E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

NË “TUNELIN” E ERRËT TË DËSHPËRIMIT DHE POPULLIZMIT 

Fushëpamja e mjegullt e integrimeve mund të prodhojë betejë zgjedhore jashtë pritjeve reale të qytetarëve. Brishtësia e perspektivës europiane që vjen nga mos hapja e negociatave mund të stimulojë dozë të theksuar të popullizmit. Nëpërmjet ngjarjeve anësore tashmë partitë e kanë filluar fushatën e hershme. Një energji e re politike që do ta fuqizonte aspiratën euroatlantike mbetet e domosdoshme.    

Autor: Bardhyl Zaimi

Periudhat zgjedhore zakonisht shpërfaqin një moment sensibilitesh dhe artikulimesh politike. Zgjedhjet janë instrumenti më i mirëqenë i funksionimit të demokracisë. Pluraliteti politik merr kuptim në garën zgjedhore në formë opsionesh elektorale. Në kohë zgjedhjesh partitë në pushtetit japin llogari për qeverisjen e tyre, ndërsa partitë opozitare ofrojnë konceptin e tyre të ndryshëm nga qeverisja paraprake. Fushata zgjedhore mbetet një shesh idesh dhe konceptesh politike që synon vullnetin e shumicës së elektoratit që më pas prodhon qeverisjen për mandatin e ardhshëm.

Në Maqedoninë e Veriut tashmë ka filluar fushata zgjedhore nëpërmjet ngjarjeve partiake që shërbejnë për “zgjim” të anëtarësisë dhe simpatizantëve partiakë. Ky është një prolog motivimesh dhe frymëzimesh partiake nëpërmjet ngjarjeve anësore që realisht janë pjesë e fushatës së hershme. Të gjitha partitë politike tashmë kanë filluar t’i ndezin motorët e mobilizimit, duke afishuar një fitore të mundshme në zgjedhjet që pritet të mbahen më 12 prill.

Fushatat zgjedhore përveç esencave politike që mund të ofrojnë, shpeshherë ofrojnë edhe grindje “meskine” sedrash partiake. Nganjëherë këto “grindje” kotësie ngadhënjejnë mbi artikulimet reale dhe moderne politike. Partitë si zakonisht më tepër lëshohen në premtime irracionale sesa në vizione konkrete politike që mund të prodhojnë një kualitet tjetër përfaqësimi dhe mbrothësie shoqërore. Por, ky mbetet një vendim i tyre në përcaktimin e strategjive elektorale, ndërkohë që konteksti i një deprimimi të përgjithshëm imponon artikulime shumë më qenësore në raport me qytetarët e lodhur nga gjithçka. 

Maqedonia e Veriut në këto zgjedhje ndodhet edhe në një kontekst tepër të brishtë gjeopolitik që imponon një fushatë zgjedhore më të përgjegjshme dhe në sinkron me gjithë planimetrinë e zhgënjimit të qytetarëve, ndikimeve tjera të mundshme në rajon që vjen si pasojë e status quo-s së pashpjegueshme deri në fund të servuar nga BE nën ndikimin e vetos franceze. 

Kjo fushatë zgjedhore përveç temave të zakonshme mobilizuese në terrenin etnik, do të duhet politikisht të artikulojë edhe këtë gjendje mpirjeje politike me të cilën do të përballet cilado parti fituese, gjegjësisht koalicion qeverisës. Ky kontekst i determinuar nga faktorë kompleks brenda BE-së që nuk dihet se si do të bashkërendohen në të ardhmen. 

Maqedonia e Veriut, por edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, tashmë ndodhen në një situatë dëshpërimi të pashpresë, në një gjendje padurimi zvenitës që vjen si pasojë e një paparashikimi tipik europian mbi procesin e zgjerimit. 

Dhe “Jo-ja” për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është vetëm një vendim tekanjoz i Francës i mishëruar në figurën e presidentit Makron që kërkon një protagonizëm në skenën europiane. “Jo-ja” e kundërshtuar nga Gjermania dhe shtetet tjera anëtare shkon shumë më thellë në qenien eiropiane, në gjithë vizionin e brendshëm të saj, por edhe në vizionin e saj mbi Ballkanin Perëndimor të kahëzuar nëpërmjet Samitit të Selanikut në vitin 2003 dhe Procesit të Berlinit

Janë një sërë takimesh, dokumentesh dhe angazhimesh, që nëpërmjet një projeksioni koherent kanë krijuar shpresën e madhe për përfshirje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në agjendën e BE-së, në radhë të parë si standardizim me praktikat europiane, në investimet në të gjitha fushat, por edhe në përafrimin me qeverisjen e mirë që e nënkupton koncepti europian. 

Vendimi më i fundit i Këshillit Europian për të prolonguar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, kalon përtej pritjeve të zakonshme për një samit tjetër, sepse në gjithë debatin që po zhvillohet në nivel europian të diktuar nga Franca, janë shpaluar edhe çështje tjera më të thella brenda Bashkimit Europian që akoma nuk dihet se si do të mbarështrohen, kur dhe çfarë epilogu do të marrin. Ky kontekst i paparashikueshëm për “takatin” e vendeve të Ballkanit ka krijuar një vakum të “frikshëm” që tashmë po afishohet nga përfaqësues dhe media ndërkombëtare. 

Në një raportim më të gjatë  të këtyre ditëve mbi “Jo-në” franceze dhe mbi dëshpërimin e përgjithshëm në Ballkanin Perëndimor në BBC mes tjerash thuhet se “ rrëmuja e BE-së gjithashtu dërgoi një mesazh të zymtë për gjithë Ballkanin”. Dhe mbi këtë konfuzion të krijuar nga vetoja franceze tashmë kanë shkruar gati se të gjitha mediat me relevancë ndërkombëtare, duke theksuar mundësinë e ndikimeve tjera në Ballkanin Perëndimor. Tashmë është e qartë se kjo “Jo” mbetet tepër e komplikuar për t’u deshifruar si justifikim ose për t’u korrigjuar në një afat kohor të shkurtër. 

Sidoqoftë, brenda këtij konteksti me shumë të panjohura dhe me shumë implikime që ndërlidhen me të ardhmen e BE-së, duhet të shtrijnë aspiratën e vetë për hapjen e negociatave dhe për anëtarësim vendet e Ballkanit. Një kontekst i gjerë që krijon padurim, mpirje dhe shpeshherë deprimim. Të gjitha këto sentimentet mbeten të pranishme në kohën kur Europa duket se po rishikon konceptin e vetë të funksionimit, sidomos pas Brexit-it dhe pas rivlerësimeve për procesin e zgjerimit. 

Në këto kondita duhet të funksionojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë e kanë afishuar orientimin pro evropian. Por, kjo duket të jetë vetëm ana retorike e kësaj fushëpamje që vazhdimisht turbullohet nga protagonistë që gjithë këtë raport të BE-së me Ballkanin Perëndimor e shfrytëzojnë që në mënyrë të sofistikuar të promovojnë skepticizëm dhe një frymë anti-europiane. Kjo pamje e turbullt iu jep mundësi që të “predikojnë” në mënyrë latente rishikime gjeostrategjike. 

Situata komplikohet akoma më tepër në kohën kur në periudhë zgjedhjesh gjithë aktorët e jetës politike më tepër përqendrohen te fitoret e mundshme, ndërkohë që e gjithë energjia harxhohet pikërisht në këto beteja të cilat nuk mund të kenë asnjë kuptim nëse nuk janë në koordinatat e integrimeve. Periudhat parazgjedhore jo njëherë janë shfrytëzuar për rehabilitime për keqpërdoruesit e pushtetit pavarësisht se në çfarë kohe janë bërë këto keqpërdorime. Gjithë ky kontekst, realisht mundëson që në këtë periudhë parazgjedhore, partitë më tepër të përqendrohen në agjendat e tyre të fitores, që është shumë normale, dhe shumë pak të përkujdesën për një proces, i cili kërkon megjithatë energji të reja për të qenë në sinkron me zhvillimet europiane.

Me gjasë gjatë kësaj periudhe do të harrohen shumë gjëra nga proklamimet për integrime europiane, ndërkohë që energjitë do të fokusohen në tema, të cilat zgjojnë kërshëri momentale te elektorati. Me gjasë këto zgjedhje do të jenë tepër të paparashikuara për shkak se ka një apati të jashtëzakonshme te njerëzit. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë test për Maqedoninë e Veriut për rrugën europiane të saj. 

Pavarësisht nga të gjitha këto komplikime, zhgënjime, eufori të çastit, një gjë mbetet e sigurtë që kjo periudhë parazgjedhore nuk guxon të shmang ambicien e qytetarëve për të qenë pjesë e velrave dhe standardeve europiane. Zgjedhjet do të duhet ta konfirmojnë këtë orientim tek të gjitha partitë politike. Sa më tepër që partitë janë konceptualisht me këtë imperativ do të jenë aq më afër shpresës së qytetarëve për praktika europiane në qeverisje. Tuneli i errët i tranzicionit ka krijuar shumë çarje, shumë dobësi, shumë deprimime , por ka ruajtur në esencë aspiratën europiane të gjithë qytetarëve.

Gjithnjë do të ketë edhe oferta tjera gjeostrategjike , siç ishte ajo e përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, gjatë Forumit Ekonomik Eurasian në Verona, Itali të Premten, i cili ftoi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të anëtarësohen në këtë bashkim ekonomik. Pavarësisht nga ngërçi i fundit i krijuar në raportin BE-Ballkani Perëndimor, tashmë nga përfaqësues të lartë europianë është bërë e ditur se angazhimet europiane ndaj rajonit do të vazhdojnë, duke përjashtuar mundësitë për një “partneritet special” siç ka qarkulluar kohëve të fundit kjo ide në opinionin e këtushëm.

Në shumë cikle zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, partitë kanë luajtur me popullzmin si dimension mobilizues. Të përqendruar vetëm në këtë dimension gjatë fushatës shumë tema të prekshme kanë mbetur të patrajtuara dhe të paartikuluara në perspektivën e zhvillimeve europiane. Edhe në këtë fazë parazgjedhore vërehen prirje të këtilla nga të gjitha partitë. Sidoqoftë, duket se një gjë mbetet e sigurtë që në këto zgjedhje popullizmi ka pak gjasa të mobilizojë sidomos trupën votuese apatike, e cila nga një cikël zgjedhor në tjetrin po rritet.  

Mbase më në fund gjithë aktorët politik do të binden se pavarësisht nga ky kontekst gjeopolitik, ndryshimet, reformat dhe instalimi i një sistemi të mirëfilltë vlerash duhet të bëhet për qytetarët, të cilët tashmë kanë përbrendësuar vizionin europian në pritjen e tyre. Ky moment kërkon një mendësi politike europiane, që nuk ngujohet në skepticizëm, por përkundrazi thellon konceptin e vlerave dhe standardeve europiane pavarësisht nga turbullirat që mund të shfaqen rrugës.   

 

 

 

Të fundit