. E njëjta duhet të “noterizohet” më 12 prill nga shumica e votuesve. Çdo devijim nga kjo kontratë duhet të rezultojë me protesta masive nga “të kontraktuarit” para selisë partiake.

Në dekadën e re, të tretë të shekullit 21 duhet të ndryshojmë ne që të ndryshojë politikani. Nuk mund një popull i mirë të zgjedhë politikanë të këqinj. Apo politikanë të mirë të jenë të zgjedhur nga një popull i keq. Filozofi, diplomati dhe politikani francez Jozeph de Maistre ka thënë: Çdo popull ka udhëheqësit që i meriton.

Të fundit