Kanë mbetur afërsisht edhe gjashtë muaj deri të zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Brenda kësaj kohe të gjitha partitë politike duhet të kuptojnë se diskurset politike “mburravece” nuk do të trazojnë ndjeshmërinë e elektoratit që e synojnë. Logjika e demonizimit mund të mobilizojë militantët partiakë, por jo edhe qytetarët e lodhur, të cilët kërkojnë oferta konkrete politike që iu përgjigjen pritjeve të tyre.
Autor: Bardhyl Zaimi
Gjithnjë e më tepër politika po shndërrohet në një “grafit” të përditshëm sa për të treguar praninë e vetë në botën mediale, në veçanti për të treguar praninë te “militantët” partiakë. Platformat politike tashmë duken një gjë e tejkaluar, sidomos në kohën kur receptuesit e mediave të reja nuk kanë kohë të lexojnë më tepër se një titull bombastik. Ekziston tashmë një krisje në qenien politike, e cila në vend të ofertave elektorale, në vend të identifikimit dhe artikulimit të pritjeve të qytetarëve ofron spektaklin e deklaratave kuturu që mban në “trans” permanent militantizmin partiak, atë pjesë të elektoratit që kërkon “narracione” të forta që përputhen me përcaktimin ideologjik.
Pavarësisht se gjithë kjo është pjesë e pluralitetit politik, e jetës demokratike duket se skemat populliste kanë ngadhënjyer mbi vizionet racionale politike, të cilat njohin analizën, artikulimin dhe një idealitet minimal që përputhet me vetë nocionin dhe kuptimin e politikës si një hapësirë ku gjen kultivimin dhe zhvillimin e pandërprerë qenia njerëzore. Fjala “popull” gjithnjë e më tepër shndërrohet në kryefjalë të ligjërimit politik, por gjithnjë e përdorur në një konotacion abstrakt, si një totalitet i padefinuar, që mund të prodhojë emocion çasti, por që është jashtë çdo realiteti konfigurimesh shoqërore, jashtë shtresëzimeve dhe grupeve të interesit që shfaqen si entitete moderne politike.
Duket se tashmë ekziston një shkëputje fatale mes elitave politike që jetojnë në realitetet e tyre ideologjike dhe qytetarëve që dita-ditës po shfaqin një mosbesim për të qenë pjesë e këtij “spektakli” politik që vjen si një “këngë” tashmë e dëgjuar vite me radhë. Retorika dhe demagogjia asnjëherë nuk kanë munguar në hapësirën politike, e cila fatkeqësisht nga fillimet e demokracisë e këndej gjithnjë e më tepër po shndërrohet në një kuptim parësor të politikës.
Dhe këto shfaqje politike që e njohin vetëm retorikën dhe demagogjinë nuk janë të pranishme vetëm në hapësirën e këtushme politike, por janë një fenomen që gjithnjë e më tepër po shfaq praninë e vetë edhe në nivele globale. Gjithsesi këto fenomene që e bjerrin politikën në kuptimin e saj fillimtar siç diskutohej dhe projektohej që në antikitet si një aksion njerëzor që performon polisin në format e tij më ideale, vijnë me një fytyrë tjetër edhe në kohën dhe hapësirën tonë.
Në një studim të saj “ Mendimi politik: një guidë për te klasikët”, autorja Laurie Johnson, thotë se “ne tashmë e dimë se në këndvështrimin e Sokratit, shumica e politikanëve të Athinës ishin demagogë dhe të shkathët në retorikë, që përdornin elokuencën dhe forcën e personalitetit të tyre për t’i tunduar votuesit për të mbështetur planet që do t’i bënin ata më të fuqishëm dhe më të pasur. Sokrati e dinte që shumica, nëse jo të gjitha, qeveritë aktuale bazoheshin në forcë ose mashtrim, për të huazuar një frazë nga një filozof tjetër, Machiavelli”.
Në skenën politike në Maqedoni vazhdimisht janë ripërsëritur të njëjtat retorika boshe, ndërkohë që shumë probleme që ndërlidhen me pritjen e qytetarëve nuk kanë mundur të artikulohen si vizion politik. Kjo ka bërë që brenda këtyre viteve të tranzicionit të krijohet një mosbesim në raportin votues-parti politike. Sipas shumë të dhënave të prezantuara nga organizatat joqeveritare një numër i madh qytetarëve me të drejtë vote tashmë nuk marrin pjesë në procesin zgjedhor. Është një zhgënjim që vjen si pasojë e shkëputjes së politikës nga problemet reale të njerëzve. Pikërisht, ky zhgënjim, me kalimin e kohës ka krijuar një votues militant dhe klientelist, i cili mbetet i parashikueshëm në përllogaritjet e partive politike.
Tashmë kur është caktuar data e zgjedhjeve, duket se partitë politike kanë “ndezur” motorët për të joshur elektoratin e pretenduar. Paraqitjet e para të liderëve duken zhgënjyese. Këto paraqitje mbeten tipike në sinkron me retorikat “mburravece” të së kaluarës. I vetmi diskurs që mund të dëgjojmë në këtë prolog fushate zgjedhore është “do t’u mundim”, “fitorja jonë është e sigurtë”, “ne jemi më të mirët”. Edhe pse është herët për të folur mbi vizionet politike, shenjat e para të kësaj periudhe parazgjedhore shpërfaqin të njëjtën logjikë funksionimi, të njëjtat beteja populliste, që nuk përkojnë askund me realitetin e hidhur të qytetarëve, të cilët dita-ditës i dorëzohen një zhgënjimi të pashpresë.
Demokracia është sheshi i pluralitetit politik, i debatit, i vizioneve politike të strukturuara në platforma politike elektorale. Këto platforma strukturojnë dhe formësojnë një ndjeshmëri politike elektorale, e cila vjen nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët. Politika nuk bëhet në hemisferat e egove personale, por në sheshin e pritjeve për një jetë më të mirë, më njerëzore dhe më të dinjitetshme në të gjithë thellësinë dhe gjerësinë e ekzistencës. Konceptet politike moderne kanë njeriun në epiqendër. Ato nuk ngriten në boshin e retorikave personale, por në sheshin e interesimeve të përbashkëta, në hemisferat ku qenia njerëzore shfaqet si qenie politike dhe kulturore.
Pa këto dimensione politika shndërrohet në një makineri utilitare të mbajtjes ose ardhjes në pushtet.
Politika mbetet e pashmangshme nga demosi në kuptimin e entitetit politik dhe të organizimit institucional. Për ta ruajtur këtë lidhje fillimtare mes politikës dhe demosit, sheshi i politikës duhet doemos të njoh një idealitet të politikbërjes që në epiqendër ka mirëqenien e njeriut. Në të kundërtën rrezikon të degjenerojë në konceptet tashmë të tipizuara si makiaveliste, që pushtetin e njohin vetëm si fuqi. Pikërisht, shfaqjet e para të fushatës së hershme parazgjedhore konsistojnë me këtë koncept banal të politikës.
Degjenerimet e shumta politike gjatë periudhës së kaluar kanë krijuar tashmë një vakum politik në raportin elektorat-parti politike. Ky vakum përkthehet si mosbesim, si një abstenim nga pjesëmarrja demokratike. Ky abstenim tashmë ka marrë një trajtë tjetër që ka stimuluar një arrati të përhershme. Ikja e të rinjve është një fenomen që vjen si pasojë e këtyre politikave dhe e pamundësisë për të identifikuar, artikuluar dhe projektuar një shpresë për qytetarët në formën e ofertës mirëmenduar politike.
Si zakonisht, në mungesë të ofertave konkrete politike, gjithnjë shfaqet fenomeni i demonizimit si një betejë politike që më tepër bëhet për mendësitë militante, duke përjashtuar kështu gjithëpërfshirjen politike që nënkupton shtrirje te të gjitha kategoritë e ndryshme shoqërore. Nuk ka shenja të platformave, ofertave politike dhe kjo i stimulon retorikat demonizuese dhe skajshmërish me pretendime asgjësuese. Në kësi situatash debati shndërrohet në arenë fyerjesh nga militantët partiakë, demonizimesh dhe frustracionesh që aspak nuk kanë të bëjnë me kulturën politike.
Kanë mbetur afërsisht edhe gjashtë muaj deri të zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mbase ka kohë të mjaftueshme të kuptohet nga të gjitha partitë politike se këto lloje diskursesh politike “mburravece” nuk do të trazojnë ndjeshmërinë e elektoratit që e synojnë. Logjika e demonizimit mund të mobilizojë militantët partiakë, por jo edhe qytetarët e lodhur, të cilët kërkojnë oferta konkrete politike që iu përgjigjen pritjeve të tyre. Mbase “zhurma” politike me logjikat paraprake mund të duket atraktive, por ajo do të kënaq vetëm sedrat partiake dhe shumë pak do të ndikojë në pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Njerëzit presin platforma konkrete për t’iu dhënë zgjidhje problemeve të tyre që mbeten të shumta, nga statusi i rrënuar social e deri te një kontekst dëshpërues kulturor që stimulon arratinë si ikje nga praktikat e deritashme politike. Në esencë politika duhet brenda vetes të kultivojë edhe një dimension emancipues. Duhet të kultivojë një dialog të pandërprerë mbi të gjitha shfaqjet e ekzistencës njerëzore, mbi gjithë projeksionet që mundësojnë një rrojtje të dinjitetshme brenda një habitusi të caktuar politik dhe kulturor.