E enjte, 25 Prill, 2024

METAKRITIKA PËR MITRUSH KUTELIN

Prandaj mund ta përmbyllim me gojën plot se Bardhyl Zaimi nëpërmjet analizës dhe studimit të kritikës së Mitrush Kutelit arrin të krijojë metakritikën e tij si shkrim dhe si vizion estetik e shkencor.

Shkruan: Ahmet Selmani 

Studimi letrar që mban titullin “Paradigma e kritikës së Kutelit” i autorit Bardhyl Zaimi, në radhë të parë ndoshta mund të konsiderohet si një libër njëdimensional, nëse e shohim me logjikën e filozofit Herbert Markuse. Një cilësim të këtillë e përdorim mbase për shkak se vepra i kushtohet kryekëput vetëm një fushe të caktuar, siç është ajo e kritikës letrare si një lloj i metaletërsisë, siç do ta quante teoricieni i njohur Rolan Bart.
Dhe kjo nënkupton faktin se, ndryshe nga herët e tjera kur për Mitrush Kutelin kryesisht është folur e shkruar në vijimësi si për një tregimtar, romancier, poet, e madje edhe si një ekonomist, në këtë rast autori i këtij libri përqëndrohet dëllëngthi në sferën e kritikës letrare, e cila është jo aq e njohur dhe jo aq e trajtuar nga qarqet apo institucionet e ndryshme kulturore e shkencore në mbarë hapësirën shqiptare.Fjala paradigmë, të cilën e hasim që në titullin e kësaj vepre, është vetvetiu determinuese në aspektin substancial për sa i përket karakterit të shkrimit kritik.
Nëpërmjet kësaj fjale emërtuese, me sa duket, ai a priori na e krijon një përcaktim dhe orientimin paraprak drejt tipologjisë dhe strukturës së kritikës, na ballafaqon me një model programatik të shkrimit të tij. Në të vërtetë, opusi kritik i Mitrush Kutelit që përmblidhet në suaza të librit “Shënime letrare” (1944), shërben si një lloj modeli i veçantë në rrafshin e interpretimit dhe analizës estetike, të cilin Bardhyl Zaimi e merr dhe e shqyrton në mënyrë shumë të përkushtuar e të vëmendshme.
Në këtë pikëpamje mund të vërehet fakti se atë e vendos dhe shqyrton në vazhdën dhe kontekstin e përgjithshëm socio-kulturor dhe letrar, sigurisht duke e tipizuar me të gjitha veçoritë përkatëse periudhën kohore kur shfaqet Mitrush Kuteli si shkrimtar dhe kritik, por paskëtej njëherazi duke e shpalosur edhe mozaikun e gjerë të studiuesve të letërsisë shqiptare të cilët janë marrë me këtë autor shumë të rëndësishëm e të veçantë, por që padrejtësisht kishte mbetur i shpërfilluar e i mënjanuar një kohë të gjatë për arsye politike. Dhe kështu Bardhyl Zaimi ia del që gradualisht ta shpalosë figurën e madhe të Mitrush Kutelit në horizontin e vërtetë të perceptimit, duke theksuar efektin kulturor e letrar të kritikës së tij si një ndërgjegje e plotë estetike e shkencore.
Me paraqitjen e figurës së tij në prizmin e kulturës së gjerë, ai e përqas me shkollat dhe konceptet moderne estetike, si një personalitet të formuar e të konsoliduar në këtë fushë të ndërlikuar, me çka duket fare qartë se ai ia ktheu letërsisë shqiptare shijen dhe kuptimin thelbësor që e kishte humbur për arsye të shumta historike, politike e shoqërore. Pikërisht duke u mbështetur në këtë profil krijues e intelektual, Mitrush Kutelin e cilëson si një fenomen të veçantë letrar, i cili vendosmërisht i vuri bazat e fuqishme të kritikës së mirëfilltë letrare shqiptare e cila më vonë do të shndërrohet në një traditë studimore institucionale.
Bardhyl Zaimi në këtë studim të tij Mitrush Kutelin e konsideron si një prototip të shkrimit kritik në kuptimin homogjen dhe heterogjen, për arsye se futet natyrshëm nga letërsia në kritikë me të njëjtin nivel krijues e shkencor duke ndërtuar konceptin estetik të interpretimit dhe vlerësimit. Dhe sigurisht kjo konsiston në vetëdijen e lartë krijuese e intelektuale, si shkrimtar dhe si kritik, por njëkohësisht edhe si shkrimtar dhe mendimtar. Në këtë mënyrë arrin ta zbulojë ose shpërfaqë profilin kritik të Mitrush Kutelit, duke u ndalur veçmas në shkrimet e tij të botuara me titullin “Shënime letrare” (1944).
Sado që vetë M. Kuteli këto shkrime thjesht i ka quajtur shënime, pra duke e relativizuar me modesti të skajshme tipologjinë e shkrimit të tij, në esencë mund të kuptohet fare mirë se Bardhyl Zaimi determinon me saktësi intelektuale se ai është themeluesi i kritikës letrare moderne shqiptare, duke e kategorizuar shkrimin e tij si një kritikë imanente e cila përqëndrohet në vepër (tekst) dhe në gjuhë (kod). Me anë të kësaj qasjeje thelbësore M. Kuteli ia ktheu peshën letërsisë shqiptare, hapi rrugën e vlerësimit real të saj, e ngriti atë në nivelin e merituar, promovoi paradigmën e kritikës me të cilën duhej të trajtohej kjo letërsi.
Në këtë kuptim libri i Bardhyl Zaimit na sjell vizionin letrar e shkencor të Mitrush Kutelit, duke analizuar qasjen strukturale të tij ndaj letërsisë, por edhe karakterin e shkrimit kritik në formë të parathënies dhe të polemikës, ku ai dëshmon qartë se është një krijues par exellente dhe një kritik letrar me shumë profesionalizëm e kompetencë të lakmueshme.
Metodologjia e tij është shumë e veçantë, për arsye se shpie drejt esencave dhe kuptimeve të kapshme, është dimensionuese dhe semantike në aspektin e estetikës së tekstit letrar. Nga ky libër mund të mësojmë se Mitrush Kuteli, duke qenë vetë një prozator i shkëlqyer, po ashtu ia doli që edhe kritikën letrare ta bëjë me përkushtim të njëjtë, si një vazhdimësi metafizike të letërsisë, ose si një paralelizëm shoqërues drejt perceptimit estetik si akt kryesor i lexuesve.
Prandaj mund ta përmbyllim me gojën plot se Bardhyl Zaimi nëpërmjet analizës dhe studimit të kritikës së Mitrush Kutelit arrin të krijojë metakritikën e tij si shkrim dhe si vizion estetik e shkencor.
Sipas kësaj, libri studimor “Paradigma e kritikës së Kutelit” jo vetëm që e plotëson mozaikun e krijimtarisë së tij si shkrimtar dhe kritik, por aq më tepër e pasuron edhe metakritikën tonë e cila ende është deficitare dhe e fjetur në aspektin e trajtimit të figurave të rëndësishme të letërsisë sonë.
Ky studim i bën nder jo vetëm autorit gjysmë të anatemuar, Mitrush Kuteli, por aq më tepër edhe letërsisë shqiptare, me çka hap një dritare të re në vlerësimin dhe rivlerësimin e figurave të mëdha.

Të fundit