E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Mbi një mijë fëmijë të vrarë në Kosovë nga Serbia dhe një tentim për të mos dëgjuar të vërtetën për ta

Sigurisht që ka shumë shqiptarë të Kosovës që janë injorantë sa i përket zhvillimeve në Shqipëri. Sigurisht që ka shumë shqiptarë të Kosovës që mendojnë se në jug të Shqipërisë nuk gjen dot patriot se krejt janë progrekë, ndërsa në veri me përjashtim të ndonjë prifti zemërmirë të tjerët janë krejt «rebelë» me ca mjekra të kërleshura dhe me kallash në duar. 

Por një gjë që më ngrin gjakun është EDHE injoranca, arroganca e qe besa edhe mungesa e solidaritetit dhe vetëdijes profesionale te disa gazetarë në Tiranë mbi historinë e Kosovës. Kjo u pa edhe mbrëmë, kur Albin Kurti nisi të flasë për 10 mijë shqiptarë të vrarë nga Serbia, mes tyre 1000 fëmijë. Moderatorja u përpoq t’ia ndërpresë fjalën dhe kjo përpjekje tigëlloi si: «Aman, na lini të qetë me këto temat e luftës». Këtu qëndron thelbi i keqkuptimeve dhe i mosnjohjes mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Cili gazetar i Tiranës ka shkuar në Batajnicë për të parë vendin ku ishin hedhur rreth 1000 kufoma të shqiptarëve të Kosovës? Cili ka shkuar te Liqeni i Peruçacit ku u gjet një kamion me kufoma nga Kosova? Nga ana tjetër: cili gazetar i Kosovës është marrë pak më seriozisht me temën e rëndë të sundimit komunist në Shqipëri? Me Spaçin e Burrelin? – Nuk kam asgjë kundër muzikës, sepse, fundja, secili e dëgjon atë muzikë që i përgjigjet nivelit të tij kulturor dhe vetëdijes kombëtare. Por, ka momente kur nuk të pëlqen një muzikë e caktuar.

Në vitin 2001 televizionet botërore dhe agjencitë dhanë lajmin se në Batajnicë u gjetën kufomat e mbi 700 shqiptarëve të Kosovës – viktima të luftës. Qëllova në Tiranë me një grup gazetarësh zviceranë e gjermanë. Ishte një udhëtim i organizuar nga Ministria e Jashtme e Zvicrës. Disa prej nesh e ndërpremë udhëtimin për të shkruar për varrin masiv në Batajnicë. Rrugës për në Maqedoni u ndalëm në një fshat afër Pogradecit për drekë. Edmondi, shoferi ynë, më vërejti se m’u prish çehrja kur dëgjova se në lokal jehonte në kupë të qiellit zëri i Dragana Mirkoviqit, një këngëtare e turbo-follkut serb e pëlqyer sidomos nga shtresat ultranacionaliste serbe. Edmondi e njihte Kosovën mirë, kishte punuar disa vite shofer në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn dhe ndihej krenar që i kishte «vozitur» politikanët e Kosovës. Edhe Edmondit iu deshën nja 15 minuta për ta bindur atë vajzën që nuk ishte veprim i mençur të dëgjohej ky lloj i muzikës. «Ç’ne? Muzikë është kjo, neve na pëlqen». Për shijen nuk mund të diskutojmë, por për vetëdijen politike po. Dhe me vetëdije politike kanë probleme shqiptarët në të dy anët e Drinit e Shkumbinit.

Të fundit