E diel, 28 Prill, 2024

TRISHTIM DHE KTHJELLIM

Tërmeti ka lënë pas pamje të trishta. Jetë të këputura dhe fate që kërkojnë përkujdesje në këto orë të rënda. Fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit ka qenë dhe vazhdon të jetë aty. Shumë media nuk arritën të jenë në lartësinë e detyrës. Shteti, politika, u humbën në kaos, ndërkohë që nuk kanë munguar shfaqjet mediale dhe betejat e heshtura politike. Vetëm zëri i profesionistëve të sizmiologjisë, i harruar për shumë kohë në margjina erdhi si kumt shprese, si kthjellim, si një dritë që në të ardhmen duhet të përfshihet në projeksionet e rindërtimit. 

Autor: Bardhyl Zaimi

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit në Shqipëri ka krijuar një situate të trishtë. Ky trishtim sadopak është zbutur nga një solidarizim i jashtëzakonshëm. Në çastet e rënda dhe të trishta për shumë banorë të Durrësit, Thumanit dhe Tiranës, si zona më te prekura, nuk ka munguar solidarizimi nga të gjitha hapësirat shqiptare, nga rajoni dhe më gjerë. Nuk ka dyshim që ky solidarizim ka qenë një përmasë vendimtare për të tejkaluar momentet e para të tmerrit të përjetuar nga tërmeti. Ndihmat nga njerëzit, ekipet e kërkim-shpëtimit nga rajoni dhe nga vende tjera, kanë mundësuar që të shpëtohen jeta njerëzish nën gërmadhat e termetit që kishte goditur me një fuqi shkatërruese.

Situatat tragjike kërkojnë një frymë përbashkimi, një frymë solidariteti, për të përballuar tmerret, që vijnë në formë pasigurie mbi jetën njerëzore. Dhe, ky solidaritet nuk ka munguar në asnjë rast gjatë këtyre ditëve të vështira pas tërmetit dhe pas pasgoditjeve të shumta, që kanë krijuar një situatë frike dhe pasigurie të vazhdueshme. 

Zakonisht, në kësi situatash, gjëja e parë që bëhet është angazhimi për të shpëtuar jetëra njerëzish dhe për t’iu dalë në ndihmë atyre që tashmë e kanë përjetuar tmerrin, në të gjitha format e mundshme, me një shtrirje dore, me prani mes tyre, me ushqime dhe veshmbathje dhe me një kurajo për të vazhduar përballjen. Në këtë drejtim, njerëzit e dhanë provimin e solidaritetit dhe humanizmit. Ata ishin aty, pranë banorëve të frikësuar dhe të mbetur në rrugë, pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre, pranë fëmijëve të trishtuar që kërkonin trajtim psikologjik dhe tejkalim të kësaj gjendjeje lemeritëse nëpërmjet lojës dhe angazhimeve tjera nga edukatorë dhe psikologë. 

Kjo është ana thellesisht njerëzore që u shpërfaq në këtë tragjedi si një përmasë e jashtëzakonshme mobilizimi, si frymë e përshpirtshme për të qenë pranë njerëzve të trishtuar, pranë atyre që kishin mbetur në qiell të hapur dhe nuk e dinin se si do të vazhdojë jeta e tyre. Fryma e solidarizimit ishte aty, për të mos i lënë vetëm në këtë situatë të rëndë për shpirtrat e tyre.

Ndërkohë , në shumë dimensione tjera, në ato nivele ku duhej të jepte provimin shteti dhe institucionet e tij, u shfaqen shumë anomali, shumë “vrima të zeza” organizimi, të cilat përpiqeshin të mbulohen me shfaqje mediale dhe me lajthitje tjera. Pikërisht këto dobësi të organizimit institicional, të veprimit në situata emergjente me pasoja të rënda siç ishte ky tërmet, u tejkaluan falë solidarizimit të njerëzve dhe ekipeve të kërkimit-shpëtimit nga vendet e rajonit dhe vendeve tjera, pa të cilët numri i viktimave do të ishte shumë më i madh. Dukej se kaosi në organizim tentohej të mbulohej me shfaqje mediale.

Një tjetër defekt që po i ndihmonte këtij kaosi ishte sfera e mediave online. Disa media, duke kërkuar me ngulm “klikimet” harruan shenjtërinë e profesionit, harruan informimin e drejtë, harruan se me “titujt” e tyre dhe me informacionet gjysmake po krijonin një situatë paniku të përgjithshëm ndër qytetarët. Sigurisht jo gjithçka mbetet zi në këtë peizash medial, sepse kishte media të cilat me përgjegjësi profesionale arritën të mbulojnë me informacion gjendjen në terren, duke informuar drejtë mbi fatet e njerëzve të goditur nga tërmeti.

Në gjithë këtë situatë u nëpërduk edhe një betejë e heshtur politike, e cila reflektohej edhe në tituj shkrimesh. Një betejë e panovojshme në situata të këtilla tragjike që përcillej me intepretime kuturu mbi tërmentin dhe mbi pasojat. Njerëz jokopetentë tashmë i kishin dhënë vetes të drejtën të analizojnë dhe komentojnë, të interpretojnë në një fushë kaq profesionale siç është sizmiologjia. Anomalitë e shumta në këtë sferë vazhdojnë, ndërkohë që politika duket se përsëri po shtynë “brrylat”. 

Një gjithë këtë kaos informimi joprofesional, disa media të përgjegjshme sollën para opinionit specialistët e fushës së sizmilogjisë. Njerëzit e harruar, profesionistët e vërtetë që me shumë dije dhe me modesti të jashtëzakonshme arritën që të japin shpjegime shkencore për gjithë historinë e tërmeteve në Shqipëri dhe në vendet e goditura, për pasojat dhe për ligjësitë jo tërësisht të parashikueshme të pasgoditjeve që gjithnjë e më tepër po krjonin trishtim te njerëzit. Njëra ndër to, ishte edhe  specialistja e inxhinjerisë, Lule Bozo, e cila nëpërmjet një informacioni të saktë dhe intepretimeve profesionale, kishte shpjeguar gjithë historinë e ndërtimeve që nuk duhej të ndodhnin. 

Nga askundi para ekraneve pos shfaqeshin profesionistë të lënë në harresë. Sizmiologë, inxhinjer ndërtimesh, që koha e kaosit institucional i kishte degdisur diku në modesitinë e tyre dhe në arrogancën e një shteti që asnjëherë nuk kishte menduar për rëndësinë e tyre. Përballë tmerrit të tërmetit tashmë ishin këta njerëz të përkorë që me shumë profesionalizëm shpjegonin fenomenin e tërmetit dhe gjithë konfiguracionin e gjendjes së pas tërmetit. Mediat raportuan se këta profesionistë të kësaj shkence kaq delikate me kohë kishin mbetur pa një institute, sepse shteti nuk e kishte parë të arsyeshme të financojë punë  e tyre të përkorë, atë punë të mundimshme analizash dhe intepretimesh profesionale që bëhet diku në heshtje jashtë zhurmës së përçdoditshme mediale me aktorë tjerë zhurmaxhinj.

Ndërkohë që e keqaja më e madhe duket se ka kaluar, tashmë mbetet e nevojshme që zëri i këtyre profesionistëve të dëgjohet me shumë vëmendje nga politika, e cila do të duhet që tash e tutje të projektojë rindërtimin e zonave të goditura nga tërmeti. Aata janë aty diku, të përkorë, por thellësisht të përgjegjshëm për punën e tyre. I mbetet politikës, shtetit, që t’i përfshijë në projeksionet e veta, sidomos tash kur shumë ndërtime nuk i rezstuan tërmetit dhe kur shumë ekspertë flasin tashmë për ndërttime jocilësore.    

Të fundit