Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duhet të ndodhë sipas procesit historik, siç ka ndodhur edhe me vendet e tjera, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Ata thonë se ky normalizim duhet të ndodhë me njohjen reciproke dhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se normalizimi nuk mund të bëhet me rishikim historik dhe as me parametrat e politikave nacionaliste që kanë shkaktuar lufta në Ballkan.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë rolin kyç në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Evropian e ka kriter dhe kusht për Serbinë dhe anëtarësimin e saj me plotësimin e kritereve, ku është edhe Kosova. Ndërsa SHBA-ja, si superfuqi, është e interesuar që në Ballkan të ketë paqe dhe stabilitet, ku bën pjesë edhe projekti i Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, thotë Tahiri, duke rikujtuar se SHBA-ja është angazhuar shumë për jetësimin e këtij shteti (Kosovës).
Ndërkaq, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë, se nevojitet një angazhim ndryshe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, krahasuar me formën se si është zhvilluar dialogu këto vitet e fundit, në mënyrë që procesi të përmbyllet me një rezultat konkret.
“Zbatimi në praktikë i një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë gjithsesi garancinë e SHBA-së. Pra, për palën kosovare duket se nuk mjafton vetëm pjesëmarrja e SHBA-së në cilësinë e lehtësuesit ose ndërmjetësuesit, por më e rëndësishme se kjo është garancia që duhet të vijë nga Shtetet e Bashkuara për zbatimin në praktikë të marrëveshjes”, tha Mushkolaj.
Mushkolaj mendon se në rrafshin e rinisjes së dialogut me Serbinë, pala e Kosovës është e frustruar për shkak të qasjes së BE-së karshi Kosovës dhe luftës diplomatike të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, nëse edhe njëherë rinis dialogu mes palëve pa një konkretizim të asaj se cili do të jetë rezultati, dyshimet do të jenë se ai dialog nuk është në rrugën e duhur. Për negociatat politike të zhvilluara deri më tani nga Bashkimi Evropian si lehtësues, te pala kosovare, thotë Mushkolaj, është krijuar përshtypja se pala serbe është favorizuar më shumë.
“Këtu [anshmërinë] kryesisht e lidhin me çështjen e liberalizimit të vizave. Brukseli e thotë se këto dy çështje nuk lidhen mes vete, por duket se qëndron ky fakt për shkak se përderisa Brukseli ka zgjedhur që çështjen e liberalizmit ta ketë si një karrotë për palën kosovarë në momente të ndryshme, tashmë po duket se të njëjtën karrotë do të vazhdojë ta mbajë derisa të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Mushkolaj.
I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë vizitës në Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që t’i qaset seriozisht dialogut dhe arritjes së marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Përfaqësuesi i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se mundësitë e reja ekonomike dhe investimet e huaja në Kosovë dhe Serbi, mund ta bëjnë më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.
Ai ka shtuar se Richard Grenell, i dërguari Special presidencial i SHBA-së për bisedimet e paqes në Kosovë dhe Serbi, është në pozitën më të mirë për ta bërë këtë.
Sipas Palmerit, qëllimi i SHBA-së është që thelbi i marrëveshjes të jetë njohja reciproke, duke kujtuar se procesi i dialogut është i destinuar për kompromis.
Kosova sapo ka përfunduar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku nga rezultatet paraprake të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti fituese.
Në anën tjetër, Serbia e ka kushtëzuar rifillimin e bisedimeve me heqjen e taksës doganore që Kosova u ka vendosur të gjitha importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Ndërsa kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa mund të shfuqizohet vetëm nëse Serbia e njeh Kosovën si shtet, lideri i Vetëvendosjes, i cili aktualisht shihet si kandidati i vetëm për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, ka paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, duke mos e përjashtuar kështu mundësinë e heqjes së taksës.