E enjte, 12 Dhjetor, 2024

MESAZHET KUNDËRTHËNËSE TË KREUT TË SHTETIT

Kryeministri Zaev është shprehur se Ballkani po ndryshon për të mirë. Ai u ka bërë thirrje të rinjve që të angazhohen për veten e tyre. Ndërkohë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka theksuar se “edhe unë do të largohesha nga vendi, në qoftë se nuk do isha president”. Opozita gjatë tërë kohës ka akuzuar qeverinë për mungesë vizioni për të rinjtë që gjithnjë e më tepër po largohen nga vendi.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Në Forumin rajonal të të rinjve që këtyre ditëve i kishte mbledhur funksionarët e shteteve ballkanike në një vend, kryeministri Zoran Zaev numëroi shembuj si argumente se Ballkani ndryshon për të mirë. Sipas shembullit të pajtimit në mes shteteve evropiane, disa dekada më parë, kjo do të ndodhë edhe në mes vendeve fqinje ballkanike, të cilat ndajnë histori, ekonomi dhe të ardhme të përbashkët. Zaev të rinjtë i porositi se “nuk mund të flenë tërë ditën dhe të presin pagë zvicerane”, por duhet të punojnë, të luftojnë dhe ta përqafojnë sfidën për transformim dhe evropeizim të rajonit.

Me aksione, monitorim dhe presion ndaj institucioneve do të zvogëlohet korrupsioni dhe do të përmirësohet sistemi gjyqësor, shëndetësia dhe arsimi në rajon, por në këto procese në mënyrë aktive duhet të jenë të kyçyr edhe të rinjtë, dhe ta harrojnë mentalitetin e vjetër se dikush tjetër duhet t’i zgjidhë problemet e tyre. Ky është mesazhi me të cilin sot iu drejtua të rinjve të Ballkanit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në forumin rajonal që u mbajt në Novi Sad.

“Të rinjtë duhet të flasin, të kundërshtojnë, ta ngrenë zërin, të marrin pjesë në të gjitha proceset, unë besoj se kjo ndodh gjithnjë e më shumë. Askush të nderuar të rinj nuk do t’ua japë në pjatë që ju të ecni përpara dhe të jeni të suksesshëm në jetë. Duhet të luftoni, ta gjeni vendin tuaj”, ka theksuar Zaev
Zaev ka shprehur bindjen se Ballkani, i cili ndan histori, ekonomi dhe perspektiva të përbashkëta, po ndryshon edhe atë nëpër fazat në të cilat në të kaluarën kanë kaluar vendet që kanë qenë në luftë, Gjermania dhe Franca, Polonia dhe Gjermania.

“Çështja është nëse të rinjtë do ta përqafojnë atë sfidë dhe do të jenë liderë të vërtetë, do na mbajnë mësime ne, politikanëve. Të flasin me zë të lartë, pa rezerva, që të mund ta përshpejtojnë, të bëjnë presion serioz mbi këtë që na ndodh. Ose do të largohemi në Evropën Perëndimore dhe atje ndoshta do të jemi pak më të pasur, por me siguri nuk do të jemi të lumtur.”

Ndërkohë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski është shprehur ndryshe. Ai ka theksuar se “edhe unë do të largohesha nga vendi, në qoftë se nuk do isha president”. Kjo deklaratë e tij vjen si reflektim ndaj ngecjes së proceseve që çojnë drejt anëtarësimit në BE. Zaev shprehu kënaqësinë nga bashkëpunimi i nisur rajonal, në kornizën e të quajturit “Shengeni i vogël”, duke shtuar se ka edhe shumë punë që edhe shqiptarët të hynë në Serbi me letërnjoftim, që të ulet pritja e kamionëve për transport të mallrave që shkakton humbje prej miliarda eurosh, për të shmangur kontrollet e dyfishta të ushqimit, për zvogëlimin e procedurave administrative në rast të, për shembull, një serb vjen të punojë në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut rreth këtyre temave ka biseduar edhe me kryeministren serbe Ana Bërnabiq.

Ndërkohë partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut, gjatë tërë kohës kanë akuzuar qeverinë për ngecje në proceset integruese dhe për largimin e të rinjve. Këtë largim ato ia kanë atribuuar qeverisë, e cila nuk ka arritur që të krijojë një perspektivë të qartë ekonomike.

Të fundit