8 Dhjetor, Dita e Rinisë
Shkruan: Mehmet Elezi
E ndieja veten tërësisht me ata djem e vajza universitarë. Me vlerat që përfaqësonte lëvizja e tyre, që po shkundte Shqipërinë.
Mëdyshja ime ishte tjetërkund.
Ai dhjetor nuk më kishte gjetur student.
As profesor universiteti.
As intelektual të pavarur nuk më kishte gjetur ai dhjetor.
Njerëzit që më kishin ndjekur në shtyp ose në drejtimin e organizatës së rinisë, më njihnin si intelektual me prirje liberale, që nuk i duron skemat. Edhe pse mund të kishin një përshtypje a vlerësim të përgjithshëm për mua, si njeri publik, nuk dinin hollësi. Nuk ishin në dijeni për çka kisha thënë e kërkuar në strukturat më të larta të udhëheqjes së Partisë së Punës (Komuniste). Nuk ishin në dijeni për përpjekjet më pak ose më shumë të rëndësishme për ndryshim, që kisha bërë në ato zyra. Gjithçka qe zhvilluar larg syve të njerëzve.
Bashkimi menjëherë me studentët protestues mund të shihej si kthesë njëqind e tetëdhjetë gradë. Sa do të përtypej nga shqiptarët?
Shumëkush do ta mirëpriste. Të tjerë mund ta paragjykonin, duke e parë si gjakim për karrige, dashka prapë poste ky. Partisë në pushtet do t’i interesonte ky interpretim. Shërbëtorët e saj të hapur dhe misionarët lëkurëlyer do të mbushnin gazetat me të. Rast i pastër edhe për xhelozë e cmirëzinj.
Intuita dhe arsyeja më thoshin se më mbushamendës, të paktën në lëvizjen e atyre ditëve, do të ishin udhëheqësit që kishin dalë e do të dilnin prej brenda, prej studentëve dhe profesorëve të universitetit.
Çështja tjetër lidhej me të ardhmen time.
Në politikë pata hyrë rastësisht, pa më pyetur kush. Më patën thirrur për shkak të emrit në gazetari. Tashti dyzetvjeçar, në mesin e jetës, rrethana krejtësisht të tjera. Duhej me vendosë me bindje për vendin që do t’i gjeja vetes në shoqërinë shqiptare.
I ndihesha borxhli sidomos krijimtarisë letrare. Kish qenë klithma ime e parë. Falë rekomandimit të Ismail Kadaresë, në vitet studentore kisha botuar përmbledhjen e parë me poezi Zhurmojnë Ujvarat. Më pas një shkëputje e gjatë, e dhimbshme.
Kështu kishin ardhur rrethanat, s’kishte qenë zgjedhja ime.
Tashti duhej me ba zgjedhjen time.
Trimërinë e secilit në luftë nuk e shton as nuk e heq vendi ku rreshtohesh, u kishte thënë luftëtarëve Aristidhi i Mirë.
– nga libri “Nuk isha student i dhjetorit”, botim i dytë i plotësuar –